E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e dëshmitarit të Kasharit, Alibeaj kontroll provave në dosje

TIRANE - Ministria e Drejtësisë ka ushtruar një kontroll të imtësishëm ndaj Prokurorisë së Tiranës lidhur me hetimet që janë bërë për vdekjen e dëshmitarit të vjedhjes së tokave në Kashar, Gani Kamberi. 

Një grup inspektorësh të Ministrisë së Drejtësisë kanë mbërritur në Prokurorinë e Tiranës dhe kanë kërkuar të kontaktojnë me grupin hetimor të çështjes. Pasi kanë marrë kontakt me punonjësit që po hetonin rrethanat e vdekjes së denoncuesit të skandalit të tokave në Kashar, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë kërkuar të shikojnë edhe materialet e dosjes penale. Lajmi konfirmohet nga zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Tiranës, sipas ta cilëve, kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë për dosjen e vdekjes së dëshmitarit të çështjes "Kashari", është bërë disa kohë më parë, në periudhën kur procedimi penal për humbjen e jetës së Gani Kamberit ende ishte në fazën e hetimeve. Në këtë kohë, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, siç duket të nxitur nga përplasjet Prokurori-polici për versionet e vdekjes së Gani Kamberit, kanë kërkuar të njihen me aktet e procedimit penal, të cilat, në fakt, kur dosja është në hetim klasifikohen "sekret hetimor". Për një periudhë të gjatë kohore, organi i akuzës dhe policia kanë ndarë variante të ndryshme lidhur me vdekjen e Gani Kamberit. Pak ditë pasi ai u gjet i vdekur me një plumb në kokë pranë shtëpisë së tij në Kashar, me të marrë materialet e policisë që e klasifikonin ngjarjen si vetëvrasje, Prokuroria ktheu dosjen mbrapsht në Komisariatin nr.2 të Tiranës. Organi i akuzës i kërkoi policisë të bënte hetime të plota rreth një varianti të mundshëm të vrasjes së 51-vjeçarit, që pak kohë para se të gjendej i vdekur, kishte denoncuar vjedhjen e tokave në Kashar me dokumente false nga tre ish-krerët e komunës të arrestuar për këtë skandal. Në këmbënguljen e saj për të hetuar ngjarjen, Prokuroria u bazua në faktin se disa fëmijë kishin dëgjuar dy krisma arme, pasditen e 13 tetorit 2007, kur Gani Kamberi gjeti vdekjen. Nga ana tjetër, vrima e plumbit në kokë ishte e diskutueshme, kurse gëzhojat e pistoletës nuk u gjetën pranë kufomës. Plaga ishte më e gjerë në anën e përparme të saj, ndërsa kishte një diametër më të vogël në pjesën e pasme të kokës. Sipas raportit të hartuar asokohe nga mjekët ligjorë, plaga dukej se ishte shkaktuar nga goditja e viktimës me armë zjarri nga pjesa e pasme e kokës, dhe kjo, sipas raportit të parë të autopsisë, ishte vetëvrasje e dyshimtë, pasi viktima nuk mund të qëllonte veten pas koke. Autopsia u përsërit disa muaj pas vdekjes së Gani Kamberit, kur mjekët ligjorë zhvarrosën viktimën, edhe pse Prokuroria kishte urdhëruar në vendimin e delegimit të dosjes, që kjo të bëhej "nëse shikohej e nevojshme". Një tjetër shkak që i shërbeu Prokurorisë për rikthimin e dosjes në polici, ishin deklarimet e gruas dhe djalit të Gani Kamberit, që këmbëngulnin se ai kishte marrë kërcënime, madje ishte dhunuar fizikisht pas denoncimeve që bëri në polici dhe Prokurori për vjedhjen e tokave në Kashar. Djali dhe gruaja e viktimës përmendën emra konkretë për këto konflikte, duke artikuluar se personat që kërcënonin Gani Kamberin, ishin të afërm të krerëve të komunës, që u arrestuan për vjedhjen e tokave dhe mbivendosjen e tyre me anë të falsifikimeve. Pikërisht në këtë pikë, duket se kanë qëndruar edhe inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë gjatë kontrollit të ushtruar në Prokurorinë e Tiranës. Sipas burimeve zyrtare nga kjo e fundit, punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë, gjatë kontrollit të tyre, kishin tejkaluar aspektin procedural, duke kërkuar në dosje, listën e personave me të cilët Gani Kamberi ishte konfliktuar para vdekjes. Në dosje ka pasur një raport të shërbimeve të policisë kriminale si dhe deklarimet e familjarëve të Gani Kamberit dhe disa personave të tjerë, që tregonin se denoncuesi i skandalit të vjedhjes së tokave në Kashar, ka pasur kërcënime dhe dhunime fizike nga përfituesit në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë për dhjetëra sipërfaqe toke. Gjithsesi pas ripërsëritjes së autopsisë për shkak të zhvarrimit të kufomës dhe mungesës së provave për vrasje si dhe fakteve që tregonin për vetëvrasje, në mesin e muajit gusht Prokuroria e ka mbyllur dosjen, duke arritur në përfundimin se Gani Kamberi ka qëlluar veten me armën e zjarrit, e cila për shkak të një problemi teknik të konfirmuar nga ekspertimi, ka shkrepur dy plumba ,nga të cilët vetëm njëri ka goditur viktimën.              tr.so

Ministria, vetëm kontroll procedural
Kontrolli i dosjes për vdekjen e Gani Kamberit duket se ka konsumuar një përplasje mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Burimet zyrtare nga Prokuroria thonë se, Ministria e Drejtësisë ka të drejtë të bëjë kontrollin e një procedimi penal vetëm në aspektin procedural, masa e arrestit, masa e dënimit, afatet hetimore dhe zbatimi i dispozitave penale, dhe jo të njihet me provat e dosjes që klasifikohen sekret. Edhe kontrolli procedural, sipas Prokurorisë, mund të bëhet nga ministria vetëm pas përfundimit të hetimeve dhe jo në fazën kur ato vazhdojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›