Kreusa dhe dilemat e Eneut
Ridvan DIBRA
Afërdita iu shfaq Eneut krejt papritur (nuk ishte tamam prani fizike, por as fantazmë jo) dhe i pëshpëriti në vesh që të largohej sa më parë, se përndryshe kishte për ta pësuar keq. Troja kishte rënë përfundimisht në duart e grekëve, të cilët digjnin, dhunonin e plaçkisnin gjithçka. Eneu ngurroi për pak çaste, por shpejt e kuptoi se po të rrinte aty, edhe ai me gjithë familjen do të bëheshin pré e atij dhunimi mizor. Vendosi menjëherë që edhe kësaj radhe t’i bindej këshillës së nënës (më shumë se këshillë, kishte qenë urdhër), ashtu siç kishte bërë edhe në të gjitha rastet e tjera. Pranë kishte babën, Ankizin, djalin, Askanjin, dhe pak më tej të shoqen, Kreusën. Të tre vështirë se do të mund të dilnin jashtë qytetit, pa ndihmën e tij.
“Shpejt, nxito. Çdo çast i humbur mund të të kushtojë shtrenjtë”, tha Afërdita dhe u zhduk s’di se ku menjëherë, po aq rrufeshëm siç edhe ishte shfaqur. Eneu ndoqi me shikim fjollën e dritës që e ëma la pas (i bindur se për kaq pak kohë të humbur – nëse mund të quheshin të tillë ato dy-tri çaste – nëna Afërditë nuk do ta qortonte) dhe mblodhi rreth vetes të tijtë.
Ankizi dukej më i tremburi dhe më i lodhuri. Thua se brenda një nate qe plakur dhjetë vjet njëherësh. Gjestet i kishte të ngathëta, kurse shikimet lutëse. Asgjë prej princi nuk kishte mbetur tek ai. Eneu ndjeu Mëshirë për të atin. Askanji qe bërë i tëri sy e veshë. Nuk parandiente kurrfarë rreziku. Veçse dëshironte të shihte e të përjetonte gjithçka që po ngjiste rreth tij. I dukej se ndodhej në ndonjërën prej atyre shfaqjeve të zhurmshme, ku i ati e kishte çuar shpesh. Eneu ndjeu Dhimbsuri për të birin.
Kreusa ishte më e përhumbur se kurrë. Thua se rastësisht ndodhej aty. Qe mbështjellë e tëra me një vel të padepërtueshëm indiference e mospërfilljeje. Dukej e painteresuar për gjithçka që po ndodhte përreth. Megjithatë, përsëri ishte shumë e bukur. Eneu ndjeu DASHURI për të shoqen.
Një tra gjysmë i djegur u shkëput që sipër dhe ra me zhurmë mu para këmbëve të Eneut, duke i kujtuar se rreziku po afrohej gjithnjë e më shumë. Nuk kishte më kohë për të humbur. Duhej të vepronte. Të merrte të tijtë dhe të largohej. Për dore do t’i merrte. Me njërën dorë djalin, me tjetrën gruan. Po babën? Atëherë me njërën dorë babën dhe me tjetrën djalin. Po gruan? Po sikur me njërën dorë të merrte babën dhe me tjetrën gruan? Po djalin?
Në djall të gjitha, tha Eneu me vete, nuk kam tri duar, por vetëm dy. Mandej pështyu mbi traun që digjej me zhurmë mu para këmbëve të tij. Pështyma avulloi në çast. Eneu ndihej bosh përbrenda, krejt i paaftë për të marrë një vendim. Zallamahia përreth kishte arritur kulmin: grahma, rënkime, vaje, ulërima. Papritur, Eneut i feksi një ide: po sikur ta mbante në shpinë, mbi shpatulla, njërin prej të tijve? Për dy të tjerët, mandej, do ta kishte krejt të lehtë. Në secilën dorë njërin prej tyre.
“Mrekulli! Eureka!”, thirri Eneu me zë të lartë. Ankizi i hodhi të birit një shikim plot shpresë e përulësi. Askanji rrahu shuplakat, siç bënte përherë në përfundim të shfaqjeve. Kreusa as që ia hodhi sytë të shoqit.
“Njëri prej jush do të hipë mbi shpatullat e mia”, tha Eneu dhe u ul në gjunjë. Ankizi bëri një hap para. Askanji bëri një hap prapa, për të ndjekur më mirë një dyluftim që po zhvillohej pak më tej. Kreusa ndenji në vend.
“Hë pra, kush do të hipë mbi shpinën time?”, pyeti Eneu me padurim: një shigjetë i kishte fërshëllyer mu pranë veshit të majtë.
Ankizi bëri edhe një hap tjetër përpara. Askanji u largua edhe më, për të qenë sa më pranë dyluftimit. Kreusa përsëri nuk lëvizi.
Djalli ju marrtë të gjithëve, tha Eneu me vete, ndërsa vazhdonte të rrinte në gjunjë. Baba duhet marrë mbi shpinë. E meriton. Është më plaku, më i tremburi dhe më i lodhuri. Por jo vetëm kaq. Ai më ka rritur dhe më ka dashur. Thua vërtet më ka dashur aq shumë sa kujtoj? Mos duhet ta harroj se ime ëmë, Afërdita, ka qenë gjithçka për të? Ndoshta në shërbim të kësaj dashurie ka qenë edhe dashuria e tij për mua. Por, sidoqoftë, ai është im atë dhe duhet nderuar. Mandej, ç’kishin për të thënë të tjerët, nëse do të mbaja mbi shpinë djalin apo gruan, ndërsa babën për dore? Kishin për të më sharë e për të më përbuzuur të gjithë. La babën në këmbë, kurse gruan e mori në shpinë, kishin për të thënë të gjithë. Nuk do të kem fytyrë t’u dal njerëzve përpara.
“Hajde, baba, hip!”, tha Eneu me zë të butë. Ankizi hodhi me mundim njërën këmbë në qafën e të birit, mandej edhe tjetrën. Eneu u ngrit në këmbë. Ankizi për pak u rrëzua. Dridhej i tëri. Me zë të mekur tha:
“Më ruaj, biri im!”
“Mbaju, baba! Mbaju fort pas qafës sime”, tha Eneu.
“Nuk mundem, biri im. Jam plak. Jam i lodhur. Kam nevojë të më mbash edhe ti. Me njërën dorë, të paktën.”
“E pamundur, baba. Duart duhet t’i kem të lira. Kam për të mbajtur edhe djalin, edhe gruan.”
“Po unë jam babai yt, biri im. Të kam bërë kokën, të kam rritur.”
“Prandaj dhe po të mbaj mbi shpinë, baba.”
“Duhet të më japësh edhe dorën!”
“Duart më duhen...”
“...duhet...”
Një teh shpate vetëtiu mu para syve të tyre. Eneu u shmang në kohë. Ankizi aty sipër dridhej si thupra. Eneu ngriti lart dorën e djathtë dhe përfshiu belin e hollë të të atit. Me dorën e majtë afroi pranë vetes Askanjin. Kurse Kreusës, pa guxuar ta shohë në sy, i tha:
“Ti na ndiq pas. Rri sa më pranë që të mos humbasësh.”
Edhe Eneu me të tijtë u nis.
Kur u ndodh larg Trojës së shkrumbosur, domethënë larg rrezikut, dhe pasi kërkoi e thirri për shumë kohë, e kuptoi se ajo së cilës i ishte trembur aq shumë, kishte ndodhur: Kreusën e kishte humbur. Atëherë Eneu u ul në breg të detit dhe para syve të çmeritur të të atit, për herë të parë në jetën e tij, qau si fëmijë.
“Nuk ia vlen të bësh kështu për një femër”, tha Akizi. “Bota është e mbushur me to.”
“Por jo me Kreusa”, u përgjigj Eneu mes dënesjeve.
Ndërsa Askanji ndiqte i mrekulluar një çift delfinësh, që lodronin përmbi ujëra.
Pendimi i Araknas
Nami i Araknas si endëse e pashoqe kishte marrë dhenë tashmë. Rrallë gjeje shtëpi e pallat në Lidia, ku të mos kishte pëlhura të mrekullueshme, të thurura mjeshtërisht prej saj. Modele të larmishme e variacione nga më fantastiket, fryt i dy duarve të magjishme dhe i një mendjeje të guximshme. Kurrë s’qe ndier më e lumtur Arakna: jetonte mes të mirash dhe shijonte adhurimin e të tjerëve. Më parë, as që e kishte çuar nëpër mend se fama do t’i siguronte privilegje kaq të shumta.
Tamam në njërën prej këtyre ditëve (jetonte në një gjendje të plotë dehjeje e vetëbesimi), guxoi dhe ftoi për garë vetë Atenën, pikërisht atë prej së cilës e kishtë mësuar mjeshtërinë e endjes. “Ju ftoj për një garë të hapur, Zonja ime, - thoshte mes të tjerave ftesa e saj. - Cila prej ne të dyjave end më bukur dhe më mirë një pëlhurë.” Dhe si për ta bërë edhe më të plotë sfidën, kishte shtuar: “Motivet e endjes mund t’i zgjidhni ju vetë, Zonjë e nderuar.”
Ashtu siç dhe pritej, Atena u ndje e fyer si rrallëherë më parë dhe në çast vendosi t’i përgjigjej sfidës.
“Do t’i endim Perënditë e Olimpit në pëlhurat tona”, tha Ajo me ton të vrazhdë, pa ia hedhur sytë nxënëses mosmirënjohëse. “Le të bëhet si thoni ju, Zonja ime”, tha Arakna me zë të ulët. Dukej e penduar për ftesën, por tashmë ishte vonë të tërhiqej.
Ia kthyen shpinat njëra-tjetrës dhe filluan menjëherë nga puna. Në heshtje. Pa shkëmbyer asnjë fjalë. Vetëm zhurma e vegjëve dëgjohej. Në fund të punës, Atena tregoi e para pëlhurën e saj. Në të Perënditë e Olimpit ishin krenare, dinjitoze e madhështore. Më pas, i erdhi radha Araknas të tregonte pëlhurën e saj. Në të Perënditë e Olimpit ishin të thjeshta, të zakonshme, të dashuruara. Tamam Njerëz.
Në çast Atena pati një turbullim të pazakontë brenda vetes. Ndihej e zemëruar dhe e prekur në sedër. E zemëruar, sepse Perënditë ishin endur me shumë vërtetësi ( i njihte edhe më mirë se veten, ngaqë prej kohësh ishte këshilltarja e Tyre); e prekur në sedër, sepse pëlhura e endur nga Arakna ishte shumë më e bukur se e saj.
Tamam Atena ulëriu si bishë e zënë në çark dhe rrëmbeu me forcë pëlhurën e Araknas. Arakna deshi ta mbronte punën e saj (ishte, padyshim, pëlhura më e bukur që kishte endur deri më tash.), por qe e kotë: thonjtë e gjatë e të fortë të Atenës, të ndihmuar jo pak edhe prej urrejtjes e tërbimit, e bënë copë e çikë atë.
“Përse u sollët kështu, Zonja ime?”, tha Arakna dhe s’i mbajti lotët.
Atena, që s’denjoi as t’i hidhte sytë nxënëses së talentuar, por tepër mosmirënjohëse, u largua me hap të shpejtë. Arakna fshiu lotët me shpinën e dorës së majtë dhe u përpoq t’i mblidhte copat e pëlhurës së grisur. Por gjithçka qe e kotë: ato ishin aq të vogla, saqë përziheshin e ngatërroheshin me gjethet që kishte shkundur era e vjeshtës. Tamam atëherë Araknas iu duk e kotë dhe e pakuptimtë gjithçka dhe vendosi të varej. Me njërin prej litarëve që kishte thurur vetë, të cilin e hodhi sipër pemës, që sapo kishte shkundur gjethet.
Ndërsa laku shtrëngohej gjithnjë e më shumë, Arakna foli me zë të shuar:
“Në djall Fama dhe Lavdia! Një mijë herë më mirë do të kishte qenë, po të kisha endur larg tyre, thjesht për qejfin tim.”
Po tashmë qe vonë për pendesë: Fatin e saj prej merimange e kishin endur të tjerët.
3 Shkurt 2009