E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes në tension roja i karburantit

 

KORÇE - Vdes nga tensioni elektrik një 59-vjeçar në Korçë. Sipas policisë, dje në pikën e karburantit në vendin e quajtur Plasë është gjetur pa jetë roja i këtij objekti, Nuri Muça. Pas verifikimit të rrethanave nga ekspertë të policisë dhe një specialist i zonës elektrike në Korçë, u arrit në konkluzionin se trupi i tij ishte karbonizuar, mbasi kishte rënë nën tensionin elektrik të një bobine trefazore. Sipas policisë, rreth orës 09:30, pronari i pikës së karburantit kishte gjetur të vdekur Nuri Muçën, banor i fshatit Zëmblak të Korçës. Ai sinjalizoi për ngjarjen menjëherë policinë. Një grup hetimi mbërriti në vend nga ku u kryen veprimet e duhura procedurale. Për të arritur në një konkluzion real është thirrur edhe një ekspert elektrik nga OSSH-ja në Korçë. Burime të policisë bënë të ditur se ka dyshime se viktima, me sa duket natën, ka pasur ftohtë dhe është munduar të vërë në punë një bobinë 3-fazore, që përdoret për lavazhin e mjeteve automobilistike. Nga pakujdesia, trupi i tij ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, duke e çuar drejt karbonizimit. Ekspertët bëjnë të ditur se janë konstatuar disa djegie të lëkurës në pjesën e dorës së majtë dhe në gjoks të këtij shtetasi. Viktima u dërgua në morgun e qytetit, ku më pas u paraqitën edhe familjarët e tij për të tërhequr trupin. j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›