E Diel, 1 Nëntor 2026

Vuante nga veshka, i heqin gabim apendisitin

Nuk do të mund t'i mbante më në krahë 2 djemtë e saj, që nuk i ndahen për asnjë çast. 

ZIRINA LLAMBRO

Por mbi të gjitha filli i jetës do të ish këputur në moshën 23-vjeçare. Kur Matilda Ramadani mbërriti me urgjencë në spitalin "Nënë Tereza" shpresat për ta mbajtur gjallë ishin të pakta. Njëra nga veshkat e kalbëzuara tërësisht nga infeksioni, ndërsa lëngata i kish shterur edhe pikën e fundit të fuqisë. U deshën përpjekjet e mjekëve të pavijonit të urologjisë për ta rikthyer. Një operacion i vështirë që mbajti për më shumë se 3 orë në ankth jo vetëm familjarët, por edhe stafin e bluzave të bardha. Gjithçka pasojë e moskapjes në kohë të infeksionit që ishte përhapur në trup. Vetëm pas disa ditësh, Matilda do të lërë spitalin. Teksa e vizitojmë, në dhomën e saj buzëqeshja nuk i hiqet për asnjë çast nga fytyra. Gjatë gjithë kohës përqafon fëmijët. "Nuk i kam parë që prej 3 javësh dhe më ka marrë malli", thotë Matilda. Gjatë ditëve të makthit të saj, te koka i ka qëndruar i ati. I shoqi u ka dalë zot dy djemve të vegjël në Pogradec. Tani që të keqen e hodhën pas krahëve, babai i Matildës nuk nguron të tregojë kalvarin që u është dashur të kalojnë. E quan me fat e nga ana tjetër nuk heq nga goja mjekët që i shpëtuan jetën. U është mirënjohës. Sakaq, si për të bërë balancën e gjërave, na rrëfen edhe një të vërtetë tjetër. Përpara se ta sillnin në Tiranë, Matilda ishte futur edhe një herë në thikë. Por, pa qenë aspak nevoja.
Operacioni në Pogradec
"E çuam në spitalin e Pogradecit se ankohej për dhimbje të forta dhe i binte të fikët. Mjekët pas vizitës së parë na thanë se ka ftohje në krah të majtë. Dy ditë qëndroi në pavijon. Gjendja e vajzës filloi të përkeqësohej dhe kërkuam që ta vizitonin prapë", tregon i ati i Matildës. Të bijës iu bë edhe një konsultë e dytë. "Këtë herë na thanë që i ka plasur apendisiti dhe duhej të operohej. U fut urgjentisht në sallën e operacionit. E mbajtën mbi 2 orë. Kur doli mjekët na thanë se do përmirësohej, por vajza fryhej si kacek dhe ishte gjithmonë e më keq. Megjithëse më kërkuan të mos e sillja në Tiranë, u kapa me mjekun dhe s'ia vura veshin. E sollëm me urgjencë", rrëfen me nervozizëm babai i vajzës. Në gjendjen ku ndodhej e bija fillimisht ia hoqën shpresat. Matilda ishte 98% e vdekur, por në mjekësi edhe mundësia më e vogël është shpresë e madhe. Sërish në thikë. Kësaj here sepse ishte e domosdoshme.
Ndërhyrja e dytë
"Infeksioni ishte goxha i rëndë dhe kur hapëm trupin vinte një erë të tmerrshme, aq keq ishte qelbëzuar veshka. Që kur u futëm në sallë e dinim që ishte një ndërhyrje me risk të madh. Pacientja mund të vdiste në sallë, por edhe pas operacionit. Për fat të mirë ia dolëm. Njëra nga veshkat ishte jashtë funksionit plotësisht dhe duhej të hiqej. Nuk është meritë personale, është meritë e gjithë stafit. Kjo është e bukura e punës tonë të përditshme. Të shpëtosh jetën", shprehet kirurgu Flamur Tartari, i cili kryesoi ekipin e mjekëve që operuan 23-vjeçaren. Ai thekson se edhe pse ndërhyrja doli me sukses, periudha post-operatore pati jo pak probleme. "Vajza kaloi në gjendje septike pas operacionit. Në kirurgji njihen komplikacionet pas ndërhyrjes, aq më shumë kur pacientët vijnë në gjendje të rëndë. Ka gati një muaj dhe gradualisht e mori veten. Tani mund të themi se është në gjendje normale dhe, madje mund të lërë spitalin", sqaron Tartari. I pyetur për operacionin e apendisitit në Pogradec, kirurgu i vjetër thotë se në raste të tilla përcaktimi i diagnozës është i vështirë. Ai nuk do të zgjatet më shumë në këtë pikë. "E rëndësishme është që vajza është mirë. Ka dy fëmijë të vegjël dhe është shumë e re. E ka gjithë jetën përpara. Do të ishte mëkat që në ditët tona të kishim vdekje nga infeksione të tilla, që duhet të kapen në kohë. Nga sa arritëm të kuptonim, problemet me veshkat i kishte pasur të hershme, por ishin neglizhuar", thekson kirurgu.

Çdo vit 300 vetë humbin jetën
Rreth 350 raste të reja zbulohen çdo vit si të sëmurë nga veshkat. Pjesa më e madhe e tyre janë në një stad të avancuar të sëmundjes dhe kanë nevojë për trajtimin me dializë. Kjo në një kohë kur kapaciteti i këtij procesi është i kufizuar. Ndërkaq 300 persona humbin çdo vit jetën për shkak të azotemisë në veshka. Jo pak prej tyre në mungesë të trajtimit të nevojshëm dhe për shkak se e kanë kapur sëmundjen në një stad tepër të avancuar, kur nuk mund të bëhej asgjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›