E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e kryera nga Dardha dhe Kasemi, dëshmojnë policët



Musabelliu: Pas vrasjeve, u vura në ndjekje të autorëve së bashku me një koleg tjetër. Eksiu: Nuk pashë gjë nga erdhën plumbat, por vetëm që u plagosa

Gëzim Kasemi, krahu i djathtë i një prej të fortëve të Beratit dhe i njohur si “killeri” i pamëshirshëm në këtë qytet, Altin Dardha, është përballur dje në gjykatë me dëshminë e dhënë nga një efektiv policie, që ka ushtruar funksionin në atë kohë në Berat, Gentian Musabelliu. Para togave të zeza, punonjësi i policisë, Musabelliu, ka rrëfyer edhe një herë detaje mbi ngjarjen e 25 shkurtit të vitit 1998, ku mbetën të vdekur 4 persona dhe dy të tjerë të plagosur, ndërkohë që si autorë të saj njihen Altin Dadha, Gëzim Kasemi, Altin Isufi dhe Agron Bilali. Sipas Musabelliut, i cili në atë kohë ishte inspektor i zonës, në momentin kur ka dëgjuar të shtënat ka qenë për inspektim në zonë. “Sapo dëgjova të shtënat u nisa për nga stadiumi dhe rrugës më ndihmoi për të shkuar më shpejt me një motor, një polic i Rrugores. Bashkë me një koleg u vumë në ndjekje të autorëve dhe kur shkuam deri në Vodicë, na njoftuan se ishin kapur dy prej tyre. U kthyem sërish pas për në Berat”, - deklaroi efektivi i policisë, Gentian Musabelliu, i njohur për plagosjen e rëndë, në përpjekje për të kapur Fotaq Zaharinë në Vlorë. Gjatë seancës së djeshme, kanë dëshmuar edhe tre shtetas të tjerë, dy prej të cilëve efektivë policie, ndërsa tjetri, Ramadan Eskiu, i pranishëm në tavolinën ku ndodhi ngjarja ditën e atentatit. Sipas punonjësve të policisë, ata nuk kishin qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, por ishin nisur menjëherë kur kishin dëgjuar të shtënat. Më pas kishin mësuar se dy prej tyre ishin vënë në pranga. Ndërsa dëshmitari i 4-t, Eskiu, i pranishëm në lokalin ku ndodhi ekzekutimi, rrëfeu para togave të zeza se ditën e ngjarjes ishte ulur në këtë lokal, me shpresën se ndodhej para policisë dhe nuk do ndodhte gjë. Kjo e kishte siguruar, sipas tij, se ndonëse personat që u ekzekutuan ishin me hasmëri, në vendin ku ndodheshin nuk mund t’i ndodhte gjë, për shkak të pranisë së mjaft efektivëve të policisë aty pranë. “Mirëpo u gabova duke menduar kështu dhe këtë e kuptova kur dëgjova breshërinë e armëve në lokal dhe pashë rrezikun që na kanosej”, - deklaroi dëshmitari, duke mos dhënë emra për personat që i qëlluan, pasi sipas tij, nuk kishte parë nga erdhën plumbat dhe se mbeti i plagosur. Ditën e 25 shkurtit të 11 viteve më parë, pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së katër personave dhe plagosjes së dy të tjerëve, policia mundi të arrestojë 31-vjeçarin Gëzim Kasemi dhe Agron Balliun, ndërkohë që Altin Dardha dhe Altin Isufi mundën t’i shpëtojnë ndjekjes së policisë, madje duke shkaktuar edhe një tjetër viktimë në ikje, vrasjen e një të moshuari për të humbur gjurmët. Por, ndjekjes do t’i shpëtonin për pak kohë, pasi Isufi u vra në përpjekje me policinë, ndërsa Dardha do të përfundonte i vrarë nga një tjetër “killer” nga Kuçova, Arjan Paja.

Si ndodhi vrasja e 24 shkurtit me 5 viktima dhe 2 të plagosur

Gëzim Kasemi, i dënuar për herë të parë nga Gjykata e Tiranës me 23 vjet burg për këto vrasje, tashmë është duke u rigjykuar me kërkesë të tij, me pretendimin se gjykimi është bërë në mungesë. 31-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim ka ekzekutuar shtetasit Burhan Tomorri, i njohur me nofkën “Bajo”, Abdyrrahim Tomorri, Behar Eskiut dhe Kastriot Bejko, ndërkohë që Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti, i shpëtuan vdekjes, por morën disa plumba. Ngjarja që tronditi Beratin ka ndodhur më 25 shkurt 1998, kur kapobanda Dardha bashkë me vlonjatin Isufi, Bilalin dhe Kasemin qëlluan për t'u hakmarrë për vrasjen e të atit nga viktima Tomorri. Atentati ndodhi pranë stadiumit të qytetit, vetëm pak metra larg nga dera e Drejtorisë së Policisë, në kohën që gjashtë viktimat po pinin kafe në një lokal. Atentatorët u larguan drejt fshatit Uznovë, ku vranë një të moshuar për t'i tërhequr vëmendjen policisë. Pas kësaj, policia mundi të arrestonte Balliun dhe Kasemin, ndërsa Dardha dhe Isufaj morën peng një oficer policie dhe u larguan rrugëve të fshatrave të zonës. Isufaj u vra ndërsa i bëri rezistencë policisë, ndërsa Dardha mundi të largohej, por tri ditë më vonë u vra në rrethinat e Janinës nga “killeri” nga Kuçova, Arjan Paja. Dy të arrestuarit u liruan pak muaj më vonë, pasi gjykata argumentoi se ata ishin thjesht pengje të Dardhës dhe se ishin lënë në rrugë që të arrestoheshin, me qëllimin që të çorientonin policinë. Tre vjet pas lirimit, Kasemi u dënua me 23 vjet burg, ndërsa pas ekstradimit kërkoi të rinisë gjykimi i çështjes së tij.

Atentatorët

Altin Dadha

Gëzim Kasemi

Altin Isufaj

Agron Bilali

Viktimat

Burhan Tomorri, i njohur me nofkën “Bajo”

Abdyrrahim Tomorri

Behar Eskiut

Kastriot Bejko

U plagosën

Ramadan Eskiu

Vlash Shkurti

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›