E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon tensioni në Veri, serbët përforcojnë barrikadat

Pasi kanë bllokuar të gjitha rrugët e veriut të Mitrovicës me zhavorr dhe barrikada, serbët kanë hedhur beton në pikën kufitare të Jarinjës. Ata vijojnë grumbullimet për të kundërshtuar aksionin e qeverisë së Kosovës, ndërsa nuk kanë munguar as të shtënat me armë. Ministri i Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi, ka akuzuar serbët e Kosovës se po përpiqen të ngrenë mure ndarëse në Veri. “Këto janë ide të sëmura nga individë të sëmurë, që po provojnë të ngrenë mure si ai i Berlinit. Ne do të diskutojmë për këtë me partnerët ndërkombëtarë”, ka deklaruar Rexhepi për KTV. Mediat ballkanase raportojnë se në Rudare banorët serbë kanë përforcuar barrikadat duke i betonuar ato dhe duke ngritur një mur. Gjithashtu, sipas të njëjtave burime, ka pasur përpjekje që një mur i tillë të ngrihet edhe në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër. Gjatë intervistës së tij ministri Rexhepi ka nënvizuar se gjendja e sigurisë në veri është nën kontrollin e forcave kosovare dhe atyre ndërkombëtare të sigurisë. Forcat e NATO-s po mbajnë të mbyllura dy vendkalimet kufitare, ndërsa në afërsi të tyre janë ngritur barrikada nga serbët lokalë. Operacioni po kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët lokalë, të cilët po qëndrojnë në barrikada. “Jemi të vendosur të qëndrojmë këtu dhe të luftojmë për të drejtat tona dhe për interesat e shtetit tonë, për punën, jetën dhe fëmijët tanë e të ardhmen ne tyre”, thotë Jelena, një banore serbe në Veri. Beogradi ka akuzuar Prishtinën për nxitje të dhunës në Veri, ndërsa ka kritikuar edhe Bashkimin Europian dhe trupat e NATO-s për mbështetjen e veprimeve të autoriteteve të Prishtinës. Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç tha se qeveria e tij i ka dërguar Bashkimit Europian një plan për vendkalimet kufitare në Veri, në të cilin parashihet që të mos ketë prani të personelit shqiptar, një kërkesë kjo e papranueshme për Prishtinën. Operacioni është mbështetur nga Bashkimi Europian si dhe diplomatët perëndimorë në Kosovë. Ambasadori britanik Ian Cliff tha dje në Graçanicë afër Prishtinës se Kosova është një njësi doganore dhe është e natyrshme që kjo të vlejë në të gjitha vendkalimet kufitare. “Ne mbështesim tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Kosovës, që përfshin edhe Veriun. Sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, së cilës Serbia i referohet sa herë i duhet, e gjithë Kosova, përfshirë edhe Veriun, është një zonë e vetme doganore dhe është krejt e natyrshme që kontrolli doganor të vendoset edhe në Veri ashtu sikundër ishte edhe më parë. Kjo është rruga për të luftuar kontrabandën dhe nuk është e drejtuar kundër njerëzve të zakonshëm në veriun e Kosovës”, tha ambasadori britanik. Ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviç, shfaqi shpresën për shtendosjen e situatës në Veri, duke bërë thirrje për shmangie të çdo forme të nxitjes së tensioneve në atë pjesë. Operacioni në Veri u pasua me vendimin që të lejohet importimi i mallrave nga Serbia, i cili qe ndaluar më 20 korrik. Zyrtarë të doganave të Kosovës thanë se është lejuar hyrja e mauneve me mallra nga Serbia, por ende nuk është regjistruar ndonjë veprim i kundërt. Autoritetet në Prishtinë thanë se do të rivendosin masat e ndalimit të importeve nga Serbia, nëse kjo e fundit nuk lejon eksportet nga Kosova.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›