Shqiptarët, malësorët skocezë të Ballkanit
Albert Bushnell Hart
Çfarë njerëzish janë shqiptarët?” - pyet një i njohuri im serb. “Ata janë të tillë; ti ke një pullë në pallton tënde, - ai e do atë; të vret ty dhe të merr pullën”.
Ky karakterizim i çastit përputhet me gjykimin e shumë njerëzve, të cilët kanë pasur kontakte të ngushta me njerëzit më të shquar në Ballkan. Grekët u shfaqën njëzet e pesë shekuj më parë; romakët njëzet shekuj më parë; bullgarët para njëmbëdhjetë shekujsh; por shqiptari gjendej në tokat e tij para se të shfaqeshin grekët. Ai vazhdon ende të flasë një gjuhë po aq të vjetër sa ajo e etruskëve. Ai kurrë nuk ka qenë mposhtur, zotëruar ose civilizuar. Ai është aq i papërmbajtshëm sa mund të jetë çdokush, i cili ka veshur rrobat dhe është i aftë të qëllojë me pushkë. Ai është malësori skocez i Ballkanit; indiani i Amerikës, i cili ka akses ndaj pikave tregtare; Arabi i Europës me zemërgjerësinë e madhe që i karakterizon shqiptarët.
Ju mund ta urreni një shqiptar, ose ta dashuroni atë; ta qëlloni, ose t’ju qëllojë ai. Por sërish ai mbetet unik dhe ndonëse pjesërisht barbar, ai kërcënon të bllokojë të gjitha planet për stabilizimin e Ballkanit.
Ku ndodhet Shqipëria? Shqiptarët dhe fqinjët e tyre paraqesin versione të ndryshme përsa i përket shtrirjes së kufijve dhe një komision europian do ta rishikojë këtë çështje, por në përgjithësi Shqipëria është vendi përgjatë Adriatikut, nga Mali i Zi deri në bregdetin përballë Korfuzit, duke u shtrirë në brendësi të Prishtinës dhe Manastirit. Shqipëria është një zonë e mbushur me male të ashpra, që rrethohet me pak shtretër lumenjsh se çdo pjesë tjetër e Ballkanit. Megjithatë, sipas të gjitha përllogaritjeve, vendi aktualisht mban rreth 2 milionë banorë dhe do të mbante akoma më tepër nëse ajo do t’u nënshtrohej rregullave.
Pushtimi romak
Por ajo kurrë nuk u është nënshtruar rregullave. Romakët janë të vetmit që e kthyen Shqipërinë në atë çka ajo duhej të ishte; rruga e vetme e komunikimit ndërkombëtar, e sigurt dhe e mbrojtur. Dy linja ajrore; njëra që të çon nga Venecia në Athinë dhe tjetra nga Brindizi në Kostandinopojë, do të kryqëzohen në Shqipëri. Romakët kanë një port në Durrës dhe një rrugë që kalon prej aty përmes qytetit të Selanikut, - por nuk është shumë e sigurt nëse ato kanë pasur ndonjë ndikim në kthimin e rregullit në Shqipëri. Pa dyshim. Është e dukshme sa nuk ka asnjë gërmadhë romake në vend. Megjithatë, rreth gjysmë shekulli më parë ekzistonte një rrugë nga Shkodra në Prishtinë, në të cilën zhvillohej tregtia, pothuajse e ngjashme me Afrikën Qendrore, duke ndarë çdo fis përmes të cilit kalonte.
Brenda kësaj zone të ngushtë, - përreth 150 milje të gjatë dhe 50 milje të gjerë, - jo shumë larg për nga forma dhe përmasa me Nju Xhersin, - ju do të gjeni jo një, por tre Shqipëri: Shqipëria e Veriut, e Mesme dhe e Jugut; dhe duke qenë se asnjë europian jashtë shërbimeve turke nuk i ka vizituar të tria pjesët, çdo vizitor përshkruan vetëm zonën që ai ka parë. Të gjithë janë dakord se Shqipëria përbëhet nga fise, të cilat i ngjajnë shumë fiseve të zonave malore të Skocisë së shekullit të kaluar. Nuk ekziston një Shqipëri, ose tre, por rreth njëzet të tilla; disa të bashkuara në konfederata të vogla, të gjitha në grindje me njëra-tjetrën deri në shkallën e fundit dhe të gatshme të sulmojnë kufijtë; madje, edhe pa asnjë motiv.
Kësaj shtojini një fakt tjetër të ndërlikuar, që banorët e ashtuquajtur shqiptarë janë të ndarë në tre besime fetare. Në veri gjenden më tepër katolikë dhe ekziston një kryemurg klerik që përfaqëson autoritetin e Romës. Pjesa më e madhe e Shqipërisë së Mesme janë myslimanë. Shumë prej grupeve në Jug të vendit janë ortodoksë, që do të thotë të krishterë të ritit grek. Si pasojë, Papa dhe Sulltani, si dhe Kisha Greke, të gjitha kanë dorë në sistemin e qeverisjes së këtij kombi të pavarur. Njerëzit e kanë siguruar udhëtarin që nuk është e mundur të kalohet nëpër Shqipëri. Është mjaft e mundimshme që të kalosh përmes të dyja anëve; në vende të cilat ju mund të shikoni terrenin, pa mundur të hyni në të. Rreziku i menjëhershëm është më tepër të qëlloheni si spiun nga një serb ose grek, sesa nga një shqiptar si një veprim i praktikave të shënjestrës. Faktikisht vendi është deportuar dhe përshkruar nga mijëra të huaj, të cilët kishin një objektiv të caktuar; si misionarë ose inxhinierë hekurudhash. Para katër vitesh një francez i ri aventurier, Luis Javai, kaloi 4-5 ditë duke përshkruar Shqipërinë e Veriut, - dhe me modesti e përshkroi veten si europiani i parë që kishte ndërmarrë një udhëtim të tillë, dhe eksperiencën e tij ai e shtjelloi në një libër mjaft të bukur, i cili nuk e meriton titullin e tij “Shqipëria e panjohur”. Një rajoni i cili është hartuar nga inxhinierë austriakë dhe nëpërmjet të cilëve është projektuar pjesërisht një rrugë hekurudhore, vështirë se mund të quhet “i panjohur”. Ai ka lëvizur nga njëri fis në tjetrin, duke shtuar shumë hollësi piktoreske dhe informacione të vizitorëve të tjerë. Një udhëtar i cili ka parë më tepër nga Shqipëria sesa çdo person që ka një lidhje zyrtare me qeverinë turke është Çarls R. Krane nga Çikago, i cili u njoh me disa nga udhëheqësit e fiseve. Ndërkohë që ata ndodheshin në Kostandinopojë duke u përgatitur për një kryengritje kundër qeverisë turke. Ai shkoi në Manastir dhe atje guvernatori turk u informua mbi faktin se ai po shkonte të vizitonte Shqipërinë.
“Oh, jo! Mos më thuaj. Nuk do të shkosh, apo jo?” – ishte përgjigjja e guvernatorit. “Do të vritesh. Çdo njeri që shkon në atë vend, vritet”. Krane e mori përsipër atë rrezik. “Kur të më duhet t’i raportoj Kostandinopojës që ju jeni vrarë, të paktën duhet të jem në gjendje të them se i kisha marrë të gjitha masat”. Eskorta u pranua me protesta të shumta dhe në fund të gjysmës së ditës së parë kortezhi mbërriti në një fshat të Shqipërisë. Banorët, të gjithë të nënshtruar nga turqit, nuk dukeshin të përzemërt, por e morën mënjanë Krane dhe denjuan ta pyesnin se çfarë bënte ai me një grup shoqërimi turk? Ai shpjegoi urdhrin që i ishte dhënë nga guvernatori turk. “Nëse ndonjë nga këta burra vazhdon të qëndrojë këtu edhe për gjysmë ore, që tani ne do t’i qëllojmë ata”, - iu përgjigjën shqiptarët. Ishte i pazakontë fakti se pas gjysmë ore grupi i shoqërimit e braktisi detyrën e tij dhe që nga ajo kohë e tutje udhëtari ndodhej mes miqve, të cilët e shoqëruan atë nga njëri fis në tjetrin.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 13 tetor 1913
Titulli është redaksional
Në numrin e ardhshëm do të lexoni
Rrëfimet e Hartit: “Kur shkuan për herë të parë amerikanët në Shqipëri”
Misionet amerikane në Jug të Shqipërisë dhe përshtypjet e tyre për banorët, zakonet dhe pushtimin turk
Si qëndronin vazhdimisht shqiptarët të armatosur dhe karakteri i tyre për të qenë gjithmonë të pavarur
Sistemi i qeverisjes së shqiptarëve dhe tiparet e udhëheqësve. Raportet me Portën e Lartë dhe lufta për pavarësi
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
16 Shtator 2008