E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hudënisht, banorët protestë për tokat

 Banorët e fshatit Piskupat bllokojnë rrugën nacionale. Komuna: Premtojmë zgjidhje
Pogradec-Banorët e fshatit Piskupat bllokuan dje rrugën nacionale në shenjë proteste për shpërndarjen, sipas tyre të padrejtë të tokave. Protesta nisi në orën 09.00 të paradites së djeshme, kur banorët bllokuan rrugës që të shpie për në Tiranë. Ka qenë ndërhyrja e policisë, e cila ka bërë zhbllokimin e rrugës dhe më pas ka shpërndarë protestuesit. Kryetari i komunës, së Hudënishtit, Nexhmi Dokollari, ka pranuar se banorët kanë plotësisht të drejtë dhe u ka premtuar atyre se problemi i tokave do të zgjidhet shumë shpejt duke zbatuar ligjin 7501. "Ne kemi tapitë e vjetra, që jemi pronarë të tokës, por nuk marrim dot çertifikata pronësie nga zyra e kadastrës",- ka thënë njëri nga protestuesit dhe organizator i protestës, Xhemal Likollari. Mësohet se nga drejtuesit e kaluar, ish- kryepleqtë e këtij fshati është abuzuar, duke u ndarë tokat e tyre të tjerëve, por sipas Dokollarit, në bazë të ligjit 7501, do t'u ndahen tokat fshatarëve, ashtu si u takon. Ish- kryeplaku i këtij fshati Rruzhdi Selko, thotë se rindarja e tokave sjell mbivendosje, pasi sipas tij, fshatarë të tjerë kanë marrë certifikata pronësie për këto toka, që pretendojnë protestuesit, prandaj gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Banorët kanë lënë një afat kohor prej 10 ditësh, deri në zgjidhjen e këtij problemi më pas kanë kërcënuar me përshkallëzim të protestave, deri në zgjidhjen e plotë, duke u pajisur me certifikata pronësie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›