E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 7-vjeçares në Përmet, Tavo shkarkon drejtorin e spitalit

Përmet- Pas skandalit të vdekjes së një 7-vjeçareje në spitalin e Përmetit ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo ka firmosur shkarkimin e kreut të këtij spitali dhe ka paralajmëruar për largim nga puna mjekun pediatër Fadil Pashollari.

Zëdhënsja e ministrisë, Alisa Demollari tha në një deklaratë për shtyp:

Mbi konkluzionet e analizave të bëra për rastin në fjalë u evidentua se nuk është respektuar sistemi i referimit të pacientit për raste të tilla të rënda, të cilat për mungesë të kapaciteteve të spitaleve të distrikteve duhet të referohen menjëherë në spitalet rajonale, duke njoftuar njëkohësisht drejtoritë respektive të MSH. Për këtë arsye, Ministri i Shëndetësisë ka urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të drejtorit të spitalit të Përmetit, Dhimitër Nasi.
Ndërkohë, pas verifikimit të kartelës klinike të fëmijës, për mangësitë e vërejtura në përshkrimin e ndjekjes së rastit, ministri Tavo urdhëroi vërejtje për paralajmërim largim nga puna të mjekut pediatër, dhe, në pritje të rezultateve përfundimtare të analizave laboratorike dhe hetimit klinik të kartelës do të ndërmerren masa të mëtejshme, në mënyrë që të përmirësohet puna në spitalin e Përmetit dhe në të gjithë vendin, duke parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla”,-tha Demollari teksa tha se e hetimit epidemiologjik pritet të dalin ditën e hënë (20 gusht).

7-vjeçarja Era Beollari humbi jetën dy ditë më parë në spitalin e Përmetit, ndërkohë që familjarët pretendojnë se vdekja e vogëlushës ka ardhur nga mjekimi i pakujdesshëm i mjekëve. Burime nga Spitali i Përmetit bëjnë me dije se e mitura ka mbërritur në repartin e urgjencës rreth orës 04:00 të së hënës, në gjendje shumë të rëndë.

Mësohet se mjeku i urgjencës i ka dhënë serum 7-vjeçares, pasi ka parë gjendjen e saj të dehidratuar. Po të njëjtat burime thonë se gjatë gjithë ditës së hënë, vogëlushja ka qenë me të vjella të vazhdueshme, ndaj mjekët kanë vendosur që ta dërgojnë atë për në Tiranë.

Rreth orës 21:30, vajza është nisur me një ambulancë për në drejtim të kryeqytetit, por 10 minuta larg qytetit të Përmetit ajo ka ndërruar jetë. Humbja e fëmijës ka tronditur familjarët, të cilët kanë deklaruar se nuk i është bërë mjekimi i duhur.

Madje, ata kanë pretenduar se vajzës i është dhënë valium për të fjetur gjatë ditës. I kontaktuar, drejtori i Spitalit të Përmetit pohoi se 7-vjeçarja humbi jetën si pasojë e një helmimi të rëndë.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›