E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Mjaft!", protestë ndaj përgjimeve

Lëvizja "Mjaft!" protestoi dje para Kryeministrisë kundër projektligjit "Për përgjimet telefonike", ende në fazë diskutimi në komisionet kuvendore. Protestuesit mbanin në duar një parullë ku shkruhej: "Saligrad: Muret kanë veshë dhe veshët mure!". Projektligji në fjalë, përveçse i jep atribute Policisë Gjyqësore, mbi të gjitha i jep kompetenca përgjuese një strukture brenda Ministrisë së Financave, e cila ka të drejtë të përgjojë telefonata me justifikim luftën kundër korrupsionit. Pas miratimit të një lejeje krejt formale nga Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Financave në kundërshtim të plotë me Ligjin Nr. 9157 të vitit 2003 ka të drejtë të përgjojë biseda telefonike. Sipas këtij ndryshimi, kjo ministri përveç se tejkalon kompetencat e saj, operon në kundërshtim me ligjin e përmendur më lart. Kësaj strukture i jepet e drejta të veprojë mbi baza të dyshimit të arsyeshëm dhe jo mbi bazë të modaliteteve të përcaktuara me ligj. Kjo i bën strukturat që operojnë nën ombrellën e kësaj ministrie, një rrezik publik për demokracinë e vendit, jetën private të qytetarëve, si dhe shton paranojën dhe nënshtrimin ndaj sistemit. Lëvizja "Mjaft!" beson se jeta private dhe mosndërhyrja në komunikimet personale, pa prova konkrete, është një e drejtë e pamohueshme e çdo qytetari të një vendi demokratik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›