Masakrohet e digjet me benzinë i riu
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
Drejtoritë e policive së të gjitha qarqeve janë vënë në alarm, pasi trupi i një djali ende të paidentifikuar është gjetur i masakruar e më pas i djegur me benzinë në Lushnjë. Kufoma që sipas policisë është rreth moshës 20-25 vjeç u gjet në një rrugë dytësore, në fshatin Grabian, në vendin e quajtur "Tre urat". Kufoma ishte masakruar më parë me sëpatë, dhe më pas i është vënë flaka me benzinë.
NGJARJA
Për nga mekanizmi dhe mizoria e veprimeve, kjo i ngjan ngjarjeve makabre të ndodhura në vitin '97 në Lushnjë. Policia është sinjalizuar nga një bari i zonës, i cili është tmerruar kur është ndeshur me pamjen e tmerrshme. Në vend mbërritën menjëherë ekspertë të kriminalistikës, të cilët pasi nuk arritën dot të identifikonin trupin, njoftuan dhe kolegët e tyre nëpër rrethe. Dyshohet se viktima është vrarë në vend tjetër, dhe më pas është djegur në vendin ku edhe u gjet. Burime zyrtare të komisariatit të Lushnjës, e cila ka nën juridiksionin e saj edhe vendin ku ndodhi kjo ngjarje bënë të ditur se, të dhënat e viktimës kanë kaluar në të gjitha drejtoritë e policive nëpër qarqe. Të njëjtat burime pohuan se ky veprim është bërë për shkak se, ka dyshime se viktima është masakruar për motive tepër të forta, që kanë të bëjnë me ndonjë hakmarrje të mundshme. Por duke qenë se për orë të tëra asnjë person nga zonat përreth nuk u interesua për kufomën, policia ka hedhur dyshime se djali i masakruar mund të mos jetë fare banor i zonës së Lushnjës. Për këtë shkak, policitë e qarqeve po bëjnë verifikimet e duhura në zonat e tyre, bazuar në të dhënat e viktimës, që u janë përcjellë nga ekspertët e kriminalistikës së Lushnjës. Specialistë të komisariatit të Lushnjës, pas verifikimeve paraprake të kufomës kanë dalë në konkluzionin se, viktima është torturuar duke u goditur me mjete të forta, si pjesë të ndryshme hekurishtesh apo sëpatë, ndërsa më pas është djegur. Kufoma është gjetur në orët e para të mëngjesit në një rrugë dytësore, paralel me autostradën Lushnje-Fier. Duke parë largësinë e viktimës nga rruga kryesore dyshohet, që trupi i tij të jetë transportuar me makinë nga diku tjetër dhe më pas është hedhur dhe masakruar në misrin e mbjellë anës rrugës. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, torturat e ushtruara mbi kufomën hedhin dyshime për një hakmarrje. Gjithashtu, dyshohet se autorë të kësaj ngjarjeve janë më shumë se një.
VIKTIMA
Pas verifikimit të vendit të ngjarjes, trupi i pajetë është nisur drejt Institutit të Kriminalistikës në Tiranë. Policia e Lushnjës bëri të ditur se viktima ishte veshur me pantallona të shkurtra, bluzë dhe shapka. Një fakt i tillë ka bërë që ekspertët të dyshojnë se, viktima mund të jetë marrë nga autorët në ambiente afër shtëpisë së tij, ose në plazh. Ndërkohë, burime pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore bënë të ditur se, viktima kishte edhe një tatuazh në shpatull. "Torturat që janë ushtruar mbi të paraprakisht, tregojnë një hakmarrje mizore", u shprehën ekspertët që po hetojnë këtë ngjarje. Edhe pse rrethanat janë ende të paqarta, në komisariatin e Lushnjës janë shoqëruar shumë banorë të fshatrave të zonës përreth. Askush prej tyre nuk e ka njohur kufomën. Shefi i komisariatit të Lushnjës pohoi se viktima është djegur thuajse plotësisht, por gjithsesi, njerëzit e tij mund ta identifikojnë. Sipas tij, deri në orët e mbrëmjes së djeshme nuk ishte paraqitur asnjë familjar, për t'u interesuar nëse viktima ishte i afërmi i tyre.
Bariu: U tmerrova nga pamja
LUSHNJE-Bariu i cili gjeti trupin e viktimës së djeshme ende nuk e ka marrë veten nga ajo që kishte parë. "Ishte ora 08:30 kur pashë diçka të dyshimtë në anën e arës me misër. Kur pashë personin e shtrirë në tokë, mendova mos ishte ndonjë bari tjetër, i cili ishte shtrirë për t'u çlodhur, pasi misri në këtë vend bën edhe hije. U afrova ngadalë, duke thirrur herë pas herë, por nuk u përgjigj askush. Kur erdha fare pranë pashë kufomën e shtrirë në tokë, gjak të përhapur gjithandej, ndërkohë që trupi ishte plotësisht i djegur. U tremba pa masë. Nuk dija çfarë të bëja më parë. Nxora celularin dhe telefonova policinë", pohoi bariu i cili ende është i traumatizuar. Ai pohoi se i janë dashur shumë orë për të marrë veten. Më pas, grupi hetimor e ka marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje.
Viktima në morgun e Tiranës
Pas veprimeve të bëra në vendin e ngjarjes, për shkak edhe të mizorisë dhe rrethanave të saj, policia e Lushnjës e nisi dje trupin e viktimës për të bërë veprimet e tjera nga ekspertë të Mjekësisë Ligjore dhe të Laboratorit të Kriminalistikës së Tiranës. Sipas policisë, trupi është masakruar mizorisht, çka hedh dyshime për ndonjë hakmarrje. Polici është shumë e rezervuar në lidhje me këtë ngjarje, të paktën derisa të identifikojë viktimën
Trupi, askush nuk interesohet
Burime zyrtare të komisariatit të policisë në Lushnjë bënë të ditur se, deri në orët e vona të mbrëmjes, me gjithë ngjarjen e rëndë, askush nuk ishte interesuar për identifikimin e kufomës. Sipas tyre, ka shumë dyshime se viktima nuk është nga Lushnja, por autorët e kanë hedhur në këtë vend për të humbur gjurmët. Megjithatë, për sa kohë që trupi është i paidentifikuar, burimet shtuan se asgjë nuk mund të thuhet me siguri