Qeveria nuk jep fondet, rruga e Shkozetit mbetet përgjysmë
Asnjë punim nuk është kryer në një prej akseve rrugore më të rëndësishme të Durrësit. Pavarësisht protestës së banorëve dhe bizneseve të ndryshme që operojnë përgjatë rrugës së Shkozetit, por edhe përmirësimit të kushteve atmosferike, mbarimit të stinës së reshjeve asgjë nuk ka ndryshuar në rrugën që lidh Jugun me Veriun përmes Durrësit. Mosdhënia e fondeve nga ana e qeverisë për firmën që kryen punimet deklarohet të jetë shkaku i bllokimit të punimeve për rehabilitimin e rrugës, ndonëse kjo rëndon mbi të gjitha te qytetarët dhe automjetet. Drejtuesit e automjeteve të tonazheve të ndryshme që lëvizin në këtë rrugë thonë se mjetet po amortizohen çdo ditë e më shumë, ndërsa përshkojnë këtë rrugë që vetë shoferët e konsiderojnë një gangrenë që rëndon në xhepat e tyre. Përgjatë të gjithë rrugës nuk duken askund punonjës a mjete të firmës që nisi punimet për rehabilitimin e kësaj rruge në prag të zgjedhjeve parlamentare me një ceremoni pompoze në të cilën mori pjesë dhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Investimi për këtë rrugë ishte deklaruar në vlerën e 12,8 milionë eurove të siguruara nga një hua e Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik dhe qeveria shqiptare. Kriza që ka mbërthyer vendin dhe ngrirja e fondeve kanë prekur dhe këtë investim të rëndësishëm rrugor që realizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Pak kohë më parë, banorë e përfaqësues të bizneseve në Durrës protestuan për lënien pas dore të punimeve në këtë rrugë, por asgjë nuk ndryshoi. Kjo ka bërë që qytetarët të jenë pesimistë në ndërmarrjen e veprimeve protestuese qytetare, duke i vlerësuar ato si pa ndikim te pushtetarët që me votën e tyre i kanë zgjedhur. Janë vetëm 5 kilometra rrugë që kanë krijuar një problem shumë të mprehtë për komunitetin, bizneset dhe automjetet e shumta që lëvizin në këtë aks.
#