E Diel, 1 Nëntor 2026

Copëza Mirdite në dimër

Në fillim është mjegulla.
Rrëshenin ajo e ka mbulu
ar ngado. Dielli duket sikur
është një njollë e ndrojtur
tutje, shumë larg. Njerëzit
ngjajnë me hije që vërtiten të heshtura
nëpër qytet. Mjegulla na shoqëron edhe
kur kalojmë Urën e Fanit. Kemi marrë
udhën për në veriperëndim të Mirditës,
për në Kaçinar, një zonë e njohur për nga
traditat dhe historitë. Shoferi i bën sytë
katër në rrugën që mezi duket. Nga poshtë
nesh vjen uturima e mbytur e Fanit të
Madh. Në dimër ky lumë bëhet i frikshëm
dhe nuk pyet për askënd, njësoj sikur t‘u
thotë njerëzve: "Keni bërë, ç‘kini bërë në
verë, tani e kam radhën unë!". Bashkë me
ne udhëtojnë edhe disa miq të vjetër mirditorë,
porse duket se këtë rrugëtim do ta
bëjmë edhe me një mik tjetër, me motin.
Ky herë vendos të na mbulojë me tisin e
bardhë të mjegullës, herë na ngroh me një
diell të pazakontë dhe herë të tjera do të
na fshikullojë me stuhi shiu. Në njërën prej
këtyre tekave të këtij "miku" e shohim veten
krejt në diell. Përfitojmë nga rasti të
ndalojmë në shtëpitë e para që shohim.
Jemi në Bukmirë.
Dyqani i mbyllur i Jakut
Sot Kaçinari është komunë më vete,
porse i parë me sytë e dikurshëm, kur bajrakët
ishin një gjë fort e rëndësishme, në
të bëjnë pjesë bajrakët e Kuzhnenit, Dibrrit
dhe një pjesë e Oroshit. Pikërisht kjo
pjesë e fundit ka për qendër Bukmirën.
Ky është një fshat i madh dhe relativisht i
begatë. Neve na bëjnë përshtypje vreshtat
e tij të gjera dhe shtëpitë e rregulluara
mirë. Ndryshe nga fshatrat e tjerë të Mirditës,
nga ky fshat janë larguar në këto vitet
e fundit vetëm pak njerëz. Në krye të fshatit
është një dyqan. Disa prej nesh e
kanë ende atë vesin e keq të duhanit,
kështu që ndalojmë të blejmë ndonjë paketë.
Eshtë e kotë, dyqani është i mbyllur.
Një kalimtar na thotë se Jak Baloj, i zoti i
dyqanit, nuk e ka hapur sot. Eshtë ende
kohë rakie e vere dhe punët e kazanit duan
që t‘u rrish mbi kokë. Kështu që vendosim
të trokasim në derën e Balojve. Jaku na pret
me bujarinë e njohur të mirditorëve. "Nuk
vehet kazani para mikut", na thotë duke na
shoqëruar brenda. Në vatër kërcasin kërcunjtë,
duke lëshuar një ngrohtësi të ëmbël.
"Na bjer nji raki ka ajo e vjetra oj grue!".
Jaku e ka dhënë porosinë e parë. Bisedojmë
do kohë me Jakun të shoqëruar vetëm nga
kërcitja e druve në vatër. Prej tij mësojmë
se rrushi, produkti kryesor i Bukmirës, nuk
paska mbajtur sivjet. "Gjithë puna është te
vaditja. Ne e kishim sistemin e vaditjes për
bukuri - thotë Jaku - po shkuem e
prishëm vetë. E tash rrimë me sytë kah
qilli. Po bjen a s‘po bjen shi. Masanej
vetëm shumë pak vetë e kanë atë sipërfaqen
e duhun që me përfitue ndihmë
prej shtetit. Shumica nuk marrin ndihmë.
Ka ardhë puna gjithnji tu u vështirsue…".
Jaku ngul këmbë që ta hedhim edhe një
kupë tjetër. "Asht e 2005-ës bre burra",
këmbëngul ai. Jashtë dielli i pazakontë i
dhjetorit vazhdon të shndrisë fort. Kush
e di se çfarë rrengu tjetër është bërë gati
të na lëshojë ai miku i fillimit, moti. Bashkëfshatarë
të tjerë të Jakut na ftojnë në
shtëpitë e tyre. "Nuk e kena zakon me na
ardhë miku n‘derë e me e lanë pa hy mrena",
na thotë gati me trishtim një i
moshuar. Duke i treguar disa re të zeza që
janë mbledhur mbi kryet tanë, i shpjegojmë
se kemi ende një copë rrugë për të
bërë.
Bashkë me ne udhëton edhe Ndue
Dedaj, kaçinaras, mik e koleg i vjetër i yni.
Ndue ka marrë me vete edhe Besin, djalin
e tij, student në vitin e fundit në Tiranë. Ata
udhëtojnë me Marka Bardhin, shofer i njohur
në krejt Mirditën, edhe ky kaçinaras.
Këta na e bëjnë rrugën më të sigurt, duke
na krijuar atë ndjesinë e mirë kur je mes
miqsh e shokësh.
Besi në shtëpinë e gjyshit
Në Qafë-Vorrëz, diku në mes të rrugës
për në Kaçinar, e kemi zakon që të bëjmë
një ritual të veçantë sa herë na e do puna
të kalojmë këndej. Në anë të xhadesë ngrihet
një lapidar tashmë krejt i rrjepur e i
harruar. Ai është ngritur në nderim të
Ndrec Ndue Gjokës, mësuesit që u vra në
këto anë në vitin 1946. Pak kush e ka parasysh
sot portretin e imët të mësues
Ndrecës, por shumë të tjerë e kanë parasysh
Rikard Ljarjen në rolin e "Komisarit
të Dritës". Pat qenë një kohë që filmi i famshëm
transmetohej çdo të diel në drekë
në TVSH. Kështu që figura e Rikardit-
Ndrec është e ngulitur fort në kujtesën e
shumë brezave. Si përherë kur kalojmë
këndej i telefonojmë "komisarit tonë të
dritës". Rikardi e di që jemi këndej dhe nis
të qeshë kur i themi se jemi "bash e
n‘venin ku t‘patën vra dikur". "Komisari"
ynë qenka në Shkodër duke u marrë me
50-vjetorin e operës së parë shqiptare.
Fare afër lapidarit ndalojmë një copë
herë. Një shteg i ngushtë na kujton një
emër të vjetër: Udhën e Madhe. Kështu e
quanin mirditorët rrugën e karvanëve që
lidhte Oroshin, qendrën e tyre tradicionale,
me Shkodrën, qendrën e vilajetit të
madh. Tani "Udha" nuk është gjë tjetër
veçse një kujtim. Hera-herës shikojmë
gjurmë të kalldrëmit të vjetër. Tymosim
nga një cigare, duke u munduar të përfytyrojmë
se si kalonin mbi këta gurë
njëherësh nizamë, malësorë të varfër,
peshkopë, dasmorë, cuba e hajna, gjakësorë
e pajtimtarë, studiues e pushtues, libra
e pushkë, misër dhe barut. Të gjitha
fatet bashkoheshin mbi "Udhën" tani të
heshtur.
Besi i bën me shenjë shoferit: Këtu do
të kthehemi. Ne marrim një shteg të
ngushtë e të rrëpirët, që çan përmes dushkajës
krejt të kuqërremtë. Rrugë nuk është
fjalë e përshtatshme për këtë shteg që
kemi marrë. Makina jonë 4x4 bën ca
mund që të arrijë në shtëpinë e gjyshit të
Besit. Me sa duket nuk është edhe aq e
kollajtë që të mbërrish te kujtimet e vjetra.
Shtëpia e gjyshit është një ngrehinë e
ulët e rrethuar ngado nga pemët. Besi bën
mund të hapë drynin që është varur në
derën kryesore. "Eh, çfarë gjallërie ka pasur
dikur në këtë shtëpi", psherëtin Ndue
Dedaj, i ati i Besit. Pastaj shton njësoj sikur
të dojë të kërkojë ndjesë: "Mos e shifni si
asht sot, po ktu dikur…". E garantojmë se
kemi parë shumë e më shumë keq se kaq
dhe mundohemi të ndihmojmë Besin që
se ç‘po bën në një grumbull me pllaka.
Djali është krejt i bindur se ky vend nuk
do të braktiset. "Do vijë një ditë që do
mblidhemi në verë këtu", na thotë me
bindje. Ne i hyjmë edhe një herë atij shtegut
të vështirë që patëm marrë në fillim
dhe dalim në xhadenë kryesore.
Te kulla e Nanës Lizë
Moti ndryshon befas. Vendin e diellit
të vakët e ka zënë tani një rrebesh i paparë.
Shkëmbinjtë janë shndërruar befas
në ujëvara që shkarkojnë tonelata të tëra
me ujë në rrugën mbi të cilën na duhet të
rrugëtojmë. Përrenjtë, që deri pak më
parë ishin si të fjetur, tani janë shndërruar
në përbindësha të egërsuar. Tani po,
tani shoferi ynë duhet t‘i bëjë sytë katër.
Nganjëherë buza e rrugës nuk është gjë
tjetër veçse një pellg balte i frikshëm.
Gjithsesi, më në fund, pasi kemi kaluar
fshatin Simon të lagur deri në palcë,
mbërrijmë në Kaçinar. Qendra e fshatit
është kisha e vjetër. Sipas dokumenteve,
Shën Mëria e Kaçinarit është ndërtuar të
paktën në 1438, datë të cilën e mbante
kambana e vjetër e saj. Në anë të kishës,
në mes të varrezës së fshatit, lartësohet një
rrap i vjetër. Askush nuk e di ta thotë saktësisht
moshën e tij, por të gjithë këtu janë
të bindur se nga ky rrap ka ardhur emri i
katundit dhe i krejt krahinës. Rrapit në
gegërisht i thonë "çinar". Dikur në qendër
të fshatit ndaheshin dy rrugë këmbësore.
Pyetjes "kah je tu shku?" i mbërrinte
përgjigjja "anej kah çinari". E kështu "kah
çinari" me kohë u bë Kaçinari.
E kemi të vështirë të rrimë gjatë në
oborrin e kishës. Shiut të rreptë i është
shtuar edhe një erë e fortë. "Bash dimën",
na thotë një kalimtar i lagur më keq se ne.
Kështu vendosim të trokasim në një derë
mikpritëse, te Liza Cubi. Liza jeton me
familjen e djalit të saj, Martinit. Në udhëtimet
e mëparshme e kishim njohur këtë
mirditore fisnike. Kulla e saj është një nga
më të vjetrat në krejt Kaçinarin. Tani grija
e gurëve të kullës është bërë edhe më e
thellë prej shiut të pareshtur. Sytë e Nanës
Lizë trishtohen kur na sheh të qullosur
keq. "Po ça keni dashtë n‘shi mor meca!",
thotë duke i shtuar dru zjarrit të sobës.
Nana Lizë ka një histori më vete. Burri e
ka lënë vejushë që të re me tre djem të
vegjël. Pastaj, sikurse ishin ato kohë, u
kujtuan se Liza ishte farefis me familjen e
Kapedanit të Mirditës, kështu që, shpejt
e shpejt, ia vunë vulën "me biografi të
keqe". Djemtë i rriti duke bërë punë të
rënda në kooperativë dhe duke qepur
pantallona e fustane "tinëzisht". "Kam
hekë keq, kam hekë - thotë Nana Lizë -
po nuk shaj ken. Nuk asht mirë me sha.
Kjo botë ka njerz t‘kqi sa t‘dush, po ka edhe
boll njerz t‘mirë. Kta t‘fshatit edhe kur
kanë ken me pushtetin e athershëm m‘jan
gjin. Tanve ua di për falemners". Në prehrin
e gjyshes, Elizabeta 4-vjeçare dëgjon
me kureshtje muhabetet e xhaxhave, që
rrinë krejt afër sobës, nga teshat e të cilëve
del një "tym" që ajo se kupton. Shiu ka
vendosur të mos pushojë, kështu që na
duhet të lagemi nga e para. Përshëndoshemi
me Nanën Lizë dhe marrim
udhën e kthimit. Në Rrëshen mjegulla e
mëngjesit ia ka lënë vendin shiut të rrëmbyer.
Pak kalimtarë guxojnë të kalojnë në
sheshin kryesor. Vetëm ndër lokalet e qytetit
dallojmë siluetat e burrave përtej
xhamave të brymosur.
Në Kodër-Rrëshen te Filopati
Një ditë më pas, moti, ai miku i fillimit,
na punon një tjetër "rreng". Këtë herë për
mirë. Një diell i vakët ka dalë mbi qytet që
herët në mëngjes. Ne ngjitemi në Rrëshenin
e vjetër, të cilin vendasit i thonë Kodër-
Rrëshen. Nuk është larg, veçse dy kilometra
nga qendra e qytetit. Këtu jemi mysafirë
të Pjetër Filopatit.
Lalë Pjetri dhe nana Davë, prindër të
nëntë fëmijëve, na presin në skaj të një
stive me dru në oborrin e shtëpisë. Përballë
nesh është hapur një panoramë
magjepsëse, Mirdita dhe malet e saj, herë
të ndriçuar fort nga dielli dhe herë të zhytur
në mjegull, njësoj sikur retë të jenë bërë
njësh me tokën.
Në shtëpinë e Lalës Pjetër vatra është
ndezur që herët. Kërcunjtë në vatër
lëshojnë atë kërcitjen e këndshme që e
lezeton edhe më shumë muhabetin e burrave.
Lala Pjetër ka pasur një dëshirë: të
bëhej mësues. Nuk e lanë. "Në kohën e
luftës këndej nga ne kishte qenë një mësues
nga Elbasani me mbiemër Domi
- tregon ai ngadalë - ishte pas qen ba
vëllam me nji axhen tem. Kështu që
mu më çun n‘Elbasan te njerëzit e
tij për me maru Normalen e me
dal msus. Ktu kam nej dy vjet.
Ishte nji shpi te rruga e Myzyrit.
Elbasani ishte boll qytet i
mirë e me njerz t‘urtë.
Mirpo nga lufta
shkolla u myll dhe unë u ktheva n‘fshat.
Masanej kam shku n‘hekurudhë e pata ba
edhe nji kurs për statistikë. Kështu që
n‘fillim mujta me punu ndër zyra shteti
n‘Rrëshen. Por ma vonë nisën me ma kujtu
biografinë e keqe, si i thoshin atherë ma!
Dhe kshtu qi punën
e funit e
kam ba në gjeologji. Para 28 vitesh kam
dalë n‘pension". Nana Davë dëgjon e heshtur
burrin e saj teksa sjell ndërmend të
gjithë këtë histori të gjatë. Ajo ka qenë 14
vjeç kur i pushkatuan të atin, Preng Marka
Përzefin, ushtarak karriere nga bajraku i
Bulgrit. Lalë Pjetri nis e tregon
historinë e
dhimshme të vjehrrit të tij: "Preng Marka
Përzefi ishte ushtarak me Preng Previzin.
Si maroi lufta ka ardhë ktu në shpinë tonë
se ishte mik me babën. I thotë babës se po
don me u dorzue te partizant. Baba nuk
ka qenë dakord, por ky i ka thanë se nuk
mund të ikë jashtë venit se ka shtatë
fmijë me majt, masanej
baba i Prengës me babën e
Bardhok Bibës ishin ba vllam e
kshtu që shpresonte se kishin
me e lanë të lirë. Porse nuk
ndodhi kshtu. Sa asht dorëzu
në 1945 në Shpal, ku ishte komanda
e partizanve, kta e
kanë pushkatu. Ma vonë
djali i madh i tij ka shku te Bardhoku dhe i
ka thanë me e leju me marrë trupin e
babës. Ky i ka thanë: Po e gjete merre. Unë
nuk di gja ma tepër. E kshtu tu kërku në
mes të vorreve, në anë të lumit, e ka njoftë
kufomën e babës së vet veç nga kapota që
mbate veshë. Asht histori fort e ranë…".
Kishte kohë që mbiemri "Filopati" na
kishte bërë përshtypje. Ai është shumë i
dëgjuar në Mirditë. Në kulturë, në biznes,
ndër zyra, ky mbiemër na dilte shpesh para
syve. "Filopati" nga greqishtja do të thotë
bashkudhëtar, ose mik i udhës. Vrisnim
mendjen se çdo ky mbiemër me prejardhje
greke në këto anë. A mos vallë ishte kujtim
i kohëve kur mirditorët shërbenin në Janinë
nën urdhrat e Ali Pashë Tepelenës? Apo
mos ishte një emër edhe më i vjetër, që vjen
nga errësira e Bizantit, njësoj si Oroshi ta
zëmë? Hamendjeve tona historiko-filozofike
u jep fund vetë Lalë Pjetri. "Puna asht
krejt e thjeshtë. Në kohë t‘luftës, kur axhës
tem iu desht me mush do dokumenta, ai
shkoi dhe tha emnin e plotë: Preng Pjetër
Marka Kola. Ai nënpunësi ka qeshe e i ka
thanë: Na gjej nji emën ma t‘shkurtë ore
Prengë se nuk po na e xen letra. Axha asht
menu pak e ka thanë: Ma veni miemnin
Filopati. Ktu afër shpisë tonë asht nji kodër
me kët emën dhe po ashtu nji prru që shkon
teposhtë, për n‘Rrëshen. Kshtu na ka
met ky emën. Ma shum si emën veni". "Po
mirë, po vendi si e mori këtë emër?", këmbëngulim
ne? "Ah - përgjigjet Lalë Pjetri -
kët se di për besë".
Një foshnje në tjegull
"Ky asht ai foshnja i tjegullës". Një shok
na prezanton me një burrë në moshë. Prej
kohësh kishim dëgjuar një histori që
tingëllonte si e pabesueshme. Ishim
munduar që të përfytyronim personazhin
e kësaj historie të vuajtur. Tani kemi
përballë një burrë fort të mbajtur. Që nga
koha e foshnjës kanë kaluar 59 vjet. Lekë
Shtija ka lindur tre muaj para se t‘i pushkatonin
të atin. Babai i tij, Nikoll Bardhok
Bajraktari, nga bajraktarët e Kthellës, ishte
kapiten i milicisë. Ishte njëkohësisht
edhe mik me Tuk Jakovën, asokohe një
nga më kryesorët e komunistëve. Pat qenë
do kohë edhe partizan në Brigadën XVII.
Pas lufte ishte anëtar i Këshillit NAÇL në
Rrëshen dhe mik i afërt i Bardhok Bibës.
Duket se çdo gjë ka shkuar në rregull deri
në vrasjen e Bardhok Bibës. Në gusht të
1949, babai i Lekës arrestohet dhe pushkatohet
bashkë me shumë të tjerë. Ishte
vetëm 37 vjeç. "Unë këto që po ju them i
kam të msueme prej nanës. Kur kanë
ndodhë kto ngjarje kam qenë foshnje
tremuajshe. Pas pushkatimit të babës
kanë ardhë në shtëpinë tonë dhe kanë
dhanë urdhën se do të ikim menjëherë.
Duhej të bënim teshat gati me urgjencë
se do të na internonin në Tepelenë. Gjatë
rrëmujës, që asht ba në shpi, në ato momente
nji nga ushtarët e ka thy djepin ku
nana duhej të më lidhte. Kështu që ajo s‘ka
pasë ça me ba tjetër. Ka marrë nji tjegull
dhe m‘ka lidhë n‘te. Kshtu kam udhëtu tre
muajsh për në kampin e Tepelenës, brenda
në nji tjegull të shtëpisë sime. Nana më
diftote shumë gjana nga ajo kohë. Më ka
metë në mendje nji histori që gjithherë
m‘asht dukë shumë e randë. Kur i ka ardhë
momenti me lindë nji mirditoreje në kapanonin
e Tepelenës, janë mbledhë tanë
gratë mirditore dhe e kanë rrethu me fustanet
e tyne për mos me e pa kush. Nuk
kishin rrugë tjetër. S‘kishte ven tjetër ku
mund t‘lindte nji grue".
Me motin tashmë jemi bërë shokë. Ai
vazhdon ta ngrohë qendrën e Rrëshenit
njësoj sikur të jetë pranverë. Vetëm vonë,
andej nga darka, kur të mbërrijmë në Tiranë,
do të kujtohet të na fshikullojë sërish
me shiun e rrëmbyeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›