E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ vendosë të djegë fletët e votimit

27/09/2011  Anëtarët e institucionit vendosën në unanimitet fillimin e asgjësimit më 25 tetor

Rezultati, Prokuroria një muaj kohë për të hetuar mbi padinë penale të PS-së

Për herë të parë në historikun 2009-2011 të mbledhjeve të tij për çështje të nxehta të proceseve zgjedhore Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në unanimitet vendosi djegien e fletëve të votimit që u përdorën në zgjedhjet vendore të 8 majit. Ndryshe nga fletët e zgjedhjeve të vitit 2009, procesi për ato lokale do të nisë më 25 tetor dhe deri në fund të vitit. Stafi i rekrutuar nga KQZ-ja do të boshatisë kutitë nga fletët e votimit dhe do të bëjë asgjësimin e tyre. Ndërsa materialet zgjedhore, siç e përcakton Kodi Zgjedhor, do të dërgohen në Arkivin e Shtetit. “Hapja do të fillojë më 25.10.2011, përfundimi më 31.12.2011. Kush është dakord? Shtatë, miratohet”, - deklaroi kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. Pavarësisht këtij rezultati votimi, diskutimi nuk ka kaluar pa debate në komision. Mbledhja u karakterizua nga debate mbi procedurën që duhet të ndiqet mbi miratimin e projektvendimit. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në këtë komision, Eridian Salianji, pasi vuri në dijeni se PS-ja ka bërë një padi penale në Prokurori për rezultatin e Tiranës, kërkoi shtyrjen e afatit të vendosur fillimisht nga KQZ-ja. Sipas tij, fletët janë prova e vetme për organin e akuzës dhe se djegia e tyre do t’i zhdukte ato. “Ju nuk mund t’i digjni këto fletë votimi, për arsye se janë prova që do t’i shërbejë Prokurorisë për të vërtetuar atë që ne kemi vërtetuar në KQZ: një mospërputhje prej 875 fletë votimi me zgjedhësit që kanë votuar”, - tha Eridian Salianji. Pretendimi i tij u mbështet nga nënkryetarja Dëshira Subashi, e cila propozoi që komisioni t’i drejtohet fillimisht institucionit të Prokurorisë lidhur me pretendimin e përfaqësuesit ligjor të PS-së dhe më pas të vijohet me vendimmarrjen për afatet e asgjësimit. Ndërsa komisioneri Klement Zguri theksoi se pretendimet e ngritura nga komisionerët mbështetës të linjës politike të opozitës janë thjesht dhe vetëm për të bërë debat dhe për të shtyrë kohën. Pas diskutimeve dhe një pushimi për të shqyrtuar situatën është rënë dakord që si bazë ligjore e projektaktit të bëhet edhe udhëzimi i miratuar nga KQZ-ja në vitin 2006. Në këtë mënyrë, KQZ-ja do të nisë më datën 25 tetor procesin për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet lokale të 8 majit. Për shkak se për vendoret e 2011-s u përdorën më shumë fletë votimi se në vitin 2009, edhe kostoja e asgjësimit të tyre do të jetë më e lartë. Rreth 54 milionë lekë do të destinohen për lëndën djegëse dhe punëtorët që do të kryejnë procesin.

Pretendimi i PS-së

Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Eridian Salianji, kërkoi shtyrjen e asgjësimit të fletëve të votimit derisa Prokuroria të japë verdiktin e saj mbi padinë e PS-së. “Ju nuk mund t’i digjni këto fletë votimi, për arsye se janë prova që do t’i shërbejë Prokurorisë për të vërtetuar atë që ne kemi vërtetuar në KQZ: mospërputhjen prej 875 fletë votimi me zgjedhësit që kanë votuar”, - tha ai.

Kodi Zgjedhor

Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë ka një përcaktim të posaçëm mbi këtë proces paszgjedhor. Konkretisht në nenin 78, pika 6 e tij thuhet në mënyrë të qartë se “me mbarimin e procesit zgjedhor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap kutitë e materialeve zgjedhore dhe të fletëve të votimit. Djeg fletët e votimit dhe çon në Arkivin e Shtetit materialet zgjedhore.”

Mungesë konsensusi

Në fund të muajit dhjetor 2011 KQZ-ja miratoi me 4 vota asgjësimin e fletëve të votimit dhe arkivimin e materialeve zgjedhore, duke i dhënë fund debatit më shumë se 18-mujor për fatin e fletëve të votimit të zgjedhjeve të qershorit 2009. Përfaqësuesit e opozitës dhe dy anëtarë të KQZ-së, Subashi dhe Laze, e kundërshtuan projektaktin, duke braktisur në fund mbledhjen.

Fletët e 2009-s

Në janar të këtij viti, sipas vendimit të KQZ-së, nisi djegia e fletëve të votimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 29 qershorit 2009. Procesi i djegies dhe i seleksionimit të materialeve zgjedhore është një proces i parashikuar të mbarojë më 5 mars. Vendimi erdhi pas mungesës së gjatë të forcave politike për të gjetur një kompromis për hetimin e procesit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›