E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim nëna e 5 fëmijëve, kultivoi hashash

03/09/2009  Arrestohet bashkëshorti, u gjetën në pronën e çiftit dhjetëra rrënjë

DURRES- Është shpallur në kërkim nga policia e Durrësit nëna e pesë fëmijëve Vojsava Murati. 37-vjeçarja e lindur në Zall Cudhi dhe banuese në fshatin Noje të kësaj komune është akuzuar së bashku me bashkëshortin e saj për kultivim të bimëve narkotike. Një ditë më parë policia ka organizuar në fshatin e thellë të komunës Cudhi operacionin e koduar “Kopshti i shkretë” në vijim të asgjësimit të parcelave të mbjellë me bimën e ndaluar. Në pyllin e dendur është prerë dhe janë djegur dhjetëra rrënjë të gjetura në një parcelë pa pronarë dhe më pas policia ka nisur të zbresë faqen e malit për të ushtruar kontroll në parcelat afër fshatit. Sipas policisë, në pronën e shtetasit SH. M janë gjetur sasi të tjera bime cannabis sativa dhe kjo ka bërë që efektivat e policisë të ushtrojnë edhe kontroll në banesë. Në një nga dhomat e shtëpisë së 38-vjeçarit janë gjetur të tjera bimë narkotike dhe në të tilla rrethana është arrestuar edhe kryefamiljari SH. M, kurse gruaja e tij është shpallur në kërkim. Policia ka pohuar se afro 50 m larg nga shtëpia e çiftit krutan janë gjetur edhe 98 rrënjë cannabis sativa dhe kjo ka bindur uniformat blu se kjo familje kishte kultivuar bimën e ndaluar. Nëna e 5 fëmijëve, V. M është larguar nga banesa, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim. Sekuestrimi i afro 230 rrënjë bimë të llojit cannabis sativa në shtëpi dhe afër shtëpisë së 38-vjeçarit i ka vënë burrë e grua nën akuzën e kultivimit dhe të prodhimit e shitjes së bimës narkotike. Të gjitha komunat e bashkitë e nënprefekturës së Krujës, fshatrat e saj të thellë, parcela me pronarë e pa pronarë si dhe fshatrat skajor të Durrësit në dy muajt e fundit janë bërë objekt i operacioneve të pandërprera për gjetjen dhe asgjësimin e parcelave me cannabis.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›