Veçoritë arkeologjike shqiptare prezantohen në Greqi
Në Janinë nga data 5-9 maj është organizuar Konferenca Arkeologjike Ndërkombëtare për Qeramikën Helenistike me Vernik të Zi, ku rreth 150 arkeologë nga gjithë bota kanë diskutuar dhe debatuar rreth vlerave dhe veçorive, të një prej dëshmive më domethënëse të antikitetit. Kjo veprimtari organizohej nga Ministria Greke e Kulturës, Sektori Shkencor i Eforisë të studimeve të Prehistorisë dhe Antikitetit Klasik me qendër në Janinë dhe Shoqata Ndërkombëtare e Qeramikës me Vernik të Zi, nën kujdesin direkt të presidentit të Republikës së Greqisë Karolos Papulias.
Gjatë ditëve të zhvillimit të kësaj konference, profesorë dhe ekspertë të fushës arkeologjike të qeramikës antike të lyer me vernik të zi, kanë pasur mundësinë që të prezantojnë rezultatet e punës së tyre shumëvjeçare studimore dhe kërkimore të evidentuar gjatë ekspeditave të tyre në terren. Ekspertë të kësaj fushe të arkeologjisë nga vende si Britania e Madhe, Greqia, SHBA, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja, Maqedonia, Kroacia, Turqia, Spanja, Rusia dhe vende të tjera, kanë mundur të sjellin një material të bollshëm nga ekspeditat e tyre arkeologjike të zhvilluara në site dhe pika të ndryshme arkeologjike. Në këtë konferencë ndërkombëtare kanë marrë pjesë edhe ekspertë të arkeologjisë nga Shqipëria, të cilët kanë mbajtur referenca për qeramikës helenistike në disa qytete të Ilirisë së lashtë si, Apolonia Durrësi, Antigonea Bylis, Foinike, Butrint, Amantia, etj. Arkeologu nga Shqipëria Dhimitër Çondi referoi në këtë forum të lartë të arkeologjisë botërore rreth temës Qeramika me vernik të zi në Butrint dhe Foinike dhe veçoritë e saj në enët e tryezës, ku solli një informacion mjaft interesant për pjesëmarrësit dhe duke interpretuar elementët e ngjashmërisë me objekte të kësaj natyre të zbuluar në site të tjera arkeologjike në Shqipëri, në Greqi dhe Itali. Sipas Çondit gjetjet arkeologjike të qeramikës me vernik të zi në qytetet Ilire dëshmojnë për një nivel të lartë ekonomik dhe për lidhje të fuqishme tregtare dhe ekonomike të popullsisë, që banonte në antikitet në zonën e Ballkanit jugor dhe perëndimor dhe në Italinë e jugut. Arkeologu shqiptar Bashkim Vreka, njëkohësisht edhe drejtor i Parkut Arkeologjik të Bylisit ka mbajtur në referat me temën Lihnidet, lekytet dhe vazot me vernik të në Apoloninë e Ilirisë, arkeologu tjetër nga Shqipëria Vasil Bereti mbajti kumtesën Qeramika helenistike në kontekstin stratigrafik gjatë sondazheve të vitit 2006 në Apoloninë e Ilirisë, ndërsa arkeologu Eduart Shehi në prezantimin e tij posterik u ndal në temën Një vazo me vernik të zi me figurën Artemisës gjetur në rrënojat e qytetit antik të Durrësit.
Last Updated on Monday, 11 May 2009 20:09
Last Updated on Monday, 11 May 2009 20:09