E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes në aksident ish-deputeti socialist, Lekë Çukaj

KRUJË - Ka humbur jetën ish-deputeti socialist Lekë Çukaj, në një aksident të ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin Fushë-Krujë - Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në Nikël të Krujës, ndërsa nga përplasja e dy automjeteve kanë gjetur dy vetë, ndërsa tre janë plagosur. Nga vendngjarja bënë të ditur se shkak për aksidentin e rëndë dyshohet të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara e të dyja automjeteve.

Burime nga policia shprehen se aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 20:20 të ditës së dielë. Dy automjete tip "Benz" përkatësisht me targa TR 8959 R dhe SH 0252 E janë përplasur me njëra-tjetrën dhe si rrjedhojë kanë humbur jetën 60-vjeçari Lekë Çukaj dhe Hasan Guçi, 58 vjeç. Mësohet se i pari ka qenë në drejtimin e automjetit me targa të Tiranës dhe i dyti në atë me targa të Shkodrës. Ndërkohë, është plagosur dhe ndodhet në gjendje shumë të rëndë bashkëshortja e Hasanit, Ana Guçi, e cila është dërguar menjëherë në spital dhe janë plagosur dy shtetas të tjerë. Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Nikël të Krujës përgjatë superstradës Fushë-Krujë - Tiranë.

Burime nga policia shprehen se përplasja e automjeteve ka qenë kokë më kokë çka ka çuar edhe në pasojat e rënda, nisur dhe nga shpejtësia e madhe. Në kushtet e një pamje të kufizuar, si dhe kushteve të këqija atmosferike, shmangia ka qenë edhe më e vështirë.
Dëshmitarë në vendngjarje shprehen se dy drejtuesit janë nxjerrë gjallë nga makinat dhe janë nisur në drejtim të Tiranë, por gjatë rrugës kanë gjetur vdekjen për shkak të hemorragjisë dhe frakturave të brendshme.

Në vendin e aksidentit, aksi rrugor është bllokuar për një periudhë kohëore, pasi automjeti i Çukajt ndodhej në mes të rrugës. Ndërkohë, mjeti tjetër ka dalë jashtë rrugës dhe ka rënë në kanalin anësor. Sipas burimeve zyrtare të policisë, shkak i aksidentit dyshohet të jetë shpejtësia e madhe e dy drejtuesve të mjeteve, reshjet e shumta të shiut të shoqëruara edhe me mjegull.

Hasan Guçi mësohet se ishte militant i Partisë Socialiste. Ai jetonte në Shkodër dhe dje bashkë me të shoqen po ktheheshin nga Tirana për në qytetin e tyre. Në Shkodër ata zotërojnë një lokal para selisë socialiste, ku hera-herës zhvillohen edhe takime. Ndërkohë, Lekë Çukaj, ish-deputet i PS-së po shkonte në drejtim të Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›