E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Berisha bindet vetëm me manifestime, jo bisedime

Lëvizja Socialiste për Integrim i qëndron idesë se Kryeministri Sali Berisha mund të bindet vetëm me protesta dhe manifestime. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, deklaroi se bisedimet me të nuk mund të kenë asnjë fryt, ndaj e vetmja mënyrë për ta bindur atë që të japë karta identiteti falas janë protestat paqësore. "Deklarata e zotit Rama për t‘u ulur përsëri me Berishën, për të biseduar për çështjen e kartave të identitetit, është vërtet shqetësuese, sepse ne mendojmë se nuk ka asnjë motiv për t‘u ulur dhe për të biseduar. Nga momenti që dhe zgjidhja është identifikuar dhe nga Partia Socialiste shpërndarja falas e kartave të identitetit dhe unë nuk kuptoj përse do të ulen bashkë, çfarë zgjidhje tjetër do të gjejnë përveç kësaj zgjidhjeje. Tani ka vetëm një rrugë, rruga e vendosmërisë dhe vetëm kjo rrugë do ta detyronte zotin Berisha të ndryshonte", u shpreh Xhufi. Sa i përket idesë që qarkullon së fundmi për shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare, Xhufi vuri në dukje se

kjo do t‘i shërbente vetëm mazhorancës dhe është në dëm të interesave të opozitës. "Ata që janë të interesuar ta shtyjnë janë sigurisht qeveria që është në pushtet, që nuk ka realizuar parakushtet për bërjen e zgjedhjeve dhe që mesa duket nuk ka ezauruar të gjitha hilet që po bën për të manipuluar dhe kësaj radhe zgjedhjet", këmbënguli Xhufi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›