E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakoja e fishekzjarrëve alarmon për pesë orë Shkodrën



Ngjarja, mësuesit e shkollës private “Zemra e Krishtit” konstatuan pakon. Policia: Veprime të kryera nga persona të papërgjegjshëm

Një pako me fishekzjarrë e vendosur në oborrin e një shkolle 9-vjeçare në Shkodër ka vënë në alarm për rreth pesë orë uniformat blu të qytetit dhe forcat RENEA. Madje, për këtë ngjarje ka pasur një reagim të ashpër nga policia e këtij qyteti, e cila i konsideron këto veprime si të kryera nga persona të papërgjegjshëm, që detyrojnë strukturat e policisë të investojnë në ngjarje ku imitohen vendosje tritoli. Ngjarja ndodhi mëngjesin e ditës së djeshme, ku mësuesit e shkollës private “Zemra e Krishtit” kanë lajmëruar policinë, pasi dyshonin se në ambientet e tyre kishte një pako që përmbante katër kallëpe tritoli. Policia e Shkodrës mbërriti menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmijët u evakuuan me urgjencë nga godina. Gjithë rrugët që të çonin drejt shkollës u bllokuan duke mos lejuar askënd që t’i afrohej ambientit ku dyshohej se ishte lënë një pako me kallëpe tritoli. Në ndihmë të tyre erdhën edhe ekspertët e forcave RENEA nga Tirana. Shkolla ndodhej afër shtëpisë së kryeparlamentares së vendit, Jozefina Topalli. E gjithë lagjja u vu nën mbikëqyrjen e policisë, ndërsa ekspertët nisën nga puna për kontrollin e pakos së dyshimtë. Por, pas kontrolleve të kryera, u pa se pakoja kishte vetëm fishekzjarrë.

Reagimi

Duket se një veprim i tillë ka acaruar policinë e Shkodrës, e cila përmes një komunikate për shtyp, shprehu dhe shqetësimin që persona të papërgjegjshëm investojnë forcat policore vendore dhe nga qendra në Tiranë, në operacione të pavlera dhe që krijuan një situatë pasigurie në qytetin e Shkodrës. Sipas njoftimit të policisë, personeli i shkollës jopublike 9-vjeçare “Zemra e Krishtit”, në lagjen “Mark Lula” të qytetit, sinjalizoi se në afërsi të portës kryesore, pikërisht jashtë mureve rrethuese të shkollës, ndodhej një pako e dyshimtë. “Pasi u bë sigurimi i vendit dhe evakuimi i të gjithë personave që gjendeshin në shkollë dhe në një rreze disa qindra metrash përreth saj, u morën masa për verifikimin e pakos dhe asgjësimin e saj”, - detajoi policia. Pas verifikimeve të kryera, ekspertët antieksplozivë arritën në përfundimin se në pako ishin vendosur tre fishekzjarrë, të cilët nuk paraqisnin asnjë rrezikshmëri. “Pakoja ishte një ambalazhim fishekzjarrësh, e cila ishte bosh brenda pa asnjë lloj lënde shpërthyese, por dukej si imitim i një pakoje me lëndë shpërthyese”, - pranoi policia. Nga denoncimi i kryer nga personeli u deklarua se pakoja përbëhej nga katër kallëpe të lidhura së bashku dhe ishte roja e shkollës që e kishte parë atë mbrëmjen e kaluar, por nuk ka dyshuar për eksploziv. Por, pikërisht kjo pako fishekzjarrësh alarmoi gjithë qytetin.

Alarmi

Alarmi është dhënë rreth orës 10:30, sipas të cilit, në rrugën e ish-kinemasë verore është një sasi eksplozivi në një banesë të vjetër. Policia ka arritur menjëherë në vendngjarje dhe ka krehur gjithë zonën, ndërsa ka bllokuar rrugët rreth vendngjarjes. Vendi ku ishte vendosur pakoja ishte një rrugë me përmasa të ngushta që gjendet në qendër të qytetit të Shkodrës, dhe ka shtëpi të vjetra banimi, një shkollë private "Zemra e Krishtit" dhe një fondacion të huaj. Forcat e policisë vunë gardh në dy anët e saj, ndërsa e gjithë gjendja e vështirë zgjati për rreth 5 orë, duke bllokuar gjithë qytetin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›