Gjykata i kthen 14 milionë lekë Agim Shehut
Ish-gjenerali Agim Shehu ka fituar një dëmshpërblim prej 14 milionë lekësh, si detyrime të pagës gjatë viteve 1997-2008, kohë në të cilën ka qenë “emigrant”. Gjykata e Tiranës ka vendosur t’i kthejë Shehut pagën dhe përfitimet bankare. Vendimi është dhënë disa javë më parë nga Gjykata e kryeqytetit, e cila ka pranuar pjesërisht kërkesat e Agim Shehut. Ky i fundit ka paditur Ministrinë e Brendshme në datën 11 dhjetor të vitit të kaluar. Objekti ka qenë: “Detyrimi i të paditurit t’i japë paditësit gradën madhore ‘Drejtues i Parë’, detyrimi i të paditurit të paguajë të gjitha përfitimet pasurore në përputhje me gradën që nga data 30 qershor 1997 dhe fitimin e munguar të përbërë nga interesat bankare, si dhe detyrimin e të paditurit të njohë këtë periudhë si kohë pune e shërbimi”. Gjyqtari Artan Zeneli ka pranuar dy kërkesat e fundit, pra pagën dhe vjetërsinë në punë, duke refuzuar kthimin e gradës “Drejtues i Parë”. Në vitin 2007 Agim Shehu rifitoi të drejtën të mbajë gradat që i ishin hequr me dekret të Presidentit të Republikës. Ndërkohë që Presidenca i ka paguar edhe shpenzimet e gjyqit. Gjyqtarja Anila Ristani theksonte se pasi ka shqyrtuar çështjen, ka gjetur të bazuar kërkesën e ish-zëvendësministrit të Brendshëm, Agim Shehu, të cilit i kthehet me këtë vendim grada “Gjeneral-Lejtnant” që mbante deri në vitin 1997. Sipas gjyqtares, Shehu ka argumentuar se Presidenti i atëhershëm ka shkelur ligjin duke i hequr gradat, pasi ai në bazë të ligjit kishte të drejtë vetëm t’ia ulte ato. “Po kështu, në paragrafin e dytë të kësaj dispozite është parashikuar se procedura e dhënies së masës disiplinore ndaj gjeneralëve dhe kjo masë jepet nga Presidenti i Republikës, por gjithmonë me propozimin e kryetarit të Këshillit të Ministrave. I padituri ka vepruar në kapërcim të kompetencave ligjore, duke i hequr paditësit gradat madhore. Ai ka pasur të drejtë të ulte paditësin vetëm me një gradë nga ‘Gjeneral Lejtnant’ në ‘Gjeneral Major’”, thuhej në vendimin e gjykatës. Ndërkohë, Shehu ka paraqitur prova dhe ka rrëzuar edhe akuzën që i ishte bërë për “thyerje disipline” dhe “braktisje të detyrës”, duke paraqitur një akt noterial të vitit 2004, ku ish-ministri i Brendshëm dhe ish-eprori i tij, Belul çelo, pohonte se Agim Shehu kishte kërkuar dorëheqjen dhe se në datën e largimit, ditën e zgjedhjeve të përgjithshme të 30 qershorit 1997, ai ka qenë i liruar nga detyra. Ndërsa “arratisjen” e tij Shehu e ka mbrojtur duke pohuar se nëse do të kishte qëndruar, i rrezikohej jeta.
#