E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sandra Bullok: Pas Oskarit ndihem e boshatisur

Sapo ka fituar një “Oskar” për rolin dramatik në “The blind side” dhe shumëkush mendon se tashmë rolet e saj në komedi kanë marrë fund njëherë e mirë. Të jetë e vërtetë?

Me të marrë çmimin e shumëpritur dhe të shumëmerituar, Sandra Bullok nuk ka reshtur së dhëni intervista e megjithatë vazhdon që të ketë energji të pashtershme për të gëzuar momentin e shumëpritur në karrierën e saj. Kur e sheh përballë në njëfarë mënyre pëson një zhgënjim. Ajo është shumë më e këndshme dhe e zhdërvjellët në realitet se sa në ekran.

Në filmin që i dha edhe statujën e artë, ajo luan një rol dramatik në një skenar bazuar në një histori të vërtetë. Sandra interpreton Leigh Anne Tuohu, një grua të bardhë nga Memfisi që kujdeset për një adoleshent zezak, një djalë me përmasa trupore të jashtëzakonshme me emrin Michael Oher. është një film për të cilin ajo flet me shumë dashuri, por është e ndërgjegjshme edhe për faktin se ka qenë me fat me rolin. Në fakt viti që shkoi ka qenë me shumë fat për aktoren, të paktën profesionalisht. Fillimisht viti nisi me “The proposal”, një film i zhanrit komedi romantike, si ato me të cilat ajo është mësuar tashmë që prej shumë kohësh. Ky ishte një film që pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe ndërsa për ta realizuar u deshën vetëm 40 milionë dollarë, fitimi nga shitja e biletave ishte 340 milionë. Projekti i filmit që i dha “Oskarin” ishte shumë më interesant dhe më i thellë, por publiku e thithi me më vështirësi dhe sigurisht që ai nuk ishte për të gjitha audiencat. Megjithatë pas shfaqjeve të para tërhoqi shumë spektatorë dhe aktualisht konsiderohet si filmi i parë që arrin të bëjë kaq shumë para me një aktore femër në rolin kryesor. “Kur mora skenarin në dorë më pëlqeu pa masë, por kisha dyshimet e mia nëse mund ta realizoja mirë një gjë të tillë apo jo. Regjisori më la kohë që ta tresja e ta bëja timin dhe nëse do të vazhdoja ta gjeja interesant më duhej të vendosja për të filluar xhirimet menjëherë. Ndërkohë unë vendosa ta takoja vetë gruan që do të interpretoja dhe u magjepsa nga shpirti i saj i madh dhe energjia pozitive që ajo përçonte vazhdimisht. Pas këtij takimi vendosa të luaja një pjesë që nuk do ta harroj kurë”.

Ajo rrëfen se pati vështirësi, sepse personazhi i saj kishte disa të dhëna që ajo nuk i kishte, si të qenët e krishterë, republikane dhe e dhënë pas futbollit. Por i rëndësishëm ishte fakti se në thelb ishte një histori e rrallë dashurie dhe devocioni. Në film Sandra është tërësisht e transformuar fizikisht. Nga brune është bërë një bionde me flokë shumë të gjatë dhe me një të folur të theksuar nga Memfisi. “Nuk më pëlqen vetja si bionde, por u detyrova që të ndryshoj për hir të personazhit. Zakonisht në të gjithë filmat që kam interpretuar nuk kam ndryshuar shumë për sa i takon paraqitjes së jashtme, por këtë herë ndryshimi ishte i pashmangshëm. Isha duke interpretuar një personazh që ekziston edhe në jetën e përditshme dhe nuk mund ta shmangia ndryshimin”.

Tashmë në moshën 45-vjeçare, Bullok është një superyll, ndër më të shndritshmit e momentit në Hollivud dhe më gjerë, por pavarësisht famës, parave dhe filmave në të cilët ka interpretuar duket se nuk e ka gjetur kurrë veten komode me të qenët e famshme dhe në qendër të vëmendjes. “Kur më duhet të marr pjesë në mbrëmjen e ceremonisë së ‘Oskarit’ mundimi që provoj është shumë i madh. Ajo paradë yjesh është shumë larg mënyrës se si unë e jetoj ditën e zakonshme dhe për mua është një nga situatat më të pafavorshme që mund të imagjinohet. Përfundimisht bota e tapetit të kuq është një botë që nuk më përket, edhe pse është pjesë e pashmangshme e industrisë filmike. Unë thjesht bëj punën time duke interpretuar në filma dhe pastaj shkoj në shtëpi në një jetë krejt tjetër”, thotë Sandra. Por Sandra dhe të tjerët e dinë mirë se sa e vështirë është t’u shmangesh detyrimeve kur je bërë pjesë e industrisë filmike. Edhe po të duash nuk mund të refuzosh ftesat e pafund për të dhënë intervista, për të marrë pjesë në programe të ndryshme televizive, për të marrë pjesë në shfaqje, premiera dhe evente të tjera, të cilat bëjnë pjesë në atë që quhet marrëdhënia me publikun. Sandra e di se puna që ajo bën, pra aktorja, ka të bëjë me një produkt, që pavarësisht se është një vlerë artistike, është edhe një mall tregu, ndaj si i tillë nuk mund që të anashkalohet duke u fshehur, apo duke mos u shfaqur. Ajo e di fare mirë se fati i një filmi i reklamimit të tij nuk i lihet rastësisë, por për të bëhen projekte të mirëfillta reklamimi dhe shpesh edhe falë këtyre produkti, pra filmi, arrin që të shitet në masë dhe të bëhet i famshëm. Veçanërisht kur bëhet fjalë për filmat e nominuar për çmimin “Oskar” gjërat marrin një rëndësi të veçantë. Sandra nuk do ta harrojë gjithë punën e njerëzve që e rrethonin para natës së ndarjes së çmimeve. Një ushtri e tërë publicistësh, specialistësh të marrëdhënieve me publikun rrethojnë një film që do të kandidojë për çmimin e madh. Por viti 2009, si për të prishur syrin e keq, i dhuroi edhe një çmim nga ata që në botën e kinematografisë konsiderohen si “çmimet e shtrigave”. Për interpretimin në filmin “All about Steve” ajo fitoi çmimin si aktorja më e keqe e sezonit. “Jeta ka dy anë, atë të mirën dhe të keqen. është mirë kur i provon nga pak të dyja për të ruajtur balancën, për të shijuar të mirën dhe pse jo edhe për t’u zbavitur ndopak. Unë personalisht nuk e marr me seriozitet as çmimin ‘Oskar’, as atë që më vlerëson si aktoren më të keqe në treg. Jam sportive dhe gazmore”.

Pjesë e asaj që e bëjnë Bullok të jetë ndryshe nga aktoret e tjera të famshme të Hollivudit është edhe zgjedhja e veçantë që bëri për njeriun e jetës. Deri një javë më parë, kur plasi një skandal në lidhje me marrëdhënien e të shoqit me një femër tjetër, për martesën e Sandrës ishin shumë të pakta informacionet dhe të dhënat. Bashkëshorti i saj, me të cilin vuri kurorë para 5 vitesh, është një mekanik dhe ndërtues motoçikletash me emrin Jasse James. Sado që arrin të flasë shumë për anën profesionale, kur vjen puna te jeta private Sandra nuk pranon të thotë asnjë fjali të vetme.

Bashkëshorti i saj ka tre fëmijë nga lidhjet e mëparshme. Ajo është mësuar dhe e pëlqen një fakt të tillë, por nuk shton asgjë tjetër në lidhje me këtë argument. Ndërsa duket se javën e kaluar, menjëherë pas “Oskarit”, kur ka marrë vesh marrëdhënien jashtëmartesore të të shoqit, gjërat kanë dalë pak jashtë kontrollit. Madje më shumë se kaq. Për këtë arsye ajo vendosi që të braktiste edhe pjesëmarrjen e saj në premierën e filmit të ri në Londër. I shoqi, James, u akuzua në një gazetë VIP-ash se kishte pasur një marrëdhënie intime me një modele me tatuazhe të shumta në trup. Që nga momenti kur lajmi u bë publik ai i kërkoi Sandrës falje publikisht, edhe pse ka mohuar pjesën më të madhe të akuzave. Megjithatë, koincidencë, apo jo, Bullok nuk e falënderoi të shoqin kur mori çmimin “Oskar”, edhe pse atë natë ende nuk kishte plasur skandali. Në vend të tij ajo falënderoi të ëmën, Helgën, dhe këtë e bëri me shumë dashuri e me lot në sy. E ëma ka qenë një këngëtare operistike gjermane, e cila u martua me Xhon Bullok, një trajner sporti amerikan që vdiq në vitin 2000. Helga e rriti Sandrën dhe motrën e saj, Gesine, pjesërisht në Gjermani dhe i merrte gjithmonë me vete në turnetë e shumtë nëpër Gjermani e madje i inkurajonte që të luanin dhe këndonin. Kjo përvojë i dha asaj dashurinë për të interpretuar në skenë dhe familjaritet me të e spektatorët.

“Megjithatë mendoj se pavarësisht se jam rritur nëpër skena, e kam pasur dëshirën për t’u bërë kjo që jam, brenda vetes. Që e vogël mendoja se mund të isha shumë e mirë në teatër dhe se mund të interpretoja një ditë në teatrot europiane dhe ato më të famshme të Nju Jorkut. Kjo jetë dhe bindje e bëri që të studionte për Dramë në Universitetin e Karolinës Lindore dhe më pas të zhvendosej në Nju Jork. Fillimisht nisi të shfaqej nëpër filma të shkurtër. Rolet e saj të parë nuk ishin kushedi se çfarë. “Rolet e mia të para kanë qenë thjesht përvojë dhe hapat e parë për të mbërritur aty ku jam sot”. Famën e mori me filmin “Speed” dhe “While you were sleeping” të vitit 1994. Filmi i parë e bëri protagoniste të një filmi aksion, ndërsa i dyti vulosi aftësinë e saj për të marrë pjesë në rolet e filmave komedi. Më pas erdhën filma që vazhduan t’i japin famë, edhe pse jo shumë cilësorë, të tillë si “Forces of nature”, “A time to kill”. Që nga viti 1996 ajo ka qenë producentja e shumë prej filmave të saj. Dhjetëvjeçari i fundit ka parë një konsolidim të vazhdueshëm të të ashtuquajturës “filma Bullok”. Ajo pretendon se nuk ka asnjë film, por të gjithë e dinë se ajo është shtrirë shumë edhe në detaje të tjera të industrisë së filmit, veç aktrimit. Po a i është dukur se bota rreth saj po ndryshonte, ndërkohë që po shndërrohej në një personazh gjithnjë e më të njohur? “Sigurisht dhe mendoj se kjo është e pashmangshme. Befas e kupton se njerëzit rreth teje nuk nisen si më parë nga hiçi, kur flasin me ty, por nga një njohje shumë më e madhe dhe kjo i ndryshon kryekëput marrëdhëniet duke filluar nga ato më të thjeshtat deri tek ato më të komplikuarat”. Por për të përballuar në njëfarë mënyrë shfigurimin që të jep fama, Bullok prej kohësh ka vendosur të qëndrojë larg jetës mondane të Hollivudit dhe aktualisht jeton në Reksas dhe Xhorxhia. Po a konsideron ajo biznesin e filmave si të padobishëm dhe a është e shqetësuar për kulturën shumë të përhapur të njerëzve të famshëm? “Sigurisht që jam e shqetësuar, sepse njerëzit e zakonshëm i marrin si modele aktorët e pasur e të bukur dhe më besoni, unë që jam njëra prej tyre dhe njoh shumë të tjerë nga afër, e them me plot gojën se ata janë modele shumë të këqij për t’u ndjekur”.

Pas marrjes së “Oskarit” për Sandrën vjen një moment pauze. Aktualisht si rrallëherë në jetë ajo e ndien se për momentin nuk ka ndonjë ide, apo projekt që do ta shndërrojë në film. “Nuk para kam parë ndonjë gjë rrotull që të më tërheqë vëmendjen dhe të më nxisë ta prodhoj. Ndoshta mund të ndodhë ndonjë e papritur, por për momentin jam në pritje e në kërkim dhe pse jo në shijim të një fitoreje që nuk ishte e lehtë…”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›