E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes ish-princesha, pas 28 vjetësh në koma

Pas rreth 28 vjetësh në koma të pakthyeshme, trashëgimtarja e pasur, Marta "Sani" Bulov, u nda nga jeta të dielën në një klinikë të Nju Jorkut. Pasanikja u bë subjekt i një prej krimeve më sensacionale të Amerikës së viteve tetëdhjetë. I shoqi, Klausi, u akuzua se u përpoq ta vriste përmes një mbidoze insuline, e cila, sipas akuzës, e futi në gjendje kome. Ai u dënua për dy tentativa për të vrarë të shoqen, por u shpall i pafajshëm nga gjyqi i Apelit. Rigjykimi i tij në vitin 1985, i cili e shpalli të pafajshëm, zuri faqet e para të mediave për një kohë të gjatë.

Marta von Bulov, lindi me emrin Marta Sharp Krowford në një familje aristokratike, nga e cila trashëgoi një pasuri përrallore. Në të ri krahasohej me aktoren amerikane Greis Keli. Nga martesa e parë me princin Alfred von Auersperg të Austrisë u bë e njohur si princesha Auersperg. Me Klaus Bulov u martua në vitin 1966 dhe patën një vajzë, të quajtur Kozima.

Mëngjesin e 22 dhjetorit të vitit 1980 familjarët e gjetën Martën pa ndjenja në banjën e shtëpisë së familjes në Rhode Island. Nuk doli dot kurrë nga koma që prej asaj dite. Te tragjedia e Marta von Bulov u mbështet skenari i një filmi të famshëm hollivudian. Aktori Xheremi Ajrons fitoi një çmim "Oskar" për rolin e Klaus von Bulov të luajtur në filmin "Ndërrimi i pasurisë".

Avokati i njohur amerikan, Alan Dershoviç, i cili i siguroi Klausit pafajësinë në Apel, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, tha në një deklaratë për shtyp të bërë publike po dje, se vdekja e Marta Bulov "është fundi i trishtë i një tragjedie të trishtë, që disa prej të afërmve të saj u përpoqën ta kthenin në krim. Ne provuam përfundimisht që nuk bëhej fjalë për krim. Shpëtuam jetën e tij, por nuk arritëm të bënim të njëjtën gjë me të sajën".

Sipas mbrojtjes së Klausit, ishte përdorimi i tepruar i alkoolit faktori kryesor i komës së Martës. Dershovic bëri me dije se kishte folur me Klaus von Bulov, i cili tani jeton në Angli dhe tha se ky i fundit ishte ndjerë shumë keq pas marrjes së lajmit.

Pas përfundimit të gjyqit, që e shpalli të pafajshëm, Klausi u përball me një tjetër çështje gjyqësore, të ngritur nga Aleksander von Auersperg dhe Ala von Auersperg Isham, dy fëmijët që Marta pati nga martesa e parë lidhur me pasurinë e nënës së tyre. Çështja u mbyll në vitin 1987 me Klaus von Bulov që pranoi të hiqte dorë nga pretendimi për paratë dhe pasuritë e së shoqes, si edhe të divorcohej nga ish-princesha. Kozima, vajza e lindur nga martesa e Martës me Klaus von Bulov, u pozicionua përkrah babait të saj gjatë gjithë problemeve gjyqësore që nisën pas rënies në koma të Martës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›