E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e rojës së fabrikës, dy në pranga

Lezhë/ Pas shpërthimit, policia ka arrestuar pronarin e firmës së gurores, Ferdinand Ujkën, si dhe një nga punëtorët


LEZHË - Pas plagosjes së dy rojeve të fabrikës së çimentos, njëri prej të cilëve ndërroi jetë nga plagët e shumta të marra në kokë, policia ka vendosur arrestimin e dy personave. Kështu, në pranga janë vënë pronari i firmës "Vulkano Construction" sh.p.k., Ferdinand Ujka, si dhe punëtori Tonin Çupi.


Të dy këta persona akuzohen për kryerjen e veprës penale të "shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë". Sipas burimeve zyrtare të polisi, të hënën, në orën 19:30, në fshatin Gocaj të Lezhës, tek një gurore e kësaj firme, pranë fabrikës së re të çimentos është realizuar një plasje me lëndë plasëse i një tuneli që shërbente për nxjerrjen e materialeve inerte.


Burimet shprehen se ky shpërthim është kryer në kundërshtim me ligjet për përdorimin e lëndëve plasëse, çka ka çuar në dëmtimin e rojeve private që punonin përballë gurores, në fabrikën e çimentos. Kjo gjë ka bërë që të dëmtohet Zef Simoni, 50 vjeç, i cili ka humbur jetën në spitalin e Lezhës pavarësisht ndihmës së dhënë, ndërsa jashtë rrezikut për jetën ndodhet 55-vjeçari Pale Gjini, banor i fshatit Balldre.


Pas mbërritjes në vendngjarje u bë e ditur se shpërthimi i ndodhur në guroren që ishte pak metra sipër rrugës që të çonte për në Gjadër bëhej pa vendosur masat njoftuese për personat që kalonin aty. Ishte vendosur vetëm që shpërthimet të kryheshin pasdite kur në këtë rrugë kishte më pak lëvizje.


Por sasia e lëndës shpërthyese e përdorur duket se ka bërë që gjithçka të dalë jashtë kontrollit dhe gurët të godasin edhe rohet e fabrikës, njëri prej të cilëve ndërroi jetë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›