E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungojnë avokatët, shtyhet seanca për bandën e Cërrikut



Tiranë - Mungesa e avokatëve në Gjykatën e Krimeve të Rënda u bë dje shkak për dështimin e radhës ndaj të pandehurve të bandës së Cërrikut. Të nëntë anëtarët e bandës akuzohen për vrasjen e 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe plagosjen e disa të tjerëve në vitin 1997 në Cërrik. Në sallën e Gjykatës munguan disa nga përfaqësuesit e mbrojtjes ligjore të të pandehurve të bandës së Cërrikut. Nisur nga këto rrethana, kryegjyqtari i çështjes dhe trupi gjykues vendosën të ndërpresin seancën. Gjykata caktoi të martën e ardhshme si ditën për zhvillimin e procesit në fjalë. Kjo seancë është konsideruar e rëndësishme pasi pritet të dëgjohen dëshmitarë të Prokurorisë. Të pandehur në këtë proces janë: Llazar Bicja, Met Bozi, Arian Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani, Entel Gashi. Këta persona, shumë prej tyre të arrestuar vitin që shkoi nga policia e shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, akuzohen për vrasjen me armë zjarri të 6 punonjësve të Gardës së Republikës si dhe plagosjen e disa efektivëve të policisë së shtetit në vitin 1997 në qytezën e Cërrikut.

Proces tjetër për të pandehurin e bandës së Durrësit, kundërshtoi policin e burgut

TIRANË - Një tjetër proces do të hapet, këtë herë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, ndaj Sardian Sulejmanit, një nga të pandehurit e bandës së Durrësit. Sulejmani akuzohet së fundmi nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë së burgut”. Ai dyshohet se është konfliktuar me punonjësit e policisë dy muaj më parë, gjatë një kontrolli në qelinë e tij në Burgun 313 në Tiranë. Çështja penale në ngarkim të Sulejmanit do të shqyrtohet nga gjyqtari Petrit Çomo, i cili është zgjedhur pas hedhjes së shortit elektronik në Gjykatën e Tiranës. Sardian Sulejmani është në proces në Gjykatën e Krimeve të Rënda pasi akuzohet si anëtar i bandës së Durrësit. Ai është arrestuar para dy vjetësh në një operacion të policisë së shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pjesëtarët e kësaj ish-bande akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale, ndër to edhe vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›