Veliaj: Lëvizja G99 sensibilizon studentët për kartat
G99 do të sensibilizojë studentët në të gjithë Shqipërinë për të protestuar kundër taksës së votës. Kreu i kësaj lëvizjeje, Erion Veliaj, deklaroi dje se njerëzit nuk duan lëmoshë, por të drejtën për të zgjedhur qeverinë që do t‘i zgjidhë problemet. "Duke filluar që nga java tjetër, G99 do të ketë një tur në të gjithë qytetet universitare për të mobilizuar të rinjtë që të protestojnë kundër taksës së votës", tha Veliaj. Veliaj u shpreh kundër pabarazisë që po manifeston qeveria në përcaktimin e kategorive në dhënien e kartave të identitetit falas. Ai tha se ky vendim duhet të jetë i vlefshëm për të gjithë ata që s‘kanë mundësi ta marrin këtë dokument. Në vlerësimin e G99, e drejta e votës është e padiskutueshme, e pamohueshme dhe e patjetërsueshme. "Nuk ka rëndësi nëse jeton në fshat apo në qytet, nëse je 18 apo 88 vjeç, nuk ka fare rëndësi në qoftë se ke qindarka në xhep apo miliona në bankë, e drejta e votës është një e drejtë për të qenë qytetar", nënvizoi kreu i G99. Veliaj vlerësoi se ajo që ndodh sot është një pazar i paprinciptë, një lojë kungulleshkash ku Kryeministri negocion me qytetarët në bazë të ngjyrës së lëkurës, në bazë të moshës, në bazë të vendbanimit. "Dhe kjo tregti, vijoi Veliaj, ky pazar banal me të drejtën e votës është i pamoralshëm". Ai shtoi se ajo që kërkohet sot qartazi është të hiqet taksa e votës, si për ata që janë më ngjyrë dhe për ata pa ngjyrë.