Qeveria legalizohen trojet turistike
adi shkembi
Qeveria ndryshon procedurat për legalizimin e trojeve turistike. Përmes një drafti që po diskutohet ende në Ministrinë e Drejtësisë dhe që pritet të kalojë në Këshillin e Ministrave brenda një kohe të shkurtër, Ministria e Turizmit dhe Kulturës do të verifikojë të gjitha ndërtimet në fshatrat turistikë, të cilët pasi janë ndërtuar nuk kanë shërbyer për turizëm, por janë shitur. Gazeta zbardh draftin me 21 nene, i cili i jep të drejtën personave që kanë blerë ndërtimin të blejnë përmes një procedure të përcaktuar në ligj edhe truallin në fshatin turistik. Në rast të kundërt, nëse refuzohet blerja e truallit, pronari humbet përgjithmonë të drejtën për ta blerë atë pronë. Ndërsa fondi i dalë nga shitja e trojeve kalon për kompensimin e ish-pronarëve.
Çregjistrimi
Një Komision i Posaçëm do të ngrihet pranë Ministrisë së Turizmit dhe do të jetë autoriteti përgjegjës për realizimin e procedurave të inventarizimit deri në kalimin e pronësisë së truallit mbi të cilin është ngritur njësia e ndërtimit, nga pronari shtet tek subjekti i interesuar. Sipas draftit parashikohet përcaktimi i procedurave të çregjistrimit të objekteve të regjistruara pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. “Në këtë fazë Komisioni i Posaçëm vepron nëpërmjet njoftimit publik të shfuqizimit të kontratave me zhvilluesit. Është e domosdoshme që të bëhet dhe çregjistrimi i shitjeve jo të ligjshme, në mënyrë që t’i hapet rrugë zgjidhjes definitive të problemit, pasi vetëm në këtë mënyrë evitohen problemet që mund të lindin në rast të refuzimit të subjekteve për të blerë truallin e ofruar nga ky ligj”, thuhet në relacionin e këtij drafti. Më konkretisht, pas inventarizimit të të gjitha ndërtimeve në fshatrat turistikë ku është shkelur ligji, kur komisioni vëren se zhvilluesi ka kryer veprimtarinë stimuluese në kundërshtim me kontratën e qirasë, i propozon ministrit përgjegjës për çështjet e turizmit zgjidhjen e kontratës së qirasë. “Njësitë e ndërtimit që janë regjistruar në favor të subjekteve të interesuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, konsiderohen të kundërligjshme. Në këtë rast, Komisioni i Posaçëm i propozon ministrit përgjegjës për çështjet e turizmit të kërkojë çregjistrimin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të këtyre njësive të ndërtimit”, thuhet në nenin 11.
Blerja e truallit
Pas inventarizimit dhe çregjistrimit për të gjitha rastet që janë në kundërshtim me ligjin, subjektet e interesuara dhe që paraqesin një sërë dokumentesh ku vërtetohet kontrata noteriale për kalimin e pronës, kanë të drejtë të kërkojnë blerjen e truallit. “Ministri përgjegjës për çështjet e turizmit urdhëron Komisionin e Posaçëm të hartojë kontratën e shit-blerjes, në emër të tij për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësisë së ndërtimit brenda zonës së stimuluar. Kontrata e shit-blerjes lidhet pasi bëhet pagesa e plotë e truallit të njësisë të ndërtimit”, thuhet në pikën 1 të nenit 13 të këtij drafti. Sipas relacionit “nga ana tjetër projektligji parashikon masa ‘shtrënguese’ në rast se refuzohet oferta e blerjes së truallit, duke bërë që subjektit të interesuar t’i humbë e drejta e fitimit të pronësisë mbi truallin pas kësaj mundësie të ofruar”. Vlera e truallit do të përcaktohet me hartat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Komisioni i Posaçëm redukton në masën 10% shumën e çmimit të truallit nëse subjekti bën pagesën brenda 3 muajve nga momenti i njoftimit publik dhe me 30% nëse pagesa bëhet brenda një muaji. “Të ardhurat e realizuara nga arkëtimi i shitjes së truallit brenda zonës së stimuluar, pa pretendime nga ish-pronarë, llogariten si fond i veçantë për kompensimin e ish- pronarëve”, thuhet në draft.
Kërkesat e sindikalistëve
Neni 9
Inventarizmi i njësive të banimit
1. Komisioni i Posaçëm, mbi të dhënat e verifikimeve dhe planit të rilevimit bën inventarizimin përfundimtar të njësive të ndërtimit brenda zonës së stimuluar.
2. Mënyra të detajuara për identifikimit e të dhënave dhe inventarizimit të njësive të ndërtimit mbi trojet brenda zonës së stimuluar, mund të caktohet me Udhëzim të Ministrit përgjegjës të çështjes së turizmit.
Neni 10
Prishja e kontratës së qirasë
Kur Komisioni i Posaçëm, në përfundim të procesit të përmendur në pikën 3 të nenit 8, të këtij ligji, konstaton që zhvilluesi ka kryer veprimtarinë stimuluese në kundërshtim me kontratën e qirasë, i propozon ministrit përgjegjës për çështjet e turizmit zgjidhjen e kontratës së qerasë, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil.
Neni 12
Blerja e truallit të njësisë së ndërtimi
1. Subjektet e interesuar kanë të drejtë të kërkojnë blerjen e truallit të njësisë së ndërtimit, të cilin e disponojnë mbi bazën e dokumenteve të paraqitura në përputhje me nenet 6 dhe 7, të këtij ligji.
2. Trualli i njësisë së ndërtimit brenda zonës së stimuluar do t’i shitet subjekteve të interesuara duke garantuar ndarjen proporcionale të çmimit të truallit në raport me sipërfaqen e truallit të përdorur në mënyrë individuale.
Neni 13
Procedura e kalimit të së drejtës së pronësisë të truallit dhe njësisë së banimit
1. Ministri përgjegjës për çështjet e turizmit urdhëron Komisionin e Posaçëm të hartojë kontratën e shit-blerjes, në emër të tij për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësisë së ndërtimit brenda zonës së stimuluar. Kontrata e shit-blerjes lidhet pasi bëhet pagesa e plotë e truallit të njësisë të ndërtimit.
2. Kontrata e lidhur midis ministrit përgjegjës të çështjeve të turizmit dhe subjekteve të interesuara, depozitohet pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për regjistrimin e truallit të njësisë së ndërtimit.
3. Kalimi i pronësisë së truallit të njësive të ndërtimit brenda zonës së stimuluar në bazë të kontratës së shit-blerjes mund të kryhet vetëm në pjesë të pandarë, ideale, në përputhje me parashikimet e dispozitave të Kodit Civil.
4. Administrimi i truallit të njësisë të ndërtimit brenda zonës së stimuluar përcaktohet sipas dispozitave të Kodit Civil që rregullojnë marrëdhëniet e bashkëpronësisë.
5. Mbi kalimin e pronësisë së njësisë së ndërtimit në emër të subjektit të interesuar nuk do te aplikohet taksa e kalimit të pronësisë. Regjistrimi i njësisë së ndërtimit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, do të bëhet në emër të subjektit të interesuar pasi të jetë lidhur kontrata e shit-blerjes për truallin e njësisë së ndërtimit brenda zonës së stimuluar.
6. Bashkësisë së subjekteve të interesuara u lind e drejta e ofertës së parë për marrje me qira të sipërfaqes së plazhit (ranore, gurore, shkëmbore) e kufizuar në vijë lineare me truallin e zonës së stimuluar, nga autoriteti pronar/administrues i kësaj sipërfaqeje.