Vdes nga ataku kardiak i dënuari me 9 vite burg
08/03/2005 TIRANË – Ka vdekur pa mbërritur në Spitalin e Burgut, i dënuari me 9-të vite heqje lirie, Gëzim Rexhepi. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shprehen se, Rexhepi, i vitlindjes 1961, lindur në Elbasan dhe dënuar për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë me nëntë vite burg, ka paraqitur shqetësime të mëdha. Rexhepi vuante dënimin në Burgun e Peqinit. Ka tentuar të vrasë gruan e tij Hamide Korra në datën 26 nëntor 2003 për motive xhelozie. Gjatë kohës së qëndrimit në burg është ankuar nga zemra. Ndërsa dy ditë më parë shqetësimet i janë shtuar. Drejtues të burgut e kanë nisur menjëherë në drejtim të Spitalit për t'i dhënë ndihmën e duhur, por gjithçka ka qenë e kotë. Gëzim Rexhepi ka humbur jetën pa mbërritur ende në spital. Sipas burimeve nga spitali, Rexhepi ka pësuar atak kardiak.