Kapen hajdutët pas 6 vjetësh që ishin shpallur në kërkim
Korçë Pranga grabitësve me maska, kërkoheshin prej 6 vitesh nga Policia e Shtetit, në kërkim dhe një tjetër autor. Dy të shumëkërkuar të listës së gjatë të Drejtorisë së Policisë në Korçë kanë rënë në pranga pas një operacioni gjatë paradites së të enjtes. Kujtim Guma 49 vjeç dhe Elgert Tarushi 25 vjeç, të dy banorë të qytetit të Korçës, janë arrestuar nën akuzën “Vjedhje me dhunë në bashkëpunim”. Duke iu referuar burimeve zyrtare, mësohet se në kërkim është ende një tjetër person, shtetasi Ervis Guma, 34 vjeç, vëllai i të arrestuarit Kujtim Guma. Të tre këta persona janë autorë të vjedhjes me armë dhe me maska në ndodhur në muajin prill të vitit 2005 në fshatin Mborje vetëm 3 kilometra larg qytetit. Autorët rreth orës 22.00 të mbrëmjes së 10 prillit, gjashtë vjet më parë, të maskuar dhe me kallshnikovë në duar kanë hyrë në banesën e shtetasit L.E. në fshatin Mborje, të cilin e kanë goditur me tytën e armës, duke e plagosur atë dhe kanë synuar vjedhjen e banesës. Britmat e të zotit të shtëpisë dhe frika e zbulimit të tyre, i ka detyruar maskat të largohen me shpejtësi, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë lënë nga pakujdesia shenja të dukshme. Në fakt identifikimi i autorësisë së tyre është bërë prej asaj kohe, ndërsa ata janë të dyshuar dhe për disa vjedhje të tjera. Të arrestuarit e policisë kanë qenë gjatë kësaj periudhe në lëvizje jashtë Shqipërisë, kryesisht në vendin fqinj Greqi. Pas identifikimit të vendndodhjes së tyre është bërë i mundur arrestimi, ndërsa i ka shpëtuar prangave vetëm njëri prej të kërkuarve. Ai është 34-vjeçari Ervis Guma, për të cilin policia e Korçës bën të ditur se ka informacione edhe për këtë të fundit, teksa ndalimi i tij është çështje ditësh. Drejtoria e Policisë në Korçë i ka dhënë një rëndësi të veçantë prangosjes së të shumëkërkuarve për ngjarje të vjetra dhe jo vetëm. I.V.