E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Gadafit familja i drejtohet Hages

Familja Gadafi kërkon drejtësi një javë pas vdekjes së ish-kolonelit që drejtoi me regjimin e tij Libinë për 43 vjet. Familjarët kanë vendosur t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë  për krime luftë. "Helikopterët e NATO-s qëlluan mbi autokolonën e Gedafit, ndonëse ky i fundit nuk përbënte kërcënim për popullsinë. Ishte një vrasje e programuar”, shpjegon avokati francez i familjes Gadafi, Marcel Ceccaldi.

E ndërsa ndizen polemikat mbi vrasjen e ish-kolonelit, Këshilli i Tranzicionit nuk ka bërë ende të ditura rezultatet e autopsisë së kolonelit, megjithëse publikoi video të varrimit të tij një një vend të  fshehtë në shkretëtirën e Libisë. Sipas versionit zyrtar, Gadafi ka humbur jetën për shkak të shkëmbimit të zjarrit në momentin e kapjes, ndërsa videot amatore të publikuara hedhin dyshime të forta lidhur me një ekzekutim të mundshëm.

“I plagosur gjatë bombardimit të helikopterëve, Gadafi është lënë në kushte makabre nga përfaqësuesit barbarë të Këshillit të Tranzitor”, deklaron përfaqësuesi ligjor i familjes. Nga Libia ka thyer heshtjen edhe Saif al-Islam Gadafi, djali i dytë i ish-liderit. Vendndodhja e tij është ende mister, ndërsa thuhet se është larguar nga Sirte pas vrasjes së të atit dhe të vëllait. Në disa faqe interneti është shfaqur një letër që mban firmën e tij, ku Saif premton hakmarrje për vrasjen e të atit.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›