E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata njofton Aldo Baren për gjyqin

Dje Gjykata duhej të hapte procesin ndaj kreut të bandës së Lushnjes, ndërsa kërkoi lajmërimin e të pandehurit


Pas ndarjes së dosjes nga Enver Dondollaku, Aldo Bare pritet të gjykohet i vetëm për krimet që i atribuohen për vitet '97- 2006


TIRANE- Kreu i bandës së Lushnjes, Aldo Barë, është njoftuar nëpërmjet autoriteteve diplomatike shqiptare për nisjen e procesit gjyqësor në ngarkim të tij në cilësinë e personit të akuzuar si kreu i bandës së Lushnjes.


Ndaj tij rëndojnë disa akuza që nga ato të krijimit të organizatës kriminale, vrasje me paramendim në bashkëpunim etj. Dje ndaj tij, duhej të ishtë zhvilluar edhe seanca e parë gjyqësore pas ndarjes së procesit gjyqësor të krahut të djathtë të tij, Enver Dondollakut. Kjo ka sjellë edhe ndryshimin e trupit gjykues të kësaj dosjeje, duke qenë se të mëparshmit ishin konsumuar, duke marrë gjyqtarë nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet.


Pas hapjes së seancës, kryetarja e trupit gjykues Fatmira Hajdari, ka vendosur që i pandehuri të njihet me nisjen e procesit në ngarkim të tij në Shqipëri. Kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, është njoftuar nëpërmjet diplomacisë shqiptare për procesin që do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa pritet të gjykohet në mungesë, duke qenë se në Turqi ai ndodhet i arrestuar dhe është në proces ekstradimi të kërkuar nga Shqipëria dhe Italia.


Ndërkaq, më parë se të nisë procesi ku ai akuzohet për shumë krime ai duhet të njihet me nisjen e procesit. Ndaj Bares, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, organi i akuzës ka paraqitur një dosje penale, në ngarkim të tij dhe të Dondollakut disa muaj më parë.


Pas dorëzimit të dosjes dhe hapjes së procesit Dondollaku nëpërmjet avokatit të tij në vendin tonë kërkoi ndarjen e dosjes nga ajo e atij që cilësohet kapoja e bandës së Lushnjes. Por pas nisjes së procesit, Dondollaku kërkoi ndarjen e dosjes dhe gjykimin e shkurtuar ndaj tij.


Pas kësaj kërkese, trupi gjykues pranoi veçimin e dosjes dhe pas disa seancash me gjykim të shkurtuar, Dondollaku u dënua me 25 vite burg duke i shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm. Vendimi ndaj tij u dha nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, më 12 qershor të këtij viti.


Ndërkaq, nisja e procesit nga e para ka detyruar trupin gjykues, të rinisë nga e para procedurat e procesit që kanë të bëjnë me njohjen e të pandehurit për procesin ndaj tij. Ndërkaq, seanca e ardhshme në ngarkim të Bares, pritet të nisë në muajin tetor të këtij viti, pas përfundimit të pushimeve vjetore të gjyqtarëve në vend.


Pjesë nga kërkesa e Prokurorisë


Prokuroria për Krime të Rënda në datë 7 shkurt 2006, ka regjistruar procedimin penal me nr.15.
Ky procedim penal është regjistruar në emër të shtetasve Aldo Bare (me emër të ndryshuar nga Alfred Shkurti) dhe Enver Dondollaku e bashkëpunëtorëve të tyre që ndodhen për gjykim tashmë...


Në muajin korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi Ramadan Shkurti, i vëllai i të pandehurit Alfred Shkurti me emër të ndryshuar Aldo Bare. Në këtë datë i pandehuri Aldo Bare, së bashku me shtetasit Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyl Rabija janë nisur me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej shtetasi Artur Daja. Kur janë afruar disa metra, i pandehuri Aldo Bare, së bashku me personat e tjerë të ndodhur në automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja.


Pas fillimit të goditjes edhe nga ana e lokalit kanë filluar të qëllojnë në drejtim të automjetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur shtetasi Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Në verandën e lokalit nën shoqërimin e shtetasit Artur Daja ndodheshin familjarë të tij, shtetasi Gramoz Selmani etj.


Pas shkëmbimit të zjarrit, i pandehuri Aldo Bare së bashku me shtetasin e plagosur aty Enver Rabija, janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, duke vazhduar të qëllonin herë pas here në drejtim të lokalit.


Në vendngjarje, dhe pikërisht në automjet mbetën të plagosur shtetasi Ramadan Shkurti (vëllai i të pandehurit Aldo Bare), dhe Bardhyl Rabija. Nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i plagosur shtetasi Artur Daja, i cili afrohet ne automjetin ku ndodheshin shtetasit Bardhyl Rabija dhe Ramadan Shkurti, i qëllon me armë zjarri duke iu shkaktuar vdekjen.


Vrasja e Artur Dajës


Ndërmjet shtetasit Artur Daja dhe te pandehurit Aldo Bare ka filluar një konflikt që nga viti 1996. Për vrasjen e vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare ka akuzuar shtetasin Artur Daja. Per këtë arsye së bashku me grupin e tij, i pandehuri Aldo Bare ka tentuar disa herë për të vrarë shtetasin Artur Daja.


Pas vrasjes të vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare, me qëllim hakmarrrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afermeve të tij, krijoi të ashtuquajturën "Banda e Lushnjes". Fillimisht në këtë grup u mblodhën të pandehurit Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare dhe vëllait te tij Ramadan Shkurtit, të vrarë.


Pikërisht në këtë periudhë, më datë 03 gusht1997 ne qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Në hyrje te qytetit te Lushnjës viktima së bashku me familjarë të tij janë ndaluar nga kater persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stërgu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen.


Ndërkohë i pandehuri Arben Boriçi i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes është afruar me shpejtësi dhe në autoveturë kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar,- thuhet në kërkesën e prokurorisë dërguar gjykim në Gjykatën Krimeve të Rënda në ngarkim të Bandës së Lushnjes.



D. B
Akuzat ndaj Bares


Aldo Bare, akuzuar për kryerjen e veprave penale të : "Vrasjes me paramendim" të shtetasit Genci Kashari, Xhevat Demiri, Nimet Zenelit, Masar Aliu,
"Vrasjes me paramendim" të mbetur në tentativë të shtetasit Artur Daja, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu,
"Mbajtjes pa leje të armëve luftarake",
"Shkatërrimit të pronës me zjarr" të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu,
"Krijimit te Organizates kriminale"; të "Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale"
Enver Dondollaku dënohet me 25 vjet burg
Akuzat ndaj Dondollakut
Dondollaku ka urdhëruar Petrit Liçin dhe Maksim Çelën për të goditur me eksploziv ish-shefin e komisariatit të Lushnjës Sinan Meta, më 25 mars 2000
Enver Dondollaku, Leonard Prifti, Maksim Çela dhe i vrari Gentian Kulla kanë vrarë ish-inspektorin e Krimeve të komisariatit Lushnjë, Klenti Bano, më 14 prill 2000
Dondollaku ka urdhëruar Dritan Vilën për të vrarë Nosh Gjolajn më 19 prill 2001
Dondollaku ka urdhëruar Dritan Vilën për të vrarë Bernard Lintopin, më 16 prill 2002
Dondollaku ka urdhëruar Dritan Vilën për të vrarë Alfred Pirrën, më 23 prill 2002
Drejtim, organizim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›