E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon shkatërrimi i shtretërve të lumenjve

Prishtinë, 31 gusht -  Inspektorët e Mjedisit të hënën janë kthyer me kokë ulur nga terreni inspektues përgjatë lumit të Drinit të Bardhë. Ata kanë parë një gjendje tmerruese në shtratin e lumit Drini i Bardhë, të krijuar nga “vjedhësit” e rërës së shtratit të lumit, shkruan Koha Ditore. “Sot kemi inspektuar shtratin e këtij lumi dhe kemi parë një gjendje shumë të rëndë të krijuar në shtratin e lumit Drin”, tha të hënën Isak Pllana, inspektor i mjedisit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Sipas tij eksploatuesit ilegalë kanë shkatërruar shtratin e këtij lumi dhe vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë çdo ditë.
Numri i eksploatuesve të rërës ilegalë në Kosovë është duke u rritur dita-ditës, kryesisht për shkak të profitabilitetit të këtij biznesi. Zyrtarisht nuk ka asnjë të dhënë se sa mund të jetë numri i eksploatuesve të palicencuar. “Ata kryesisht janë mobilë. Vijnë në mëngjes me mjetet e tyre, marrin rërën dhe ikin duke lënë shkret hapësirën përreth. Shumë më shumë ka eksploatues ilegalë se legal”, thotë Pllana.
Aktpaditë dhe gjobat e shkaktuara nga inspektorët e mjedisit sipas tij nuk kanë ndikuar fare në përmirësimin e gjendjes së krijuar në shtretërit e lumenjve nëpër Kosovë. Në gjendje jo të mirë janë edhe kodrat e Kosovës që janë të pasura me shkëmbinj.
Por të paktën mbi gurthyesit e vendosur është një kontroll më i madh, edhe pse gjysma e tyre thuhet se janë ilegalë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, numri i gurthyesve ilegalë në Kosovë llogaritet të jetë mbi 100.
“Numri i operatorëve ilegalë që merren me eksploatimin dhe thërrmimin e shkëmbinjve nuk është shumë i madh në krahasim me ata të rërës. Të paktën eksploatuesit e shkëmbinjve i kemi nën kontroll dhe çdo ditë u bëjmë presion që ata që janë ilegalë të licencohen, përderisa ata që janë legalë t’i respektojnë kushtet e licencës”, thotë Pllana.
Sipas tij, çdo gurthyes në Kosovë në momentin kur e merr licencën është i obliguar që pjesën e shkatërruar ta kultivojë, por, sipas tij, një gjë e tillë në Kosovë nuk po ndodh sipas kushteve të parapara. “Problemin më të madh e kemi me pluhurin që shkaktohet nga thërrmimi i shkëmbinjve. Me kushtet e licencës është e paraparë që gurthyesit të kenë filtrat e ajrit, por këtë kriter shumë pak janë duke e respektuar. Kohën e fundit ne i kemi detyruar që të përdorin sistemin e spërkatjes me ujë të hapësirave ku nxjerrin gurë dhe i thërrmojnë ata”,tha ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›