Përdhunohet 16-vjeçarja, denoncon në polici autorët
Policia shpall në kërkim 29-vjeçarin dhe një person tjetër ende të paidentifikuar
ELBASAN - Vetëm dy muaj pasi ishte përdhunuar një 16-vjeçare nga qyteti i Elbasanit i është drejtuar policisë për të bërë denoncimin. Vajza me banim në lagjen "28 Nëntori" ka vendosur të bëjë kallëzimin e saj pasi kishte kërkuar ndihmën e familjes. Ajo ka deklaruar se ndihej e kërcënuar nga përdhunuesi dhe për këtë arsye nuk e ka denoncuar menjëherë ngjarjen.
Kështu, dy muaj më parë, shtetasja e vitlindjes 1993 deklaron se është detyruar nga shtetasi Pirro Duka, 26 vjeç, lindur në Gjirokastër e me banim në lagjen "Syrja Dylgjeri" dhe një shok i tij, i panjohur, të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë. Vajza ishte kërcënuar për të mos treguar për atë që kishte ndodhur dhe të mos bënte denoncim. Vetëm pasi ka treguar për ngjarjen tek familjarët e saj adoleshentja është bindur për të bërë kallëzimin në polici.
Pasi është regjistruar dëshmia e vajzës, policia ka shpallur në kërkim shtetasin Pirro Duka nën akuzën e ngritur për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç. Gjithashtu nga ana e agjentëve të krimit po punohet në drejtim të identifikimit të autorit tjetër të përdhunimit.
Ndërkohë, vajza i është nënshtruar një analize mjeko-ligjore dhe po kështu i është ofruar shërbimi i psikologut. E mitura ka thënë se është mashtruar fillimisht nga dy të rinjtë, të cilët e kanë dërguar në një vend të veçuar dhe atje e kanë përdhunuar. Pritet që arrestimi i autorëve do të zbardhë më tepër detaje për këtë ngjarje.