Vdekja e 27-vjeçarit, arrestohen bashkëshortët
Etimet provuan se i riu nuk kishte rënë aksidentalisht në humnerë. Motivi, grindja me çiftin
Policia arrestoi si të dyshuar për vrasjen e Kostika Tullas, Leonidha Kupen dhe gruan e tij Bukuroshe Ebeja
Kolonjë-Vdekja misterioze e 27-vjeçarit nga Leskoviku, gjetur pa jetë në thellësi të një humnere nuk ka qenë aksidentale, por vrasje e pastër. Sipas policisë së Kolonjës, përgjegjës për krimin është një çift nga qyteza e vogël, në rrethin e Kolonjës. Sipas hetimeve të para të policisë lokale, por dhe sektorit të krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë në Korçë, dyshohet së në vdekjen e 27-vjeçarit, Kostika Tulla (Xhuma), me të meta mendore të jetë implikuar një çift bashkëshortësh nga Leskoviku. Leonidha Kupe dhe gruaja e tij, Bukuroshe Ebeja, janë prangosur si të dyshuar për vrasjen, pasi një dëshmitar okular i ka parë që 27- vjeçari iu është bashkua atyre, në kohën që ata kanë shkuar për t'u lutur në një kishë të largët të këtij rrethi e cila gjendet në një terren të vështirë malor. Deklarimet në polici pas arrestimit të bashkëshortëve janë të ndryshme, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk pranon të ketë vrarë të riun me të meta mendore, ndonëse pranojnë që ai të ketë rrëshqitur aksidentalisht në humnerë.
Zhdukja
Ngjarja e rrallë në llojin e saj ka ndodhur gati 48 orë më parë, kohë kur 27-vjeçari Kostika Tulla (Xhuma) është deklaruar i zhdukur nga prindërit e tij. Sipas dëshmisë të dhënë në polici nga prindërit e viktimës, djali që ishte i sëmurë me probleme mendore ka dalë si gjithmonë nga shtëpia, por nuk ka mundur të kthehet më në të, ndërsa prindërit e tij, por dhe të afërmit në Leskovik kanë nisur kërkimet për të gjetur njeriun e tyre. Bashkë me ta janë bashkuar dhe efektiva të policisë së Kolonjës, të cilët e kanë gjetur djalin të vdekur në një humnerë në segmentin Leskovik-Shën Dëlli, në një thellësi prej afro 50 metrash. Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes ka menduar se vdekja e të riut Kostika Tulla mund të ishte aksidentale, ndërsa ka nisur hetimet, të cilat kanë marrë një kthesë të papritur, jo shumë orë pas gjetjes së kufomës së tij, dy ditë më parë.
Dyshimet
Një dëshmitar okular ka parë Tullën t'i jetë bashkuar çiftit Leonidha Kupe,
50-vjeçar si dhe gruas së tij Bukuroshe Ebeja, 42-vjeçe, gjatë rrugëtimit të tyre drejt kishës së Shën Dëllisë në malin e Melesinit. Duke iu referuar të njëjtave burime, mësohet gjithashtu se çifti kishte ndërmarrë udhëtimin e vështirë në një kohë relativisht të mirë, për t'u lutur për zgjidhjen e një problemi të tyre, ndërsa bashkë me ta ka shkuar dhe i riu që njihej në Leskovik për gjendjen e tij mendore. Mësohet se çifti ka pranuar të ketë si bashkudhëtar dhe 27-vjeçarin dhe kanë ecur së bashku, ndërsa në kthim i riu nuk ka mundur të mbarojë udhëtimin e tij. Mendohet sipas hetimeve paraprake të policisë, që një debat mes tyre gjatë udhëtimit të jetë kthyer në vrastar për 27-vjeçarin, i cili ka përfunduar në humnerë. Policia si dhe prindërit e djalit mendojnë se bashkëshortët e kanë vrarë atë qëllimisht, duke e hedhur në humnerë, ndërsa gjithçka pritet të zbardhet në vazhdim.
Dëshmitë kontradiktore të bashkëshortëve
Leonidha Kupe dhe gruaja e tij Bukuroshe Ebeja kanë përfunduar në prangat e policisë kolonjare mesditën e djeshme. Çifti besimtar që bën një jetë të vështirë ekonomike pas arrestimit nuk ka pranuar të kenë qenë së bashku me viktimën, ndërsa vetëm kur iu është bërë e ditur se një dëshmitar okular i ka parë ata së bashku, kanë nisur të flasin. Fillimisht dy bashkëshortët, të cilët kanë dhënë deklarata kontradiktore në dëshmitë e tyre kanë pranuar që 27-vjeçari iu është bashkuar jashtë vullnetit të tyre në udhëtimin që ata do të kryenin drejt kishës së Shën Dëllisë, fare pak kilometra larg shtetit fqinj Greqi. Ndërkohë që rrëfimet e tyre për vdekjen e tij janë të ndryshme. Njëherë bashkëshortët kanë deklaruar se kanë shkuar së bashku në kishë dhe në zbritje ka ndodhur rrëshqitja e djalit në humnerë, kurse në një tjetër dëshmi kanë pohuar të kundërtën, duke pretenduar se ai ka rënë vetë në mënyrë aksidentale kur ishin duke iu afruar kishës. Policia është duke hetuar ngjarjen, ndërsa mendon se edhe vetë çifti mund të ketë probleme serioze mendore, ndaj të cilëve do të ketë një kontroll të specializuar mjekësor. Dy të arrestuarit akuzohen për "vrasje në bashkëpunim", ndonëse nuk e kanë pranuar asnjëherë atë. Policia e Kolonjës në bashkëpunim me zyrën e krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë në Korçë është duke zbardhur të gjithë ngjarjen, ndërsa dyshonse një grindje për motive të paqarta të ketë çuar në vrasjen e të riut, duke e hedhur atë në një humnerë të thellë prej 50 metrash.