Bulqizë, banorët e pastrehë 1 muaj në xhaminë e qytetit
BULQIZE/ HASAN PASHA
Xhamia e Bulqizës strehon banorët e evakuuar nga pallati që rrezikon shembjen në këtë qytet. Për 1 muaj, 14 dhoma të konviktit të xhamisë do të shërbejnë si strehë për 56 banorët, me kusht që ata të mos cenojnë asnjë nga rregullat e besimit mysliman. Myftiu i xhamisë, Sejdin Strazimiri, pas një takimi me drejtuesit vendorë të bashkisë dhe kërkesës së tyre për ndihmë, ka hapur dyert e konviktit të xhamisë.
Mëngjesi i ditës së djeshme i gjeti 15 familje pa çati. Fjetën tek të afërmit e tyre dhe që në orët e para të mëngjesit mbërritën pranë pallatit ku kanë jetuar prej disa vitesh. Kishin ndezur zjarr para pallatit dhe hapnin sytë për nga pallati që tashmë ngjan me një gërmadhë. Forca të policisë bashkiake dhe ato të rendit kanë marrë urdhër të mos lejojnë askënd t'i afrohet objektit, pasi rreziku i shembjeve të mëtejshme ekziston. Një shirit i vendosur nga policia lokale parandalon lëvizjen e njerëzve në këtë pallat. Gra e burra qëndrojnë pranë pallatit dhe mbi sytë e tyre dallojmë lot. Kanë mbetur pa strehë në një ditë mjaft të vështirë. Temperaturat në këtë qytet shënojnë disa gradë nën zero dhe të gjithë dridhen nga i ftohti. 15 fëmijë dhe 5 gra janë strehuar përkohësisht në kopshtin nr.2 të qytetit. Aty u është siguruar ngrohja dhe ushqimi, ndërkohë ashtu si të gjithë banorët e tjerë, edhe ata do të vendosen në dhomat e dhuruara përkohësisht nga xhamia e Bulqizës. Rreth orës 10:00, anëtarë të shtabit të emergjencave civile dhe specialistë të bashkisë mbërritën në pallatin e dëmtuar rëndë dhe bënë verifikimet e tyre, pa dhënë sqarime se cila ishte shkalla e dëmit të shkaktuar dhe cili do të jetë fati i kësaj ndërtese. Rreth orës 10:00 në zyrën e nënprefektit të rrethit Dibër është zhvilluar mbledhja e shtabit të emergjencave civile të bashkisë, nën drejtimin e kryetarit të bashkisë, Roland Keta. Të pranishëm në këtë mbledhje, dhe një pjesë e konsiderueshme e banorëve të mbetur pa shtëpi. Në fjalën e tij kryebashkiaku tha se kishte informuar të gjitha institucionet e larta të shtetit dhe kryemyftininë shqiptare. "Kam biseduar me zotin Muça dhe myftiun e Dibrës e Bulqizës dhe kam kërkuar ndihmë nga ata për 15 familjet e mbetura pa strehë. Unë, - tha Keta, - falenderoj xhaminë e qytetit dhe zotin Sejdin Strazimiri që u tregua i gatshëm të vë në dispozicion të të pastrehëve 14 dhoma të konviktit të medresesë. Ne do të mbajmë kontakte të vazhdueshme me banorët që do të strehohen këtu dhe xhaminë e qytetit. Sot do t'i furnizojmë familjet me rroba e ushqime dhe vazhdimisht do të jemi në kontakt me ju", tha Kryetari i Bashkisë Bulqizë. Ai bëri të ditur se banorët që do të strehohen në mjediset e xhamisë do të privohen nga disa veprime të tyre. "Askujt nuk do t'i lejohet të konsumojë alkool në xhami. Feja jonë nuk e lejon një gjë të tillë", sqaroi Keta. "Në këtë mjedis ju do të qëndroni një muaj, ndërsa për më tej ne jemi të vendosur t'ju ndihmojmë për të gjetur strehë. Jemi në bisedime me Entin Kombëtar të Banesave dhe po këmbëngulim për një zgjidhje afatgjatë", pohoi Roland Keta. Vetëm njëri nga kryefamiljarët kundërshtoi këtë zgjidhje, duke dhënë sqarime se familja e tij për arsye shëndetësore nuk mund të vendosej në xhami, ndërkohë 14 kryefamiljarët e tjerë e pranuan si zgjidhje.Pallati ku ata jetonin deri dy ditë më parë rrezikon shembjen totale. Të enjten ai dha shenjat e tragjedisë, pasi u rrëzua një arkitra dhe një pjesë e mureve të tij. Familjet ishin strehuar në këtë godinë para se ajo të përfundohej, duke mos kryer aty asnjë investim.
"Pallati u trondit, kujtova se ishte tërmet"
Razie Gjetani është një prej banoreve të pallatit që për pak desh shkaktoi tragjedinë në Bulqizë. Bashkë me gratë e fëmijët ajo priste dje në kopshtin nr.2 për t'u transferuar për në konviktin e xhamisë së qytetit.
Kur jeni vendosur në këtë pallat?
Disa familje janë vendosur këtu që në vitin 1990, ndërsa të tjera më vonë. Familjet e strehuara para nesh në këtë pallat të lënë përgjysmë, pasi siguruan të ardhurat e mjaftueshme, kanë ikur prej këtu dhe na i shitën neve hyrjet. Gati të gjitha familjet që banonin së fundi në këtë pallat vinin nga zonat e largëta të rrethit, pasi ato kishin pasur probleme me shtëpitë e tyre, shembje, plasaritje, djegie, etj.
Cilat ishin të ardhurat e këtyre familjeve?
Jetojmë në kushte mjaft të vështira ekonomike. Fakti që nuk kishim mundësi të blinim hyrje në pallat, por blemë hyrje të tilla, tregon qartë sa shumë probleme kemi. Shumica e familjeve tona nuk marrin ndihmë ekonomike. Gati të gjithë jetonim me paratë që siguronim në stoqet e kromit. Mblidhnim sa mundnim mineral dhe e shisnim në firmat private. Tani kjo tregti ka rënë shumë, për shkak të rënies së çmimit dhe së dyti në Bulqizë ka qenë dimër i madh.
Në momentet e shembjes së pallatit jeni ndodhur në apartament. A mund t'i tregoni ato çaste të vështira?
Ishte ora 9 e mëngjesit. Fëmijët kishin shkuar në shkollë ndërsa unë po rregulloja divanet dhe po pastroja shtëpinë. Teksa lëvizja divanet, pallati po lëkundej. Dëgjoj një zhurmë dhe dal në korridor. Kujtova se ra tërmet. Teksa kthej kokën nga banja, ajo kishte rënë poshtë bashkë me dyshemenë. Dëgjoj ulërimën e komshijes dhe dal me të shpejtë nga pallati. Teksa zbrisnim shkallët, dalloj të gjithë banorët që vraponin për të shpëtuar kokën. Dalim jashtë dhe shohim shembjen e murit dhe dyshemesë së katit të dytë.
Ku fjetët natën e parë?
Erdhën njerëzit tanë të njohur dhe na strehuan në shtëpitë e tyre. Fjetëm aty dhe sot u rikthyem pranë pallatit të shembur. Kanë ardhur drejtuesit e bashkisë dhe po interesohen për ne. Ua kemi bërë të qartë se nuk mund të shkojmë më te njerëzit tanë. Unë jam 8 frymë dhe nuk ka askush mundësi të na strehojë dhe ushqejë. Sot na thanë se xhamia ka shprehur dëshirën të na strehojë dhe për këtë ne e falënderojmë atë.