E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akset rrugore të mbytura nga plehrat urbane

Shkodër Pastrimi i mbetjeve urbane lë për të dëshiruar në qytetin e Shkodrës. Përveç kaosit të krijuar me trafikun, si pasojë e punimeve njëherësh në disa akse në qytet, situata më e rëndë është ajo me mbetjet urbane. Në shumë zona mbetjet urbane qëndrojnë për ditë të tëra duke u përhapur edhe në tokë, e duke krijuar një situate alarmante epidemike. Gjendja e krijuar nuk dihet përse vjen, për sa kohë që vetë qytetarët për këtë shërbim paguajnë pranë bashkisë Shkodër detyrimin vjetor të pastrimit të qytetit. Situata është e rënduar jo vetëm në akset kryesore të qytetit, ku është hapur asfalti dhe bëhen punime, por dhe në lagjet periferike. Në çdo aks rrugor të qytetit prezenca e grumbujve të kazanëve të mbeturinave është një imazh i shëmtuar. Ditët e fundit, si pasojë e punimeve që po kryhen në aksin nga shatërvani në qendër të qytetit e deri në Rus, kazanët kanë nisur të ngjiten në trotuare për të hapur rrugën për lëvizjen e makinave. Ndonëse ka zona ku pastrimi bëhet dhe natën, shtrirja e tij në këtë kohë kur nuk ka lëvizje shihet si pozitive nga qytetarët, por kjo nuk ndodh. Këta shtojnë se mbeturinat tërhiqen një herë në dy-tri ditë, duke shtuar problemet e ndotjes. Në disa raste kanë qenë vetë qytetarët që kanë reaguar duke u vënë flakën kazanëve të mbushur me mbeturina që nuk hiqen, si reagim ndaj nivelit të ulët të këtij shërbimi, dhe pse ky veprim dëmton pronën e përbashkët. Dhe sikur të mos mjaftojë largimi i çrregullt i mbeturinave, sidomos në lagjet periferike të qytetit, një tjetër problem është dhe harta e vendosjes së kazanëve për hedhjen e tyre. Mjafton të hedhësh një shikim para Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe të vërtetosh faktin që kontenierët e mbeturinave janë të vendosur në një ambient të papërshtatshëm, përpara një institucioni të arsimit të lartë dhe pse aty pranë nuk ka familje që të konsumojnë mbeturina dhe ta kenë të domosdoshme praninë e kontenierëve. Fakti që këta kontenierë janë të tejmbushur me mbeturina, tregon për atë se askush nuk merret me shkarkimin e tyre apo me zhvendosjen në një vend me të përshtatshëm. Kjo panoramë aspak normale për një institucion të tillë si universiteti, vazhdon të jetë e pranishme çdo ditë, ndërsa akoma nuk dihet se kur do të merren masa për zhvendosjen e tyre në një tjetër ambient. Kazanët e vendosur janë kthyer në të njëjtën gjendje me të vjetrit. Në Bashkinë e Shkodrës thonë se janë vendosur 840 kazanë në të gjithë territorin, është hartuar plani i menaxhimit të mbetjeve urbane, që ka identifikuar ndërhyrjet strategjike, masat dhe standardet për instalimin e një sistemi modern të menaxhimit të këtyre mbetjeve. D.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›