E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimet

Me gjetjet e fundit moderne do të ketë më pak uniforma blu dhe më shumë bluza të bardha në sallat e proceseve gjyqësore. Por shumë kanë dyshimin se nuk mund t’u besosh metodave të reja pa pasur konfirmime solide Baktere dhe rezonancë magnetike. Ja si shkenca ndihmon drejtësinë

Më pak uniforma blu dhe më shumë bluza të bardha. Pasi ka pushtuar terrenin e hetimeve kriminale, tani shkenca ka nisur të hyjë edhe në sallat e proceseve gjyqësore. Por në momentin që bëhet fjalë për perfeksionimin e gjurmëve dixhitale apo për testet e ADN-së, shtrëngimi i duarve mes gjyqtarëve dhe shkencëtarëve nuk mund të kritikohet nga askush. Por tani që përpara magjistratëve po shfaqen gjithmonë e më shpesh aparate që përdoren për të “parë” brenda trurit, si rezonanca magnetike funksionale për imazhet apo tomografia me emetimin e pozitroneve, përshtypja se po ecet me ritme shumë të shpejta ka filluar të mbizotërojë kudo. Rezonanca magnetike shërben për të lexuar se çfarë ndodh në trurin e një personi: imazhet e para, fjalët e thëna, ato të menduara dhe zërat e dëgjuar. Por jo vetëm kaq, ajo zbulon edhe “rrugën” që këto fjalë përshkruajnë, madje edhe qëllimet dhe perceptimet e pandërgjegjshme. Nuk bëhet fjalë për një film fantastiko-shkencor, sipas neuroshkencëtarëve është një hap shumë i madh, sidomos për leximin e mendimeve. Kjo rezonancë u shpik në vitin 1988 nga Seiji Ogawa, një biofizikan i “At&t Bell Laboratories” dhe u përhap në gjysmën e dytë të viteve 1990. është një lloj teknike që evidenton qelizat e trurit që punojnë, sepse arrin të “shohë” oksigjenin që ato konsumojnë. Për më shumë se një dhjetëvjeçar, neuroshkencëtarët, të cilët studiojnë të sëmurët, kanë krijuar një ide mjaft të qartë rreth detyrave që grupet e ndryshme të qelizave nervore bëjnë dhe mënyrës se si ato funksionojnë. Ata prej pak vjetësh po studiojnë trurin në funksionimin e tij normal për të kuptuar sekretet e mendjes. Shumë mendojnë se ajo arrin të dallojë fare mirë ata që gënjejnë. Në vitin 2006 Feroze Mohamed, docent i “Temple University” të Filadelfias, përmes studimeve të njëpasnjëshme arriti në përfundimin se: “Gënjeshtra aktivizon zona të trurit shumë të ndryshme nga ato që aktivizohen kur thuhet e vërteta”. Nëse për të gënjyer aktivizohen 14 zona, për të thënë të vërtetën aktivizohen 7, të gjitha të ndryshme. Mohamed shtoi më tej: “Aktiviteti cerebral nuk është i kontrollueshëm me dëshirë. Ky kërkim i yni kërkon të përdorë një metodë të re objektive dhe shumë të besueshme mbi gënjeshtrën, aq sa mund të përdoret nëpër gjykata”. Por sot, katër vjet më vonë, kritikat mbi lidhjen e shkencës me krimin kanë shkaktuar shumë debate. “Shkenca në gjykatë”, ishte para pak ditësh titulli kryesor në kopertinën e revistës shkencore “Nature”. Revista përshëndet progreset teknologjike, si për të eliminuar gabimet nga analiza e gjurmëve dixhitale përmes kompjuterëve të aftë të analizojnë detaje gjithmonë e më të shumta, si për të kryer teste ADN-je mbi kampionët e vjetër, të degraduar ose të përbërë vetëm nga një “grusht” qelizash. Por ajo jep alarmin për “skanerin e mendimit”, versioni i fundit i makinës së të vërtetës. Me pak fjalë aparate që kanë mundësinë të zëvendësojnë gjykatësit në vlerësimin e sinqeritetit të një njeriu. “Praktika ligjore po nis t’u besojë metodave të reja të pavarura nga konfirmimet e tyre shkencore”, shkruhet në “Nature”. Aditi Sharma, një vajzë indiane 24 vjeçe, ishte personi i parë që u dënua nga “truri” i saj. Ishte ulur në gjykatë në shtator të vitit 2008, ndërsa Ministria e Brendshme ndërtonte skenën e vrasjes së të fejuarit që e kishte helmuar me arsenik. Ndërkohë, një elektrocefalograme i ishte besuar detyra për të kuptuar nëse ajo skenë “ndodhej” në kujtesën e Aditit. D.m.th., nëse kjo kishte ndodhur vërtet. Elektrocefalograma, rezonanca magnetike funksionale (analiza që tregon sasinë e gjakut në zona të ndryshme të trurit, tregon për nivelin e tyre të aktivizimit) dhe tomografiame me emetim pozitronesh që studion aktivizimin e zonave të trurit përmes intensitetit të metabolizmit të tyre) nuk kanë arritur të marrin ende akses të pakushtëzuar në sallat e gjyqeve, por kanë nisur të “trokasin” në dyert e gjykatave amerikane. Nëse jo si prova decizive për të dhënë një dënim apo për të marrë një vendim absolut, për momentin përdoren si elemente bashkëpunuese. Në burgun amerikan të Albuquerques, në New Mexico, një neuroshkencëtar i universitetit vendas, Kent Keihl, vendosi një rimorkio në kopsht me një aparat për rezonancën magnetike. Shumë të dënuar iu nënshtruan testit për të identifikuar tipare dalluese në personalitetin e tyre. Pastaj përdori rezultatet e Brian Dugan, një përdhunues dhe vrasës serial, për të treguar përballë një trupi gjykues se një funksionim i keq i sistemit paralimbik e bën të dënuarin të paqëndrueshëm mendërisht. Kështu psikopatia, nga e cila është prekur, e pengon të provojë emocione normale. Keihl kërkoi më pas, por pa sukses deri më tani, heqjen e dënimit kapital. Ai që kishte vrarë, sipas neuroshkencëtarit, ishte truri i sëmurë i të akuzuarit, jo ai vetë. Por kjo risi nuk i ka shpëtuar aspak syrit të kompanive private. “Cephos”, në Massachusetts, ofron analiza me rezonancë magnetike dhe në reklamë në faqen e saj të internetit jep si të mirëqenë vlefshmërinë e kësaj metode në proceset amerikane. “No lie Mri”, në San Diego e propozon testin e saj si “si metodën e parë dhe të vetme të historisë njerëzore për të matur të vërtetën dhe për të njohur gënjeshtrën”. Nga ana tjetër, një shkencëtar i Universitetit të Colorados, Noah Foierer, ka propozuar një teknikë të re për t’ia bashkangjitur asaj të gjurmëve dixhitale. Kështu, në “Proceedings of the National Academy of Sciences”, ai ka hedhur idenë që të mund të numërohen edhe bakteret e depozituara në sipërfaqet e prekura. çdo individ ka në duart e tij disa lloje të veçanta mikroorganizmash. Kjo mund të jetë një mënyrë e mirë për të zbuluar identitetin e fajtorëve në të ardhmen.

Gjurmët mikrobike

Sa herë që marrim një gotë verë apo shkruajmë një e-mail, lëmë gjurmët tona dixhitale dhe gjurmët e mikrobeve tona personale. Kërkuesit amerikanë arritën të gjejnë identitetin e atyre që hyjnë në kontakt me cilindo objekt nga gjurmët e mikrobeve të lëna aty. Në eksperiment ata analizuan bakteret e gjetura mbi mausin e 9 kompjuterëve të njerëzve të ndryshëm dhe i krahasuan me ato të duarve përkatëse. Përzierja e mikrobeve në secilin prej mausëve ishte krejtësisht i njëjtë me ato të duarve të “pronarit” të tij, por mbi të gjitha ishte i ndryshëm nga të tjerët.

Baktere në skenën e krimit

“Secili prej nesh lë një gjurmë të veçantë dhe të papërsëritur bakteresh, ndërsa kryen aktivitetet e përditshme”, tregon Noah Fierer. “Ndryshimet mes baktereve të individëve të ndryshëm mund të përdoren për të identifikuar objektet me të cilët ke pasur kontakte”, mbështesin autorët, sipas të cilëve besueshmëria e kësaj teknike varion nga 70 deri në 90 për qind.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›