E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punimet e rrugës Fier-Cakran gjashtë muaj me pushime

Pezullimi Në këtë segment nuk po punohet më, ndonëse po shkatërrohet edhe puna e kryer

Një nga akset më problematike për nga infrastruktura në rrethin e Fierit është ai Fier-Cakran. I konsideruar si pjesë e rrugës kombëtare ky segment përbën ende një nga premtimet e Kryeministrit Sali Berisha, i cili gjatë fushatës së fundit zgjedhore, të 28 qershorit, inauguroi fillimin e punimeve. Rruga nis në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës dhe vijon deri në qendër të Komunës Cakran. Prej 18 vjetësh në rrugën Fier-Cakran që ka një gjatësi mbi 18 km nuk ishte ndërhyrë. Komuniteti me mbi 23 mijë banor i Cakranit dhe i disa fshatrave të Komunës Levan e Frakull, që kanë këtë rrugë si të vetmen mundësi lidhjeje me qytetin, vazhdimisht kanë kërkuar investime për infrastrukturën. Gjatë fushatës zgjedhore u premtua rindërtimi i kësaj rruge. Nisjen e punimeve e përgëzoi Kryeministri, ndërkohë që ecuria e tyre u inspektua disa herë nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili mban edhe kreun e deputetëve të djathtë në Qarkun e Fierit. Punimet për rindërtimin e rrugës zgjatën vetëm tre muaj, pasi prej gjashtë muajsh ato janë ndërprerë. Faktin e ndërprerjes së punimeve e pohojnë banorët e zonës së Cakranit, kryetari i komunës, si dhe drejtuesit e këshillit të qarkut dhe ata të prefekturës. “Kanë gjashtë muaj që janë larguar nga rruga. E kanë shkatërruar e jo përmirësuar”, ka thënë Veiz Sulaj, banor i fshatit Hambar, Komuna Cakran. Selam Banaj, banor i fshatit Buzëmadh, fshat ky i Komunës Cakran thotë se jo vetëm që punimet janë ndërprerë prej kohësh, por ky dimër e ka shkatërruar edhe më tepër rrugën. Punimet e kryera gjatë tre muajve kanë mundur që ta përmirësojnë rrugën nga Cakrani deri në Kreshpan. Gjatësia e rrugës së përmirësuar nuk kalon më tepër se 3 km, ndërkohë që 15 km të tjerë kanë mbetur në mëshirë të fatit. Në 6 pjesë të ndryshme të gjatësisë së rrugës shkarjet masive të kodrave pranë kanë bërë që gjerësia e saj të zvogëlohet e për pasojë rruga të pësojë dëmtime të rënda. Shirat e fundit e shkatërruan pothuaj në një gjatësi mbi 3 km këtë rrugë dhe detyruan autoritetet vendore e policinë e qarkullimit që ta orientojnë lëvizjen e mjeteve në një rrugë dytësore. Ndërhyrja provizore e bërë javë më parë nuk e ka zgjidhur problemin. Kryetari i Komunës Cakran, Lavdimir Korçari tha se punimet janë ndërprerë gjatë stinës së dimrit, pasi kushtet atmosferike nuk premtonin cilësi. Por, edhe pse moti është përmirësuar nuk ka gjasa që të rinisin punimet. Pritet që në zgjedhjet më të afërta të premtohet sërish ndërtim rruge dhe të ndërtohen ndoshta dhe 3 km të tjerë, duke e zvogëluar gjithnjë e më shumë gjatësinë e rrugës së shkatërruar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›