Rama: Duhet shtet i paanshëm, që nuk është as i PS as i PD
Jorgjeta Gjançi
“Kemi nevojë për një politikë të re që do bashkojë shqiptarët dhe jo t’i ndajë në të majtë dhe të djathtë”. Me këto fjalë ka vazhduar turin e tij me Rrjetin e Vullnetarëve në qytetin e Kolonjës dhe të Korçës kryetari socialist Edi Rama. “Njerëzve u duhet një shtet i paanshëm që nuk është as i socialistëve, as i demokratëve, po i çdo qytetari e qytetareje, pavarësisht përkatësisë partiake apo ngjyrës së pushtetit të radhës. Kurse politika e vjetër ka 18 vjet që e lëkund ngrehinën e shtetit sa majtas djathtas, duke mos e lënë as Shqipërinë të organizohet mbarësisht në një formë moderne demokratike dhe duke mos i lënë shqiptarët të shërbehen cilësisht nga shteti i tyre”, u shpreh Rama në takimin me anëtarë dhe simpatizantë të PS-së në qytetin e Kolonjës. Sipas tij, pas 28 qershorit shqiptarët do të lenë pas politikën e vjetër të zanatçinjve. “126 ditë nga sot, ne do t’i hapim rrugë ëndrrës evropiane të marrë peng nga politika e vjetër e zanatçinjve të urrejtjes e të dasive mes njerëzve të pafajshëm e papushtetshëm, që prej 18 vjetësh përçahen e sundohen, herë në emër të së majtës, e herë në emër të së djathtës, nga një grusht fajtorësh të pushtetshëm. Më 28 qershor shumica e papushtetshme do ta çlirojë nga litarët e interesave të pakicës së pushtetshme ëndrrën evropiane të lirisë, barazisë, e vëllazërimit”, tha Rama. Kreu socialist dhe të pranishmit e shumtë në këtë takim kanë sfiduar të ftohtin e madh të këtyre ditëve dhe kanë bashkëbiseduar mes tyre. Rama përmes fjalës së tij ka shpjeguar filozofinë e re të socialistëve, të cilët kërkojnë të marrin në dorë fatet e vendit. “Dua të përsëris qartë sot se një fitore falë mënyrës së vjetër të të marrurit vesh, mes zanatçinjsh të pazarit politik, juve nuk ju intereson. As mua. Një bashkim për të zgjidhur poste për politikanët dhe lënë pa zgjidhur halle për njerëzit, juve nuk ju intereson. As mua. Sepse pasojat që ky lloj bashkimi sjell për vendin e për secilin prej jush, janë po ato që shohim përtej 18 vitesh. Njerëzve, atyre milionave pa pushtet, që duan punë, rrugë, shpresë, nuk u intereson pushteti, por rezultatet e qeverisjes”, tha Rama.