E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seanca ndaj Krenar Ahmetit, dëshmojnë prokurorja dhe bashkëshorti i saj



Tiranë - Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë dje dëshminë e saj në procesin ndaj Krenar Ahmetit duke e rënduar pozitën e tij. Në seancën e djeshme, prokurorja Elisabeta Bajri ka deklaruar edhe momentet e shoqërimit nga shefi i Qarkullimit Rrugor dhe keqtrajtimet që i janë bërë. Sipas prokurores, ditën e 17 majit të këtij viti, së bashku me vëllanë dhe nënën e saj, ishin duke kaluar në bulevard në afërsi të dy kullave, kur i ka ndaluar një patrullë e përgjithshme. Mësohet se efektivi rrugor i ka kërkuar të vëllait të prokurores që të frynte pasi dyshonte se kishte konsumuar alkool. “Vëllai i fryu në fytyrë, ndërsa në ato momente efektivi bënte muhabet me shoferët e tjerë. Dola nga makina dhe i thashë se kush isha dhe se e kisha me të shpejtë”, - ka sqaruar prokurorja. Sipas saj, ajo është ofenduar nga punonjësi i policisë, i cili në ato momente është lidhur në radiomarrëse me numrin 004, që i përket kryepolicit rrugor Krenar Ahmeti. “Pasi jemi larguar, vëllai më thotë që ai ishte shefi i Qarkullimit Rrugor që nuk e njihja më parë dhe që në ato momente po kalonte aty. E ndalojmë dhe i them se një efektivi i tij më ofendoi”, - ka shtuar dëshmitarja. Ndërsa vetëm pas 4 orësh pasi kishte shpënë nënën e saj në banesë dhe pasi ishte takuar me bashkëshortin e saj, ajo është ndaluar nga një patrullë e përgjithshme në krye të së cilës ishte Ahmeti i veshur civil. Mësohet se ai i ka kërkuar dokumentet e makinës. “Iu drejtova dhe i thashë se në makinë kisha të gjitha dokumentet e mia që nga dosjet e punës, pasi atë ditë isha e gatshme. Madje kam marrë në telefon edhe zëvendësprokurorin Kosta Beluri për të folur me Krenarin, por ai ka nisur të flasë turqisht. Na futi në makinë, bashkëshortit tim i vuri prangat dhe na çoi në Komisariatin Nr. 2”, - ka sqaruar prokurorja Bajri. “Në komisariat e kemi pritur për 2 orë me radhë. Kur u takuam në komisariat, Krenari kishte veshur uniformë. Dëshmitari i dytë ishte bashkëshorti i prokurores, avokati Agron Bajri, i cili tregoi sërish momentet e shoqërimit të tij dhe të bashkëshortes në polici. Në sallë ishte i pranishëm dhe shefi i Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmeti, i cili nuk reagoi fare gjatë deklarimeve.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›