Anketa e nxënësve penalizon 26 mësues
Të gjitha shkollat e mesme të Rrethit të Fierit i janë nënshtruar në fillim të muajit mars një ankete. Bëhet fjalë për nxënësit e gjimnazeve dhe atyre të shkollave profesionale. Burimet zyrtare të Drejtorisë Rajonale Arsimore Fier shprehen për “Shqip” se objekt i anketës së aplikuar kryesisht në shkollat e nivelit arsimor të mesëm ka qenë mësimdhënia dhe “sjellja” e mësuesve. Në kategorinë e këtyre të fundit kanë bërë pjesë mësuesit e të gjitha lëndëve që jepen në shkollat e rrethit. Nuk janë përjashtuar edhe mësuesit e lëndës së edukimit fizik, si dhe ata të ndonjë lënde tjetër me bazë praktikën.
Drejtoresha e institucionit arsimor në Fier, Suzana Numani, shprehet për gazetën se anketa ka nxjerrë mësues të veshur me probleme të rënda. “Anketa është vlerësuar nga drejtoria rajonale e arsimit dhe është marrë e mirëqenë në masën 99%. Menjëherë pas përfundimit të verifikimit të saj, ne si drejtori kemi aplikuar inspektim në të gjitha shkollat. Nëse do të marrim për bazë anketën, duhet të pranojmë faktin se nuk ka mbetur asnjë shkollë pa probleme. Dhe bashkë me shkollat, as mësuesit nuk kanë rezultuar pa ‘u vlerësuar’ nga nxënësit e tyre”.
Anketa“Përfundimi i inspektimit në shkolla ka qenë pothuaj i njëjtë me ato që kanë shprehur nxënësit në anketë”, ka thënë Suzana Numani, drejtoresha e DRA-së së Fierit.
Sipas saj, në anketë kanë marrë pjesë të gjitha shkollat, ndërsa pjesëmarrja e nxënësve ka qenë në masën 89%. Anketa dhe inspektimi kanë zgjatur plot një javë. Më problematike kanë dalë shkollat e qytetit të Fierit. Nga pesë shkollat e mesme të qytetit të Fierit janë “ndëshkuar” prej anketës 26 mësues. “Me të vërtetë që është numër i lartë, por më duhet të pranoj se 26 mësues janë denoncuar prej nxënësve. Atë që nxënësit kanë shprehur në shpjegimin e kërkuar prej anketës, ne si drejtori e kemi vërtetuar gjatë inspektimit. Për të 26 mësuesit ne kemi vendosur edhe masa penalizuese, të cilat nisin me paralajmërimin e tyre për përjashtim nga puna”, ka shpjeguar Suzana Numani. Sipas saj, nxënësit kanë shprehur në anketë se mësuesit e tyre nuk tregojnë profesionalizëm në fushën e mësimdhënies dhe aq më tepër aplikojnë edhe forma presioni për pjesëmarrjen e nxënësve në kurse private.
PenalizmiEdhe pse drejtuesit e arsimit në Fier shprehin keqardhjen për treguesit e anketës, pranojnë hapur faktin se mësuesit e denoncuar i kanë kryer “veprimet” e deklaruara nga nxënësit e tyre. Emrat e mësuesve të penalizuar drejtoria arsimore nuk i kanë bërë publik, ndërsa nga shkollat e qytetit stafet pedagogjike jo vetëm që nuk duan të pranojnë “vlerësimin” e nxënësve, por thonë se mësuesit e paralajmëruar janë piketuar për t’u hequr nga puna dhe anketa konsiderohet thjesht justifikim. Kjo në fakt do të vërtetohet në ditët në vijim, atëherë kur drejtoria e arsimit do të kërkojë prej Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave marrjen e vendimit për mësuesit “e mbetur në klasë” nga nxënësit e tyre. Gjatë muajit mars, në drejtoritë rajonale të arsimit në vend janë shkrirë sektorët e inspektimit dhe deri në fund të muajit qershor edhe shumë mësues do të duhet të mbeten pa punë, si shkak i aplikimit të reformës, që premtohet së fundmi se do të përfundojë para vitit të ardhshëm arsimor.
#