E Shtunë, 31 Tetor 2026

“American Reserve Life Insurance” ofron çmimin më të lartë për “INSIG”-un



Kompania “Amerikan Reserve Life Insurance” dha dje ofertën me çmimin më të lartë për privatizimin e kompanisë shtetërore të sigurimeve "INSIG". Sipas Ministrisë së Financave, komiteti i privatizimit të kompanisë së vetme shtetërore të sigurimeve “INSIG”, i autorizuar nga ministri i Financave, përfundoi me sukses procesin e garës për privatizimin e kësaj kompanie. Procesi filloi në muajin janar të vitit 2007 dhe kaloi në disa faza, ku paraqitën interes dhe morën pjesë 10 kompani të huaja si investitorë strategjikë për privatizimin e “INSIG”-ut. Sipas Financave, pasi u ra dakord me BERZH-in dhe IFC-në, procesi u konsultua nga “BNP Paribas”, ndërsa me tender të hapur ndërkombëtar u përzgjodh kompania ndërkombëtare “KPMG” për vlerësimin e çmimit që ofrohej për shitjen e kompanisë “INSIG”. Burimet thanë gjithashtu se në fund të procesit, ofertën fituese e siguroi kompania amerikane “American Reserve Life Insurance”, e cila ofroi një çmim për kompaninë prej 25 milionë euro. Kjo shifër është 2 milionë euro mbi çmimin maksimal të vlerësuar nga “KPMG” ose 3.5 milionë euro nga çmimi që kishte përcaktuar qeveria. "Ky privatizim konsiderohet shumë i suksesshëm për qeverinë. Ai përbën një konfirmim të ri të besimit për ekonominë shqiptare në kushtet kur në tregun financiar ndërkombëtar ekziston një krizë ekonomike", - thanë burimet e mësipërme, duke shtuar se "përfundimi i procesit të privatizimit të “INSIG”-ut është në negociatat e fundit teknike me kompaninë fituese “American Reserve Life Insurance".
Qeveria zotëron 61 për qind të aksioneve te shoqëria e sigurimeve "INSIG", ndërsa pjesa e mbetur nga BERZH-i dhe IFC-ja me nga 19,5 për qind secila. Kompania shtetërore e sigurimeve "INSIG" u themelua në vitin 1991 dhe prej shumë vitesh ka qenë lider në këtë treg, ndërsa tani renditet e treta, me rreth 17 për qind të tregut të sigurimeve.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›