Vazhdon përballja greko-maqedone në GJND
Në Hagë filloi sot faza e dytë e seancës lidhur me padinë e Maqedonisë kundër Greqisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ekipi i ekspertëve dhe mbrojtësve juridik nga Shkup ka mundësinë që sot në mënyrë gojore ti përgjigjet mbrojtjes greke, lidhur me argumentet e saj për Marrëveshjen e përkohshme të nënshkruar midis dy vendeve për çështjen e emrit, në vitin 1995.
Seanca publike lidhur me këtë çështje fjalën përfundimtare do ta ketë më 30 mars, me fjalën përfundimtare të palës greke.
Në fazën e parë, pala maqedonase shpalosi argumentet e saj, ku kërkoi nga GJND të gjykojë në favor të tyre duke e ndëshkuar Greqinë për shkeljen e nenit 11 të Marrëveshjes së përkohshme, me rastin e bllokimit të anëtarësimit të vendit në NATO në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008 me emrin e referencës së përkohshme FYROM.
Gjithashtu kërkohet që Athina zyrtare menjëherë të respektojë detyrimet që ka ndaj kësaj marrëveshje.
Greqia nga ana tjetër, u prezantua me kundër akuza se Maqedonia është ajo e cila ka shkelur Marrëveshjen e përkohshme, për shkak të përdorimit të simboleve historike dhe kulturore, nëpërmjet një procesi të motivuar politikisht.
Athina zyrtare kërkon që GJND të shpallet si jokompetent lidhur me këtë proces.