Vdekja e 22-vjeçares, mjekët: Mjekimi ishte i rregullt
AUTOPSIA/ Drejtori i spitalit të Vlorës u shpreh se nga autopsia kishte rezultuar se mjekët nuk kishin bërë gabime
VLORË - Autopsia e 22-vjeçares ka treguar se mjekët janë të pafajshëm. Ose të paktën kjo është ajo çka ka dalë në pah deri më tani. Ky është pretendimi i drejtorit të spitalit të Vlorës, Luter Nuraj, teksa flet për vdekjen e Raimonda Bletës, e cila ndërroi jetë dy ditë më parë në këtë qendër shëndetësore. Sipas tij, gjithsesi, pritet përgjigjja e biopsisë, e cila do të kërkojë më tepër kohë. Drejtori Nuraj tha se nga autopsia nuk ka dalë asnjë mospërputhje me mjekimin sipas kartelës, duke cilësuar se vdekja e Bletës ka ardhur për shkak të gjendjes febrile (apo temperaturës). Megjithatë, duket se edhe kjo nuk mund të kalojë kaq lehtë. "Por rasti është për t'u vlerësuar, - tha Nuraj, - pasi një vdekje e tillë brenda 30 minutash, ka diçka më tepër se një gjendje febrile e thjeshtë". Sipas tij ky rast duhet të bëhej objekt i një studimi shkencor, për t'i paraprirë ndonjë viroze të mundshme, për të cilën nuk përjashtohen gjasat që nesër të shtrihet te pacientë të tjerë.
Hetimet
Por ekspertiza e mjeko-ligjorit nuk ka mbaruar vetëm me autopsinë. Siç mësohet, do të bëhet biopsia e pjesëve të marra nga organet, çka do të hedhë më tepër dritë për çështjen. Ndërkohë, bashkëshorti i 22-vjeçares e cila ndërroi jetë në spital ka bërë një kallëzim në komisariatin e Vlorës ku ka akuzuar mjekët si përgjegjës për vdekjen e Raimondës. Në pyetje për çështjen janë marrë edhe të afërm të tjerë të vajzës. Gjithashtu kanë nisur ekspertimi mjeko-ligjor, përgjigjja e cila mund të kërkojë edhe dy ose më tepër javë kohë. Dy ditë më parë, familjarët ishin të ndarë në qëndrimet e tyre. Ndërsa të ardhurit nga Tepelena, nga kishte dhe vajza origjinën, kanë kërkuar të marrin menjëherë trupin, duke mos pasur asnjë besim se drejtësia do të zbardhte gjë, familjarët e bashkëshortit dhe ky i fundit kanë këmbëngulur që rasti të ndiqej me përparësi. Ata kanë akuzuar mjekët se nuk vepruan në kohë, si dhe se nuk kanë dhënë ndihmën e duhur për nusen e re.
Vdekja
Raimonda Bleta, 22 vjeç, pushoi së jetuari teksa mjekohej në repartin e infektivit të Vlorës. Sipas mjekëve, shkak për vdekjen e menjëhershme është bërë temperatura e lartë. Por në rrëfimin e tij, bashkëshorti 25-vjeçar, Ramadani, u shpreh se gjithë problemet gruas së tij i kishin nisur pas abortit të kryer një muaj më parë në këtë spital. Më pas e shoqja ishte shtruar edhe një herë tjetër, ndërkohë që ditën që ajo vdiq ishte shtruar për shkak se kishte temperaturë. Por, pas bërjes së një gjilpëre nga mjekët, në vend të përmirësimit, 22-vjeçarja ka ndërruar jetë.