E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vedat Kokona, "Lutja e fundit" e shkrimtarit

Duket si e kthyer në rit tashmë, "harresa" e emrave të mëdhenj të letërsisë shqiptare. Harresa ndaj përvjetorëve, ditëlindjeve apo ditëvdekjeve. 

Anila Mema

Dy ditë më parë heshturazi kaloi 100-vjetori i Çabejit të madh, dhe po aq heshturazi, dje kaloi edhe ditëlindja me pesë vite më pak e shkrimtarit, studiuesit e përkthyesit të njohur Vedat Kokonës. I lindur më 7 gusht të vitit 1913 në Turqi,     95-vjetori i Kokonës kaloi aq heshtur sa vapa e nxehtë e këtyre ditëve. Megjithatë si një dhuratë për ditëlindje, pak ditë më parë, për lexuesin shqiptar vijnë së bashku në një vëllim të ri, 12 tregime e novela të shkruara përgjatë viteve 1933-1944. Janë botuar nga e bija, Mirvjen Kokona, e cila ka ekskluzivitetin e botimit të veprës së tij, në shtëpinë botuese që mban të njëjtin emër me autorin. Por kësaj here kjo vepër që vjen si ribotim pas më se 20 vjetësh, ka gjetur edhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Janë 12 tregime, të njëjtët me botimin e 1986, "Yje të këputur" të zgjedhura asokohe nga Hasan Mekuli. Por kësaj here vijnë në një përmbledhje me titull "Lutja e fundit". Sigurisht janë bërë disa redaktime dhe njëkohësisht çdo tregim a novelë është shoqëruar edhe nga një ilustrim përkatës, të realizuara nga Arjanita Marko.
***
Vedat Kokona është një nga autorët relativisht të populluar të viteve '30, që patën fat të botonin vepra edhe nëpër revista dhe në vëllime të veçanta, natyrisht një pjesë shkrimesh edhe atij i mbeti në revista dhe të përkohshme ose në dorëshkrime, por megjithatë ai u dallua në ato vite si një nga autorët e rinj që premtonin më shumë edhe në poezi, edhe në prozë. Por, pavarësisht talentit të tij në poezi, atë Kokona e shfaqi edhe më mirë si dhe më dendur në lëmin e prozës. Madje në prozë qe më produktiv dhe më i përkushtuar. Kështu e cilëson edhe Mekuli në pasthënien e veprës së '86. Çdo tregim i tij, të cilët padyshim mbajnë datime të ndryshme, vite po se po, ndryshojnë për nga niveli. "Herë-herë kanë tema e motive jo të gjetura dhe me përkushtim e invencë nga ana tjetër janë interesante, pasi e ilustrojnë dukshëm botëkuptimin dhe konceptet e autorit dhe shumëfill e provojnë faktin real se ai si prozator tregimtar e më vonë edhe romancier është më i regjur, më i qartë, dhe në nivelin më të lartë të vëzhguesit", shkruan ai. E megjithatë tregimet e tij duhen analizuar dhe vështruar qartazi, pasi sjellin një lëndë mjaft atraktive dhe të pasur për vlerësimin nga cilido këndvështrim.
***
Një nga tregimet më pikante në këtë vepër, është ai me titull "Këpuca e zonjës", të cilin autori e ka shkruar në vitet 1940. Ky tregim është shkruar në një kohë kur autori bënte hapat e parë në prozë dhe kur librat e lexuar, kryesisht nga letërsia frënge, ushtronte ndikim të madh tek ai. "Që në vlerësimet e para ky tregim na del një shfaqje e rrallë dhe tregim në vështrim të parë sentimental me frymë mikroborgjeze, madje i panatyrshëm, si dëshmi për karakterin e njeriut tonë, ekzistant dhe jo i pranuar, por megjithatë me popullaritet jo të paktë tek lexuesi. "Këpuca e zonjës" është edhe tregim dashurie, ku sot na duket se dashuria paraqet vetëm suazat dhe mundësinë për t'ia transmetuar këtë vërtetësi tjetër, për rrethanat e zymta dhe raportet në shoqëri", shpjegon Mekuli, në pasthënien e tij. Bëhet fjalë për dashurinë e heshtur dhe platonike, të fantazuar për Selmanë, bashkëshorten e një miku të vet, duhet të merret vetëm si një pretekst, por pa dyshim është mospajtimi i përmbajtur dhe disa kritika kundër realitetit shoqëror të ngathët, si dhe demaskimi i tipit mikroborgjez të intelektualit. Por, pavarësisht botimit të kësaj vepre, sipas Hasan Mekulit, nivelin më serioz letrarisht më të lartë, Kokona e shënoi në vitet '60, në periudhën e tretë të krijimtarisë dhe pjekurisë së tij artistike, nga e cila deri tani njohim dramën cilësore "Hijet e natës" apo poemën e dramatizuar "Lulja e shega", romanin triologjik "Me valët e jetës" etj.

Kokonën si e njohim
Vedat Kokona, shkrimtar, studiues e përkthyes lindi në Turqi më 7 gusht 1913. Shkroi vëllimin poetik "Drita dhe hija", vëllimin me tregime e novela "Hije të këputura"; u mor mjaft me hartimin e fjalorëve dygjuhësh si Frëngjisht-shqip e anasjelltas, Anglisht-shqip e anasjelltas etj. Por në historinë e letërsisë sonë mbeti ndër emrat e shquar të mjeshtreve të përkthimit, duke bërë të flisnin shqip shkrimtarë të mëdhenj botërorë me kryeveprat e tyre. Vdiq në vitin 1998.

Të dhënat

Titulli: Lutja e fundit
Autori: Vedat Kokona
Gjinia: Tregime e novela
Botoi: Kokona
Korrektoi: Mirvjen Kokona
Ilustrimet: Arjanita Marko
Faqe: 260
Çmimi: 800

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›