E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Dritan Hoxhes, ngushëllime nga Kosova

Personalitete të jetës politike në Kosovë kanë bërë homazhe në zyrat e "Top Channel" në Prishtinë, pas ndarjes nga jeta të Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha. Ndër ta, kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, me gjithë stafin e tij shprehu ngushëllime të thella për humbjen dhe dha konsiderata të larta për "Top Channel". Po kështu, Trupat Mbrojtëse të Kosovës, në emër të komandantit të tyre, bënë homazhe para fotografisë së Presidentit të "Top Media"-s, Dritan Hoxha, duke i shprehur ngushëllime familjes dhe televizionit "Top Channel". Të njëjtin nderim shprehu edhe zëvendëskomisari i policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti. Edhe shumë qytetarë nga Prishtina shprehën ngushëllime dhe bënë homazhe për këtë humbje të madhe.

Homazhet për të nderuar Presidentin e ndjerë të "Top Media"-s janë mbyllur dje pasdite, në orën 18.00. Drejtuesit dhe punonjësit e kompanisë mediatike që krijoi Dritan Hoxha, janë ndarë për herë të fundit në kompaninë që krijoi dhe e ngriti në një gjigant mediatik. Ka qenë një moment i thellë dhimbjeje dhe trishtimi. Më pas, arkivoli me trupin e pajetë të Presidentit të "Top Media"-s është përcjellë pranë familjes. Sot paradite në orën 11.00, zhvillohet ceremonia e varrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›