E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Çamët dhe minoriteti grek, urë bashkëpunimi



Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, deklaroi nga një tubim me simpatizantët e kësaj partie në Sarandë se çamët dhe minoriteti grek në Shqipëri janë urat e vërteta të bashkëpunimit dhe miqësisë mes Shqipërisë e Greqisë. Duke qëndruar në Sarandë, një rreth që ka si çamë ashtu edhe minoritarë, Idrizi tha se kjo ka vërteton se dimë të bashkëjetojmë. “Rrethi i Sarandës ka në përbërjen e tij dhe shumë fshatra me minoritarë që janë vëllezërit tanë, në kemi ndarë me ta si fqinj e njerëz që jetojmë në të njëjtin vend, të mirat dhe të këqijat. Çamët dhe minoritarët kanë ndier të dy diskriminimin dhe margjinalizimin në regjimin komunist. Çamët dhe minoritarët janë urat e vërteta të bashkëpunimit dhe të miqësisë jo vetëm midis tyre, por dhe midis dy vendeve, Greqisë dhe Shqipërisë, si dy vende fqinje. Dy vende që kanë përjetuar në mënyrë të përbashkët momente të mira dhe të vështira në historinë e trazuar të Ballkanit”, - tha Idrizi. Ai paraqiti përpara të pranishmëve objektivat dhe programin e PDU-së dhe theksoi se nuk kemi të bëjmë me një parti çame, por me një parti që ka në qendër të vëmendjes të gjitha çështjet kombëtare. “PDU do të jetë partia e interesit kombëtar, e zgjidhjes së çështjes kombëtare kudo nëpër Ballkan”, - tha më tej Idrizi, i cili njoftoi gjithashtu edhe për krijimin e organizatës rinore të partisë, “Klubi i Patriotëve të Rinj”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›