Orion Glozheni: “Në 1000 lindje vdesin 26 foshnje”
Emanuela Sako
Vdekshmëria foshnjore në spitalet e vendit kap shifra tepër të larta. Mjeku gjinekolog, Orion Glozheni, duke u shprehur për gazetën “Albania”, pohon faktin se në Spitalin Obsetrik-Gjinekologjik “Koço Glozheni” vdekshmëria foshnjore është më e lartë se mesatarja e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, ku llogariten 18 vdekje për një mijë lindje. Mjeku Glozheni sqaroi se raporti i vdekshmërisë foshnjore në këtë spital është 26 vdekje për një mijë lindje për fëmijët e moshës 5 muajsh që peshojnë deri në 500 gramë. Sipas tij, arsyet që e shpjegojnë këtë raport është se në këtë maternitet vijnë nëna shtatzëna apo me fëmijë të lindur në kushte tepër të rënda, të cilat nuk janë mjekuar si duhet në spitalet e rretheve. Spitalet e rretheve i nisin gratë shtatzëna për në maternitetet e kryeqytetit.
Statistikat
Mjeku Glozheni shpjegoi arsyet e vdekshmërisë foshnjore në Spitalin Obsetrik-Gjinekologjik “Koço Glozheni” dhe ato në të gjithë vendin, duke i renditur në varësi të kushteve në spitale. Kështu, një nga arsyet se përse vdekshmëria foshnjore në këtë spital është e lartë, është sepse të gjitha nënat shtatzëna apo foshnjat e porsalindura në spitalet e rretheve drejtohen në këtë spital. Por, mjeku sqaron se gratë që vijnë nga rrethet, drejtohen te mjeku vetëm kur kanë arritur në një gjendje kritike për jetën e tyre dhe të foshnjës. Mungesa e medikamenteve dhe aparaturave të specializuara bëjnë që në shumicën e rasteve foshnjat të humbasin jetën. Krahasuar me vendet e tjera të BE-së, në spitalet dhe klinikat e vendit tonë mungojnë medikamentet dhe aparaturat e specializuara. Nga statistikat e vitit të kaluar në këtë spital janë regjistruar 4020 lindje. Nga këto lindje është llogaritur edhe raporti, ku për çdo një mijë lindje të parakohshme të fëmijëve 5 muajsh me peshë 500 gramë, janë regjistruar 26 vdekje. Ndërsa nga një mijë lindje me moshë mbi 6 muaj dhe me peshë 1 mijë gramë, janë regjistruar rreth 19 vdekje të foshnjave të porsalindura.
Shkaqet
Shkaqet që e bëjnë tepër problematike situatën janë nga më të ndryshmet, ku një ndër faktorët kryesorë është cilësia jo e mirë e kujdesit shëndetësor që ofrohet gjatë shtatzënisë. Në këtë rast përfshihet kujdesi para lindjes dhe pas lindjes së foshnjës. Ndër këto raste përfshihen dhe njohuritë që kanë nënat për shtatzëninë, si dhe niveli i njohurive bashkëkohore nga ana e personelit mjekësor. Specialistët e shëndetësisë theksojnë se përveç mungesës së medikamenteve në mjaft raste ka ndodhur që vdekjet të vijnë si pasojë e medikamenteve që përdoren pa rekomandimin e mjekut ose që jepen me lejen e personelit mjekësor, por që janë të papërshtatshme. Në shumicën e rasteve në spitalet e rretheve mungojnë mjetet e transportit, siç janë ambulancat.
Projekti, sëmundjet infektive në vëzhgimin e specialistëve
Sëmundjet infektive do të jenë të gjitha në vëzhgimin e specialistëve. Kjo do të bëhet falë krijimit të një sistemi informativ shëndetësor dhe një Observatori Kombëtar Epidemiologjik për vëzhgimin e sëmundjeve më të përhapura në popullsi. Në këtë mënyrë do të bëhet evidentimi i të gjitha sëmundjeve infektive dhe do të bëhet lokalizimi i atyre sëmundjeve që janë më të përhapura. Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardhi Spahia, u shpreh se lidhur me këtë çështje do të bëhet trajnimi i mjekëve dhe specialistëve shqiptarë të këtyre fushave. Tashmë është ngritur serveri qendror për mbledhjen e informacionit, si dhe janë shpërndarë kompjuterë në disa qendra shëndetësore për mbledhjen e tij. Projekti është në kuadër të programit “INTERREG III” një bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Italisë, i financuar nga KE-ja përmes Agjencisë Rajonale Sanitare të Pulias. Aktualisht specialistët po bëjnë mbledhjen e informacioneve lidhur me shtrimet në strukturat spitalore, si dhe po bëhet sistemi i regjistrimit të fushave të vaksinimit dhe një sistem vëzhgimi të sëmundjeve infektive. Nëpërmjet këtij procesi do të evidentohen të gjitha rastet e prekjes nga sëmundjet infektive dhe do të hartohen strategji për kurimin dhe parandalimin e tyre.
16 Shtator 2008