E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada amerikane, dhuratë Policisë së Shtetit një poligon qitjeje



Ambasada amerikane i ka dhuruar Policisë së Shtetit një poligon qitjeje me rreze lazer. Ceremonia u zhvillua në ambientet e Qendrës së Formimit Policor ditën e djeshme. Në këtë ceremoni merrte pjesë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ambasadori amerikan John Withers, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, menaxheri i programit amerikan ICITAP, si dhe përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit. “Policia e Shtetit ka një infrastrukturë ligjore të standardeve të larta, falë edhe ndihmës së dhënë ndër vite nga Programi amerikan ICITAP. Në sajë të ndihmës së madhe dhënë nga Qeveria Amerikane dhe programi ICITAP, sot në policinë shqiptare ka struktura të konsoliduara, funksionale, operacionale dhe të trajnuara, të cilat funksionojnë në mënyrë perfekte”, - u shpreh ministri i Brendshëm. Nishani vlerësoi paraqitjen e strukturave të Policisë së Shtetit, ku ndër të tjera përmendi modelin e Patrullës së Përgjithshme, e cila ka sjellë një impakt pozitiv në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit, si dhe në arritjen e standardeve në komunikimin me qytetarët. Ndërkohë ambasadori amerikan, John Withers u shpreh se Shtetet e Bashkuara gëzojnë një marrëdhënie shumë të ngushtë me Shqipërinë, e cila vërtetohet më së miri edhe në bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit dhe programin e Departamentit të Drejtësisë ICITAP. Ambasadori Withers vlerësoi përparimet e bëra në trajnimin e oficerëve të policisë shqiptare, si dhe rritjen e profesionalizmit të tyre, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm që ka Policia e Shtetit në luftën që po bën Shqipëria kundër krimit. “Kur punonjësit e policisë ballafaqohen me kundërshtim fizik në kryerjen e detyrave të tyre, ata janë të autorizuar që të përdorin forcën e arsyeshme dhe të domosdoshme për të arritur misionin e tyre, si një e drejtë dhe detyrë e tyre. Sa forcë të përdorin dhe kur mund ta përdorin, janë veprime, të cilat punonjësit e policisë duhet t’i ndërmarrin çdo ditë, për të cilat jo rrallëherë kanë më pak se një sekondë kohë”, - pohoi ambasadori. Ky sistem, i cili do të trajnojë punonjësit në ndërmarrjen e vendimeve më kritike që ata do të marrin në karrierën e tyre, ka kapacitet që mund të ndjekë në të njëjtën kohë edhe 5 persona me armë në të njëjtën moment, duke i afruar kështu mundësinë Policisë së Shtetit, që mund të prodhojë edhe video, ku të stimulojë situata të caktuara që i përshtaten rrethanave të policimit në Shqipëri. Ky është një projekt i përbashkët, ku Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion ambientet e vendosjes së këtij sistemi dhe të gjitha shpenzimet për rregullimin e saj, sipas të gjitha standardeve, ndërkohë që ky program u ble nga ICITAP, me një kosto rreth 111 mijë dollarë amerikanë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›