Çfarë sjellë revolucioni i tretë industrial

Duke filluar nga fabrikat e para të tekstilit në Britani, të fundshekullit të 18, dhe nëpërmjet inicimit të prodhimit masiv të automobilave në SHBA, në fillim të shekullit të 20, bota tashmë ka hyr në revolucionin e tretë industrial. Po bashkohen teknologjitë magjepse: zgjidhjet e mençura programuese, materialet e reja dhe proceset – si ai i shtypjeve tredimensionale, dhe robotët e aftë, si dhe një sërë shërbimesh të bazuara në internet, nënvizon ‘The Economist’.
Fabrikat e dikurshme prodhonin një numër të madh prodhimesh identike (mbahet mend thënia e Henry Ford, se blerësit mund të zgjedhin automobilin në çfarëdo ngjyre që iu pëlqen, përderisa ajo të jetë ngjyra e zezë). E sot, shpenzimet e prodhimit të një serie artikujsh të llojllojshëm, të prodhuar sipas dëshirave të veçante të blerësve, po bien vazhdimisht, ndërkohë që fabrikat e së ardhmes do të fokusohen vetëm në një adaptim masiv.
Dimensioni i tretë në veprim
Prodhimi tani dizajnohet në kompjuter dhe pastaj ‘vizatohet’ nëpërmjet shtypësit 3D, i cili i radhitë vetë shtresat e materialit, duke krijuar kështu objekte të ngurta – që nga çekani e deri te pjesët e aeroplanëve ushtarakë të teknologjisë së lartë. Me kalimin e kohës, pajisjet e tilla do të mund të prodhojnë gjithçka – që nga garazhet e deri te fshatrat afrikane, pohon ‘The Economist’.
Do të ndryshojë edhe dukja e zinxhirit të furnizimit. Një inxhinier nga një zonë e shkretëtirës nuk do të ketë më nevojë të pres që një pjesë t’i dërgohet nga qyteti i afërm, por dizajnin për të do ta shkarkojë nga kompjuteri dhe pastaj do ta shtyp. Një ditë, edhe vetë frustrimi i blerësit që nuk po mund të gjejë një prodhim të vjetruar do t’ia takojë së kaluarës.
Veç kësaj, materialet e reja janë gjithnjë e më të lehta, më rezistuese dhe më jetëgjatë. Fijet e karbonit po e zëvendësojnë çelikun dhe aluminin në aeroplanë dhe në biçikleta malore, ndërkohë që teknologjitë e reja iu mundësojnë inxhinierëve që të formësojnë edhe objektet më të vogla.
Nano-teknologjia u jep prodhimeve karakteristika të avancuara, siç është për shembull ngjitësi që ndihmon në shërimin e plagëve, ose enët që pastrohen vetë. Ndërkaq, viruset e krijuara nga inxhineringu gjenetik po bëhen pjesë përbërëse të prodhimit të baterive.
Po zhduken edhe brengat e vjetra të sipërmarrësve, pengesat për hyrje në treg: Henry Fordit iu desh një grumbull parash për ndërtimin e fabrikës së tij kolosale River Rouge, ndërkohë që cilido ekuivalent i sotëm i tij vetëm me një apetit të madh për të prodhuar dhe me një laptop.
Sikurse edhe të gjitha revolucionet, edhe ky i treti në disa segmente do të jetë shkatërrues, kështu që teknologjia digjitale qysh tani ka shkaktuar një ‘tërmet’ brenda industrisë mediale dhe asaj të shitjes me pakicë. Fabrikat e së ardhmes do të jenë reprezentative dhe pothuajse të ‘çliruara’ nga faktori njeri. Disa prodhues të tillë të automobilave, si Nissani për shembull, qysh tani prodhojnë dyfish më tepër vetura sesa para dhjetë viteve.
Shumë vende të punës nuk do të jenë më brenda fabrikave, por nëpër zyrat e afërme, që do të jenë përplot dizajnerë, inxhinierë, ekspert të IT’së, marketingut, logjistikës, etj. Shumë veprimtari përfaqësuese do të bëhen të tepërta në treg – sepse, nëse një prodhim nuk përmban gozhda, atëherë nuk do të ketë nevojë as për gozhdues, pohon ‘The Economist’.
Kthimi në shtëpi
Sigurisht, do të bjerë edhe roli i çmimit të punës. Prodhimi do të kthehet në shtete e pasura, jo për shkak të rritjes së rrogave të kinezëve, por për shkak se fabrikat dëshirojnë të jenë më afër blerësve, në mënyrë që brenda një afati sa më të shkurtër të mund të përmbushin ndryshimet e kërkesave – disa prodhime shumë të sofistikuara, prandaj është ndihmesë e madhe kur dizajnerit dhe prodhuesit ndodhet në të njëjtin vend.
Konsumatorët nuk do të kenë probleme që të adaptohen me prodhime më të mira dhe më të afërta për ta. Më vështirë do të jetë për qeveritë e shteteve, të cilat instiktivisht i mbrojnë industritë dhe ndërmarrjet ekzistuese, por jo edhe fillestarët që do të mund t’i shkatërronin ato. Këto qeveri janë shumë dorëlira me subvencionim të fabrikave të vjetra, dhe u bëjnë presion drejtorëve që dëshirojnë të shpërngulin prodhimin jashtë vendit. Shpenzojnë me miliarda euro/dollarë në teknologji të reja, të cilat, sipas vlerësimit të tyre, do të mbizotërojnë në të ardhmen dhe i përmbahen bindjes romantike se prodhimi është më superior se shërbimet, veçanërisht sektori financiar.
Asgjë nga kjo që u tha nuk ka kuptim, pohon ‘The Economist’. Sepse, hendeku mes prodhimit dhe shërbimeve është gjithnjë e më i vogël. Rolls-Royce më nuk shet motorë për aeroplanë; por i shet orët që çdo motor i kalon në ajër.
Qeveritë asnjëherë nuk kanë ditur të njohin fituesit, diagnostikon ‘The Economist’. Përderisa një legjion i tërë sipërmarrësish dhe njerëzish kreativ shkëmbejnë ide mes veti në internet, dhe ato pastaj në shtëpitë e tyre i shndërrojnë në prodhime dhe i plasojnë në tregje botërore, qeveritë do të duhej t’i përmbaheshin punës së tyre dhe të siguronin shkolla më të mira për një fuqi punëtore kreative, dhe rregulla të qarta për ndërmarrësit e të gjitha profileve. Të gjitha të tjerat duhet t’ua lënë revolucionarëve.