E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vejusha e zezë e internetit

Kanae Kijima akuzohet për takime me meshkuj online dhe më pas për vrasjen e tyre

Si për herën e parë, Naoki Yasuda mendoi se gjërat kishin shkuar siç duhej. Gruaja 46-vjeçare ishte shumë më ndryshe nga fotoja që kishte vendosur në sajtin e takimeve në internet, megjithatë dukej e këndshme dhe e mirë, e kujdesshme dhe e gatshme për të nisur një marrëdhënie serioze. çifti për tre javë rresht kishte shkëmbyer biseda të gjata në rrjet dhe më pas ishte takuar në apartamentin modest të 46-vjeçares në Tokio shtatorin e kaluar. Pas disa ditësh, Kanae Kijima kishte rënë dakord që të jetonte në shtëpinë e 46-vjeçarit për një javë. “Në mëngjes më përgatiti petulla, pasdite makarona dhe në darkë patate të fërguara”, kujton Yasuda. “Ushqimi ishte shumë i shijshëm dhe shtëpia ishte gjithmonë e pastër. Pasditeve më bënte çaj dhe m’u krijua mendimi se do të ishte një grua e jashtëzakonshme. Por nuk ishte e thënë”.

“Më 21 shtator, policia më mori në telefon për të më thënë se personi me të cilin po jetoja dyshohej se kishte droguar dhe grabitur shumë meshkuj”. Por nuk do të mbaronte me kaq. Pasi policët e morën në pyetje, Yasuda pa i tronditur në emisionin e lajmeve se vajza që kishte futur në shtëpi akuzohej për vrasëse në seri, që ishte përfshirë në vdekjen e të paktën 4 meshkujve. Më i fundit në listë, një 41-vjeçar, ishte gjetur i vdekur një muaj më parë në një situatë që policisë i ishte dukur fillimisht si një vetëvrasje, por që nuk ishte aspak e tillë. Kijima, e cila po pret fillimin e gjykimit, dyshohet se kishte hedhur një gjumëvënës në biftekun që i kishte gatuar burrit dhe më pas si kishte rënë në gjumë e kishte helmuar. Të gjitha këto i kishte bërë për t’i grabitur atij 37 mijë dollarë, të cilat burri i mbante fshehur në shtëpi. Fillimisht lajmi u duk i pabesueshëm për 46-vjeçarin, me të cilin gruaja kishte qenë për herë të fundit, por e vërteta ishte shumë më e hidhur. Sipas akuzave, Kijima kishte grabitur shumë meshkuj, të cilët i njihte dhe i joshte nëpër sajtet e njohjeve. Ajo hiqej si një terapiste dhe si një amvisë shumë e mirë. Në faqen e saj në internet ajo vinte fotot e gatimeve të saj, të cilat dukeshin shumë të mira dhe tërhiqnin vëmendjen e meshkujve, që ishin në kërkim të një bashkëshorteje të mirë dhe të devotshme. Pas disa vitesh mashtrimesh dhe vrasjesh, pasuria e saj mendohet të ketë arritur në 2 milionë euro. Pjesa më e madhe e viktimave të saj ishin meshkuj të shtresës së mesme, të vetmuar, në kërkim të njeriut të jetës. Media japoneze menjëherë e quajti vrasësen në seri ‘vejusha vrasëse’.

Por, ndërsa procesi gjyqësor ndaj të akuzuarës është në përgatitje e sipër, i gjithë komuniteti i rrjetit në Japoni ndihet i tmerruar dhe i tronditur nga një fakt i tillë, që mund t’i kishte rënë për hise kujtdo. Në Japoni, si dhe në vende të ndryshme perëndimore, ka shumë persona që janë të vetmuar dhe në kërkim të shoqërive të përkohshme e të përhershme dhe ky është një kontingjent i madh për ata që janë në gjuajtje të viktimave. Në Japoni, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish i janë drejtuar internetit për të krijuar lidhjet e tyre intime dhe kryesisht bëhet fjalë për meshkuj të moshës së mesme, që kanë edhe të ardhura të qëndrueshme, si edhe kursime. “Unë jam i çuditur me vetminë që ndiejnë meshkujt. Ata kalojnë gati në dëshpërim në disa raste dhe nga dëshira për t’u lidhur me dikë verbohen plotësisht dhe lejojnë t’u hyjnë në shtëpi femra nga më të rrezikshmet”, thotë një psikolog japonez.

Zoti Oide ishte një viktimë tipike e grave që janë në gjuajtje të burrave të pasur në internet. Ai ishte i ndrojtur, i vetmuar dhe në moshë të mesme dhe kishte një blog të vetin ku postonte modele të veshjeve që prodhonte. Disa ditë para se të vdiste kishte shkruar në blogun e tij se më në fund kishte takuar një person me të cilin kishte vendosur të ndante jetën dhe për këtë do të shkonte të takonte edhe familjen e saj. “Tani, në moshën 41-vjeçare, ndihem më në fund me fat për njeriun që kam gjetur. Kemi vendosur të blejmë së bashku një shtëpi dhe do të nisim një jetë të re”, shkruante më tej viktima 41-vjeçare. Në ditët në vijim ai shkruante vetëm pak rreshta, sepse siç shpjegonte, ishte në udhëtim me të fejuarën e tij misterioze, me të cilën do të martohej në përfundim të udhëtimit. Por më 6 gusht, kufoma e tij u gjet e mbytur në anën e pasme të një makine të marrë me qira në një nga periferitë veriore të Tokios. Fillimisht policët kujtuan se burri kishte vrarë veten, por më pas doli se ishte një vrasje. Sipas hetuesve, vajza 34-vjeçare ishte një mjeshtre e vërtetë në ndjelljen e meshkujve. Ajo nuk ishte fare e pashme, por mungesën e pamjes e kompensonte me një dinakëri të madhe dhe me një shtirje që arrinte të gënjente edhe meshkujt inteligjentë. Ajo i kishte thurur lavde të mëdha vetes në blogun e saj. Veçanërisht për sa u takon aftësive kulinare. Fotot që kishte publikuar ishin të përpunuara kompjuterikisht dhe nuk e pasqyronin fare realitetin, megjithatë shërbenin vetëm sa për të ndjellë fillimisht, sepse më pas ajo ishte e zonja që t’i bënte për vete me sjelljet e rafinuara dhe djallëzore. Aftësia e saj për të manipuluar meshkujt ishte aq e madhe sa edhe një person me shumë intuitë dhe përvojë do ta kishte të vështirë të dallonte falsitetin në veprimet e saj. Viktima e saj e parë ishte një 70-vjeçar, menaxher i pasur. Këtij njeriu ajo iu shfaq si një studente jetime, në kërkim të mbështetësve financiarë për studimet. Plaku pranoi që t’i paguante për çdo takim të tyrin 20 mijë dollarë, gjoja për të mbuluar shpenzimet e shkollës. Ai i dha edhe kodin e kartës së kreditit dhe pas disa kohësh u gjet i vdekur. Për miqtë ai ishte një njeri shumë i zgjuar dhe dinak, që zor se do të kishte rënë pre e ndonjë mashtrimi, por ja që vajza kishte qenë më e zonja se ai. Kijima kishte një intuitë të zhvilluar dhe një fantazi për sa u përket nevojave që kishte secili nga meshkujt që takonte. Pasi e kuptonte se çfarë kërkonin, ajo u jepte më të mirën e mundshme, qoftë kjo shoqëri, seks, gatim, apo idenë e një bashkëshorteje të ardhshme të devotshme. Për sa i përket çështjes gjyqësore, ajo pritet që të zgjasë për vite të tëra. Policia japoneze, e cila shquhet për kujdesin dhe saktësinë e gjërave, po e ndërton këtë rast me shumë kujdes dhe duke u bazuar në morinë e provave që tashmë janë të shumta. Ndërkaq, në një vend si Japonia, ku gratë luajnë një rol të dorës së dytë në të gjitha sferat e jetës, “vejusha e zezë” është shndërruar në një rast që ka hedhur në erë të ashtuquajturin “vetëbesimi mashkullor”. Sipas blogëve të ndryshëm në internet, Kijima ka shkatërruar besimin e meshkujve te femrat, te takimet dhe martesat me to. Ata ndihen shumë më tepër të frikësuar dhe të hutuar se më parë, që të lënë takime me partneret përmes internetit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›